Kthehu te lista
11 Nëntor 2017

Auditori i Përgjithshëm kërkon vëmendjen e Kryeministrit Haradinaj në zbatimin e rekomandimeve të Auditorit

Takim_KM_Haradinaj

Me kërkesën e Auditorit të Përgjithshëm, z. Besnik Osmani sot në ambientet e Qeverisë është realizuar takimi me Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj.

Në këtë takim, z. Osmani ka informuar Kryeministrin Haradinaj për punën e Auditorit të Përgjithshëm, si institucion suprem i kontrollit ekonomik dhe financiar në Republikën e Kosovës. Auditori i Përgjithshëm ka theksuar përkushtimin e tij dhe të auditorëve të Zyrës Kombëtare të Auditimit për të përmbushur mandatin kushtetues e ligjor, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të qeverisjes e të llogaridhënies në institucionet publike të Kosovës në menaxhimin e fondeve publike si dhe të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve.

Auditori i Përgjithshëm ka prezantuar çështjet kryesore lidhur me pasqyrat vjetore financiare dhe dobësitë e evidentuara në lidhje me pajtushmërinë e vendimeve dhe veprimeve të zyrtarëve publik në raport me legjislacionin përkatës. Rekomandimet e dala nga raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit vënë  theksin në çështje të rëndësishme që kanë të bëjmë me menaxhimin e pasurisë jofinanciare, menaxhimin e prokurimit publik, menaxhimin e llogarive të arkëtushme dhe të obligimeve, theksoi Auditori i Përgjithshëm.

Z. Osmani e ka njoftuar Kryeministrin edhe me auditimet e performancës si vlerësim i arritjes së vlerës për para nga përdorimi i fondeve publike dhe theksoi rëndësinë që të përmirësohet edhe më tej efikasiteti dhe efektiviteti në shpenzimin e parasë publike.

Gjatë bashkëbisedimit, vëmendje e veçantë i është kushtuar nivelit të ulët të zbatimit të rekomandimeve dhe mungesës së një plani sistematik për adresimin e tyre, nga ana e organizatave buxhetore. Auditori i Përgjithshëm, i ka rekomanduar Kryeministrit Haradinaj që Qeveria të aplikoj një proces sistematik të monitorimit të zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit dhe të kërkojë nga organet e Qeverisë që të zbatojnë dhe raportojnë mbi progresin e arritur.

Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar punën e Auditorit të Përgjithshëm dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe ka shprehur interesimin e tij për një komunikim më proaktiv ndërinstitucional për të reaguar në kohën e duhur për mbarëvajtjen e proceseve dhe përmirësimin e qeverisjes. Ai ka shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë për të ruajtur pavarësinë institucionale të Zyres Kombëtare të Auditimit dhe ka theksuar zotimin e tij për zbatimin e rekomandimeve të Auditorit në mënyrë që të forcohet kontrolli i brendshëm dhe të përmirësohet qeverisja në institucionet publike.

 

Të ngjashme