Kthehu te lista
16 Nëntor 2017

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës priti në vizitë bilaterale Presidentin e Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë

Vizita_AP i Polonise

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, z.Besnik Osmani, ka pritur sot në vizitë bilaterale, z. Krzysztof Kwiatkowski, President i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, me bashkëpunëtorë.

Z. Osmani, i ka njoftuar mysafirët për mandatin kushtetues e ligjor dhe aktivitetet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në funksion të rritjes së efikasitetit të administratës publike, menaxhimit të mirë dhe kontrollit në shpenzimin e parasë publike. Ai po ashtu i ka njoftuar mysafirët nga Polonia për pavarësinë institucionale dhe raportet formale me Parlamentin dhe Qeverinë, si partnerët kryesorë të Zyrës Kombëtare të Auditimit si dhe bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet e zbatimit të ligjit, me shoqërinë civile dhe mediat me qëllim të rritjes së llogaridhënies në administratën publike të Kosovës.

Z. Osmani ka shprehur interesimin e tij për forcimin e bashkëpunimit bilateral dhe shkëmbimin e përvojave me institucionin e auditimit të Polonisë dhe theksoi përkushtimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për zbatimin e suksesshëm të projektit të binjakëzimit që ka për fokus zhvillimin e kapaciteteve profesionale në ZKA për auditimin e Ndërmarrjeve publike, e që do të realizohet me Zyrën Supreme të Auditimit të Polonisë, me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian.

Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit të Polonisë, z. Kwiatkowski, shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e tij të parë në Kosovë dhe i uroi suksese z.Osmani si Auditori i Përgjithshëm i parë vendor i Republikës së Kosovës. Ai rikonfirmoi interesimin e tij për të vazhduar dhe thelluar edhe më tej bashkëpunimin me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe shprehu kënaqësinë që ky bashkëpunim po konkretizohet përmes një projekti të binjakëzimit, përmes të cilit të dy institucionet mund të mësojnë shumë nga përvojat reciproke me adutimin e Ndërmarrjeve publike. Z. Kwiatkowski  ofroi mbështetjen e plotë të Zyres Supreme të Auditimit të Polonisë për shkëmbime profesionale edhe në fusha të tjera të auditimit.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për tema të tjera me interes të përbashkët dhe theksuan rëndësinë e zbatimit të standardeve ndërkombëtare të auditimit dhe bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare profesionale të auditimit, në të cilat synohet integrimi edhe i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

Të ngjashme