Kthehu te lista
13 Tetor 2017

Auditori i Përgjithshëm merr pjesë në takimet e krerëve të Institucioneve Supreme të Auditimit

Takimi_Luksemburg

Nga 11-13 tetor 2017, në Luksemburg, nën organizimin e Gjykatës Evropiane të Auditorëve, janë mbajtur takimet e drejtuesve të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve anëtare, kandidate dhe kandidate potenciale të Bashkimit Evropian, ku po merr pjesë edhe delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit i kryesuar nga Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani.

Me datën 11 tetor, është mbajtur takimi i krerëve të ISA-ve të Rrjetit të vendeve kandidate dhe kandidate potenciale për në BE, me përfaqësues nga Kosova, Shqipëria, Turqia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia si dhe përfaqësues nga Gjykata Evropiane e Llogarive, SIGMA dhe Grupi Punues i Komitetit të Kontaktit për Auditime të Përbashkëta, përfaqësuar nga Institucioni Suprem i Auditimit të Suedisë dhe Rumanisë.

Në këtë takim krerët e Institucioneve Supreme të Auditimit kanë miratuar raportin e implementimit të aktiviteteve sipas planit 2014-2017 si dhe kanë diskutuar planin e punës për vitet vijuese 2018-2020 e më tutje. Me këtë rast Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, ka ofruar gatishmërinë e tij dhe të Zyrës Kombëtare të Auditimit që Kosova të jetë nikoqire e aktivitetit të parë, që do të zhvillohet në pjesën e parë të vitit 2018. Zyra Kombëtar e Auditimit po ashtu do të jetë pjesë e disa grupeve punuese përgaditore të këtyre aktivitete.

Gjatë dy ditëve në vijim, më 12 e 13 tetor, është mbajtur edhe takimi vjetor i Komitetit të Kontaktit të Institucioneve Supreme të Auditimit të Bashkimit Evropian. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës dhe drejtues të ISA-ve nga vendet jo anëtare të BE-së, në cilësinë e vëzhguesit.

Organizatore e takimeve të këtij viti ka qenë Gjykata Evropiane e Auditorëve, institucion ky që ka shënuar 40 vjetorin e themelimit të saj. Me këtë rast me datë 12 tetor është mbajtur ceremonia zyrtare në praninë e zyrtarëve të lartë të institucioneve evropiane, në mesin e të cilëve edhe Presidenti Parlamentit Evropian, z. Antonio Tajani dhe Presidenti i Komisionit Evropian, z. Jean Claude Juncker. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, ishte i ftuar nderi në ceremoninë zyrtare nga Presidenti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, z. Klaus – Heiner Lehne.

 

Të ngjashme