Kthehu te lista
01 Gusht 2017

Auditori i Përgjithshëm merr pjesë në debatin e organizuar nga Instituti GAP me temën “Ndarjen e subvencioneve nga ministritë dhe komunat”

Foto GAP

Instituti GAP organizoi debat me përfaqësues të institucioneve publike dhe shoqërisë civile lidhur me rregullimin dhe ndarjen e subvencioneve në nivel lokal e qendror, ku u prezantua edhe draft-analiza “Ndarja e subvencioneve nga komunat dhe ministritë – baza ligjore, transparenca dhe llogaridhënia”.

Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm, prezantoi gjetjet dhe rekomandimet kryesore që janë dhënë lidhur me planifikimin dhe menaxhimin e subvencioneve dhe transfereve për vitin fiskal 2016, duke krahasuar edhe trendin e menagjimit të tyre me vitet paraprake, të cilat kryesisht lidhen me mungesën e politikave të shkruara për menaxhimin e subvencioneve, monitorimin jo-efikas të mënyrës së shfrytëzimit të tyre, vonesat në implementimin e procedurave përkatëse, pagesat e dyfishta dhe drejtimi i subvencioneve për shpenzime operative e jo kapitale tek disa institucione siç janë ndërmarrjet publike. Z.Osmani ka nënvizuar tri rekomandimet kryesore dhënë Qeverisë dhe komunave për të ardhmen e që janë fuqizimi i transparencës, qartësimi dhe riformulimi i procedurave për ndarjen e subvencioneve, si dhe krijimi i rregulloreve të veçanta sipas fushave të subvencionuara. Po ashtu, është nënvizuar kontributi i organizatave të shoqërisë civile në animimin e opinionit publik dhe rritjen e përgjegjësisë publike për krerët e institucioneve për zbatimin e rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit sikurse është vlerësuar përpjekja e Qeverisë me rastin e hartimit të Rregullorës për menaxhimin e subvencioneve.

Në këtë ngjarje Instituti GAP ka prezantuar draft analizën Ndarja e subvencioneve nga komunat dhe ministritë – baza ligjore, transparenca dhe llogaridhënia”.

Gjatë prezantimit Nora Jusufi, Hulumtuese në Institutin GAP, theksoi se baza ligjore mbi ndarjen e subvencioneve në nivel lokal dhe qendror nuk është komplete dhe mirë e koordinuar. Në draft analizën e Institutit GAP janë shqyrtuar rregulloret e brendshme të shtatë komunave dhe dy ministrive, ndarja e subvencioneve sipas fushës dhe mënyra e raportimit nga ana e institucioneve dhe përfituesve. Mangësitë kryesore të rregulloreve ishin në përkufizimet e paqarta të subvencioneve, mos obligimi ligjor për shpalljen e thirrjeve për subvencione dhe mos përcaktimi i periudhave të shqyrtimit të aplikimeve për subvencione.

Ndërsa, Salvador Elmazi, nga Ministrinë e Financave, theksoi se defektet e evidentuara në raportin e Institutit GAP janë si pasojë e mungesës së një rregullore nacionale. Ndër tjerash, z. Elmazi përmendi dallimet ekzistuese në rregulloret komunale dhe mos rregullimin dhe përcaktimin e qartë të aktiviteteve që subvencionohen. Ai po ashtu u zotua që në muajt në vijim do të fusë në agjendë si prioritet krijimin e një rregulloreje nacionale gjithëpërfshirëse që do të ndihmojë institucionet në ndarjen e subvencioneve.

Përfaqësues të shoqërisë civile theksuan nevojën për planifikim më të mirë financiar për ndarjen e subvencioneve që bazohet në analiza kredibile nga të dhënat në terren. Po ashtu përfaqësues të institucioneve publike në nivel lokal u pajtuan që rregulloret për subvencione edhe pse të miratuara kanë për nevojë për ndryshim dhe plotësim marrë parasysh volumin e rritur të kërkesave për subvencione.

Të ngjashme