Kthehu te lista
26 Tetor 2017

Auditori i Përgjithshëm paraqet raportin Vjetor të Auditimit të buxhetit të shtetit në seancë plenare

AP_ParaqetNeParlamentRVA

Auditor i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, sot ka paraqitur para Kuvendit të Republikës së Kosovës, Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2016.

Raporti Vjetor i Auditimit për vitin fiskal 2016, përmban gjetjet dhe rekomandimet kryesore për buxhetin e shtetit për këtë vit. Të dhënat e prezantuara në raport janë të bazuara në raportet e auditimit për 92 organizata buxhetore, 4 ndërmarrje publike, 2 projekte të donatorëve dhe 7 auditime të performancës.

Opinioni i auditimit për Raportin Financiar Vjetor të Buxhetit të Republikës së Kosovës (RFV/BRK) është “Opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes”, dhe paraqet një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2016, në përputhje me SNKSP dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Theksim i çështjes vije për faktin se nuk është bërë shpalosje adekuate e informatave sa i përket shënimeve shpjeguese.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z Besnik Osmani, në fjalën e tij para deputetëve ka theksuar se shkalla e zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit të vitit paraprak, nuk është e kënaqshme. “Në raportet individuale të auditimit kemi dhënë mbi 1,300 rekomandime nga të cilat mbi 900 me prioritet të lartë dhe 400 me prioritet të mesëm. Krahasuar me vitin 2015, në vitin 2016 numri i rekomandimeve të dhëna është rritur për 13%. Në vitin 2015 janë zbatuar më pak rekomandime se sa në vitin paraprak. Vetëm ¼ apo rreth 26% janë zbatuar plotësisht, 36% pjesërisht dhe 38% nuk janë zbatuar fare.” – tha ai.

Gjithashtu ka vënë në pah disa nga gjetjet kryesore të fushave me rëndësi të shpalosura në raport si: menaxhimi i prokurimit publik, menaxhimi i pasurive publike, obligimet e papaguara, llogaritë e arkëtueshme, ekzekutimi i detyrueshëm i pagesave, Ndërmarrjet Publike, si dhe fushat me rëndësi të veçantë nga auditimet e performancës.

Auditori i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Qeveria, që të aprovojë dhe zbatojë planin e veprimit për adresim të rekomandimeve të dhëna në raport.

Në fund të fjalës së tij, z. Osmani, ka ftuar Kuvendin dhe Qeverinë që të përmbushin rolin e tyre në rritjen e llogaridhënies nga organizatat buxhetore dhe përmirësimin e gjendjes në zbatimin e rekomandimeve të auditimit.

 

Të ngjashme