Kthehu te lista
26 Nëntor 2019

Fillon zbatimi i projektit për promovimin e rolit të Zyrës Kombëtare të Auditimet

Promovimi i rolit te ZKA 01

Me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë Holandeze, Rrjetit të Gazetarisë Hulumtuese në Ballkan- BIRN Kosova, si dhe në bashkëpunim me ACDC-në nga veriu i Kosovës, filloi zbatimi i projektit  “Promovimi i rolit të Auditorit të Përgjithshëm / ZKA në Kosovë”.

Qëllimi i projektit është të promovojë mbikëqyrjen publike për të nxitur rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Në kuadër të këtij projekti do të mbahen trajnime për Auditorin e Përgjithshëm dhe stafin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Trajnimet do të adresojnë shkeljet dhe joefikasitetet në lidhje me menaxhimin e burimeve publike. Në të njëjtën kohë, ky projekt ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e publikut të gjerë për rolin e tyre në promovimi dhe mbështetjen e praktikave të qeverisjes së mirë.

Në hapjen e këtij projekti, morën pjesë Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, ambasadorja e Holandës në Kosovë znj. Gerrie Willems, drejtoresha e BIRN z. Jeta Xharra, si dhe përfaqësues nga ZKA-ja dhe BIRN-i.

Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani e falënderoi ambasadën holandeze për ndihmën e ofruar, duke thënë se Holanda ka mbështetur ZKA-në në momente vendimtare gjatë periudhave të ndryshme.

“Auditimet e para të ZKA-së janë kryer nën udhëheqjen e auditorëve holandezë, me fjalë të tjera Abetaren e kemi kryer me holandezë. Po ashtu, auditorët holandezë kanë bërë auditimet e para në fushën e performancës në pjesën e teknologjisë informative”, tha ai.

Tutje Osmani vlerësoi se edhe implementimi i këtij projekti ka ardhur në një moment të rëndësishëm.

“ZKA-ja ka nevojë të hapet në raport me publikun, qytetarët duhet ta kuptojnë se çka dimë të bëjmë mirë e çka jo, si dhe cilat janë produktet tona”, shtoi Auditori.

“Po ashtu, kemi nevojë të kuptojmë se puna jonë është e vlefshme dhe po ndikon te qytetarët dhe të institucionet. Me vet faktin se jemi në këtë pikë kur duhet ta forcojmë aktivitetin tonë në raport me publikun kemi edhe realizimin e këtij projekti të rëndësishëm”, është shprehur Osmani, duke shtuar se qëllimi final është që ZKA-ja të ketë zyrtarë që kanë relacione të mira me publikun, si dhe t’i kenë shkathtësitë profesionale dhe teknike për të komunikuar  me mediet dhe publikun.

Auditori i Përgjithshëm, z.Besnik Osmani, rikujtoi se vitin e kaluar është adaptuar Plani Strategjik dhe njëra prej tri komponentëve më të rëndësishëm të tij është komunikimi. “Ky nuk është vetëm vullneti ynë, por është edhe kërkesë e standardeve të auditimit të cilat na kërkojnë që të kemi relacion me publikun”, deklaroi Osmani.

Në anën tjetër, ambasadorja e Holandës, Gerrie Willems, tha se ZKA-ja është institucioni më i lartë në Kosovë në fushën e transparencës dhe llogaridhënies ekonomike. Theksoi se ZKA-ja ka pavarësi të funksionimit dhe se raportet e auditimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë promovojnë llogaridhënien, si dhe ofrojnë një bazë të fortë për të kërkuar menaxhim më të mirë të parasë publike, të cdo institutucioni.

Ndërkaq,  drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra,vlerësoi se ZKA-ja është duke bërë punë të mirë, e cila duhet të përçohet të publiku. Sipas saj, Auditori i Përgjithshëm duhet të bëhet më i afërt me publikun.

Në kuadër të projektit  është mbajtur trajnimi i parë për komunikimin në paraqitje publike dhe në rrjete sociale me temën.“Përmirësimi i bashkëpunimit të ZKA-së me publikun e gjerë përmes rrjeteve sociale”. Trajnimi pati për qëllim të përmirësojë performancën e Auditorit të Përgjithshëm dhe stafit të ZKA-së gjatë sigurimit të informacionit në lidhje me shpenzimet publike për publikun e gjerë përmes rrjeteve sociale.

Të ngjashme