Kthehu te lista
14 Shkurt 2018

Filloi cikli i trajnimeve kundër mashtrimit në prokurimin publik

Foto trajnimi kundër mashtrimit në prokurimin publik

Sot ka filluar trajnimi për zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) me temën kundër mashtrimit në prokurimin publik dhe projektet e BE-së, ky trajnim organizohet në kuadër të projektit “Komunat transparente, efektive dhe llogaridhënëse”, i iniciuar dhe financuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ndërsa DAI është partner implementues i këtij projekti.

Në hapjen e këtij aktiviteti, fjalë rasti ka mbajtur z. Valbon Bytyqi, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm, i cili shprehu mirënjohje dhe falënderim për USAID-in dhe partnerët e tyre që në vazhdimësi e kanë përkrahur Zyrën Kombëtare të Auditimit në ngritje të kapaciteteve, me theks të veçantë në kontributin për edukim të vazhdueshëm profesional. Ai shtoi se kjo temë është shumë e rëndësishme ngase ndërlidhet me rritjen e njohurive kundër mashtrimit në prokurimin e publik sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

Ai e vlerësoi lartë bashkëpunimin me USAID dhe tha se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen për të fuqizuar edhe më shumë institucionin e Zyrës Kombëtare të Auditimit i cili kontribuon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ndërsa Zëvendës Drejtoresha e projektit nga DAI, znj. Afërdita Mekuli, e cila poashtu vlerësoi lartë bashkëpunimin me ZKA-në, ajo tha se projekti i tyre i ka tre komponenta, e para lidhet me ngritjen e kapaciteteve të komunave, e dyta me adresimin e sfidave që kanë komunat në nivelin qendror dhe e treta me detektimin e mashtrimit në prokurim publik. Znj. Mekuli më tej shtoi se ZKA është një partner kyç i tyre për përmbushjen e objektivave të projektit të tyre.

Në fund të ceremonisë hapëse, për objektivat e trajnimit foli znj. Iva Todorova nga organizata KPMG që është partnere në zbatim të këtij projekti.

Trajnimi do të mbahet gjatë këtij muaji, në total do të zgjasë nëntë ditë në tre grupe dhe do të marrin pjesë rreth 60 auditorë të ZKA-së.

 

Të ngjashme