Kthehu te lista
06 Nëntor 2018

Institucioneve Publike u mungojnë strategjitë, politikat dhe procedurat për sistemet e teknologjisë informative

VleresimiSistemeveTI

Mungesa e tyre rrezikon mos arritjen e objektivave të organizatës buxhetore si dhe mund të rrezikoj sigurinë e informacionit zyrtar.

Me qëllim të vlerësimit të sistemeve informative në nivel lokal dhe qendror, Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer një analizë me karakter hulumtues për të vlerësuar nëse organizatat buxhetore kanë përgatitur politikat dhe procedurat e brendshme të Teknologjisë Informative (TI-së), kanë kapacitete të mjaftueshme njerëzore si dhe nëse sistemet informative janë të sigurta.

Kjo analizë tregon se organizatat buxhetore si të nivelit qendror, ashtu edhe ato të nivelit lokal kanë mangësi të theksuar në qeverisjen e  teknologjisë informative. Rreth 70% e organizatave buxhetore kanë mungesë  të strategjisë, politikave dhe procedurave për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë informative, strukturë jo të përshtatshme organizative të departamentit të Teknologjisë Informative, ndërsa është vlerësuar se vetëm 27% e tyre shfrytëzojnë sistemet informative qendrore.

Mangësi të shumta janë vërejtur edhe në sigurinë e aplikacioneve dhe të dhënave që ato përmbajnë. Këto sisteme kanë kontrolle të dobëta, mungojnë  kapacitetet profesionale, si dhe ka mungesë të trajnimeve.

Mos përdorimi dhe menaxhimi jo i duhur i shërbimeve të TI-së njëkohësisht sjellë rreziqe dhe cenueshmëri për të dhënat që përpunohen. Menaxhmenti e organizatave buxhetore duhet të ofroj përkrahje për t’u siguruar që Sistemet e Teknologjisë Informative dhe Komunikuese janë të besueshme, të sigurta dhe të paprekshme ndaj sulmeve kompjuterike dhe të sigurohen që sistemet e TI-së ruajnë konfidencialitetin, integritetin dhe disponueshmërinë e të dhënave.

Për më shumë kjo analizë mund t’i shërbejë Qeverisë përkatësisht Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Financave dhe palëve tjera të interesit si informacion i pavarur lidhur me gjendjen ekzistuese të sistemeve të TI-së në vend.

Raportin e plotë mund ta lexoni në www.zka-rks.org

Të ngjashme