Kthehu te lista
29 Tetor 2019

Donatorët rrisin  kërkesat  ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit për auditimin e fondeve të tyre dhënë Institucioneve Publike 

Marreveshja me DEMOS

Për shkak të rritjes së besueshmërisë ndaj punës së Zyrës Kombëtare të Auditimit, janë rritur edhe kërkesat e donatorëve për auditimin e fondeve të tyre dhëne Institucioneve Publike në Kosovë.

Sot, Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Projekti DEMOS- Decentralizimi dhe Përkrahja e komunave, kanë nënshkruar marrëveshje për kryerjen e auditimit të veçantë të projekteve kapitale të financuar përmes Grantit të Performancës.

Me anë të këtij auditimi  do të vlerësohet nëse procesi i prokurimit për projektet kapitale është në pajtim me kërkesat ligjore që nga planifikimi deri te realizimi i kontratës. Po ashtu do të vlerësohet nëse projektet e realizuara nga granti i DEMOS kanë arritur qëllimin e synuar e që nënkupton nëse me anë të këtyre investimeve komunat kanë përmirësuar ofrimin e  shërbimeve publike ndaj qytetarëve.

Në vitin 2018, të drejtën e përfitimit të granteve nga DEMOS e kanë fituar 22 komuna. Duke zhvilluar konkurrencën në mes të Komunave grantet e performancës kanë për qëllim të nxisin ndryshime pozitive në sjelljen e komunave për përmirësimin e qeverisjes demokratike, menaxhimit financiar, burimeve njerëzore si dhe transparencën dhe integritetin.

Auditimi i këtij projekti do të kryhet në përputhje me Standardet Ndërkombëtarë të Institucioneve Supreme të Auditimit si dhe praktikat e mira evropiane.

Auditimet e performancës të kryera nga Zyra Kombëtare e Auditimit janë shqyrtime të pavarura dhe të besueshme që vlerësojmë nëse veprimet qeveritare, sistemet, operacionet, programet, aktivitetet ose organizatat veprojnë në përputhje me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe efektivitetit dhe nëse ka vend për përmirësim.

Ky është auditimi i dytë i performancës, që do të kryhet në vitin 2019 me kërkesë të donatorëve. Poashtu, Zyra Kombëtare e Auditimit në sezonin auditues 2019/2020,  do të auditoj edhe  pasqyrat financiare për 9 projekte të fondeve të donatorëve.

Të ngjashme