Kthehu te lista
24 Tetor 2018

Fondet e donatorëve auditohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit

AuditimiFondeveDonatoreve

Organizatat ndërkombëtare financiare dhe donatorët rrisin kërkesat që Zyra Kombëtare e Auditimit të auditojë fondet e tyre dhënë institucioneve publike në Kosovë. 

Përkrahja  financiare nga jashtë përmes programeve të veçanta, mbetet një burim i rëndësishëm për realizimin e prioriteteve zhvillimore të Programit të Qeverisë në Kosovë. Zyra Kombëtare e Auditimit, duke marrë parasysh rëndësinë e këtyre fondeve dhe ndikimin që kanë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, si dhe në bazë të kërkesës së donatorëve, në vitin 2017 ka kryer auditimin financiar të shtatë projekteve të tilla.

Auditimet mbulojnë programet e fondeve të dhëna nga Banka Botërore përmes Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim si dhe fondet e dhëna nga Qeveria e Suedisë përmes Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA). Shuma e realizuar nga këto fonde në vitin 2017 kap vlerën  rreth 6,124,789€.

Fondet janë të dedikuara për zhvillim në fushën e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik, ndërsa përgjegjëse për zbatimin  e tyre janë: Zyra e Kryeministrit; Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë; Ministria e Shëndetësisë; Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural; Ministria e Zhvillimit Ekonomik; Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Agjencia Kadastrale.

Zyra Kombëtare e Auditimit në sezonin auditues 2018/2019, do të auditojë pasqyrat financiare vjetore për vitin 2018 për shtatë projekte tjera të fondeve nga donatorët, si dhe një auditim i performancës për një projekt të veçantë.

Auditimet e pasqyrave financiare për qëllime të veçanta kryhen në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (SNISA). Për kryerjen e këtyre auditimeve merret parasysh pajtueshmëria me kërkesat për raportim financiar si dhe cilësia dhe saktësia e informacionit të prezantuar në pasqyra financiare vjetore. Këto auditime  rrisin besimin tek donatorët lidhur me menaxhimin e fondeve të dhëna dhe sigurojnë transparencë për qytetarët në realizimin e projekteve.

Raportet për projekte të veçanta dhe të gjitha raportet e tjera të kryera nga Zyra Kombëtare e Auditimit mund t’i gjeni të publikuara në faqen tonë të internetit: www.zka-rks.org

Të ngjashme