Kthehu te lista
10 Nëntor 2017

Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar

Vizita_Uells

Me ftesë të homologut të tij, Auditorit të Përgjithshëm të Uellsit, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës z.Besnik Osmani, ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Zyrën e Auditimit të Uellsit të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo vizitë u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit bilateral që Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka me Zyrën e Auditimit të Uellsit të Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë qëndrimit në Uells, më 7 e 8 nëntor 2017, z. Osmani ka takuar Auditorin e Përgjithshëm të Uellsit, z. Huw Vaughan Thomas dhe zyrtarë të tjerë dhe auditorë të Zyrës së Auditimit të Uellsit me të cilët ka biseduar për aktivitetet konkrete në kuadër të realizimit të marrëveshjes së bashkëpunimit që ishte nënshkruar në mes të dyja institucioneve supreme të auditimit, në maj të këtij viti në Prishtinë.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që bashkëpunimi në fusha të ndryshme të auditimit të vazhdoj me qëllim të shkëmbimit të informatave, përvojave dhe praktikave të mira në interes të ngritjes së nivelit të cilësisë së auditimit të jashtëm në të dyja vendet.

Gjatë vizitës së tij në Uells, Auditori i Përgjithshëm u takua edhe me zyrtarë të lartë të Qeverisë së Uellsit dhe të qytetit të Kardifit, z.David Richards, drejtor për qeverisje si dhe z.Paul Orders, shef ekzekutiv i Këshillit të qytetit të Kardifit, me të cilët bisedoi për marrëdhëniet ndërinstitucionale me Zyren e Auditimit të Uellsit si dhe zbatimin e rekomandimeve të auditimit.

Në kuadër të kësaj vizite, z. Osmani ka zhvilluar takime pune edhe me drejtuesit e Zyres Kombëtare të Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar, në Londër, si dhe ka takuar deputeten e Parlamentit Britanez, znj. Rt Hon Margaret Hodge dhe përfaqësues të Universitetit të Kembrixhit.

Të ngjashme