Kthehu te lista
05 Prill 2018

Kërkohet përkushtim i shtuar institucional për zbatimin e rekomandimeve të auditimit

1

Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani ka pritur në vizitë zyrtare anëtarët Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike (KMFP) të Kuvendit të Kosovës, të udhëhequr nga z. Driton Selmanaj, Kryetar i Komisionit. Qëllimi i vizitës ishte thellimi i bashkëpunimit dhe koordinimi ndërinstitucional për shqyrtimin e raporteve të auditimit për vitin financiar 2017 dhe rritjen e ndikimit të Kuvendit si organ mbikëqyrës ndaj organizatave buxhetore për zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit.

Auditori i Përgjithshëm ka njoftuar anëtarët e Komisionit me progresin në zbatimin e planin të punës dhe sfidat në procesin e auditimit. Me këtë rast z. Osmani ka shprehur shqetësimin e tij se pavarësisht se raportet e auditimit ofrojnë informacion të bollshëm dhe të besueshëm për ekzekutivin dhe organet vendimmarrëse, niveli i zbatimit të rekomandimeve dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet kompetente është i ulët. Lidhur me këtë, z. Osmani theksoi se kontributi i Kuvendit të Kosovës për ngritjen e llogaridhënies së zyrtarëve publik është i pazëvendësueshëm. Ai më pas shtroi nevojën e krijimit të mekanizmave efektiv ligjor për zbatimin e rekomandimeve të auditimit nga institucionet e vendit, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të qeverisjes në administratën publike. Z. Osmani, po ashtu  ka njoftuar deputetët që ZKA është në finalizim të planit strategjik përmes të cilit synon që të rrisë fokusin në auditimet e performancës për të qenë në hap me  trendet e zhvillimit si dhe për të përmbushur nevojën e shtuar për auditime të performancës.

Z. Selmanaj tha se Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike vlerëson lartë punën e ZKA-së dhe se janë mirënjohës që ka trajtuar kërkesat e KMFP për auditimin e performancës së Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH) dhe të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Ai tha se, KMFP e ka vlerësuar si shumë profesional raportin e ZKA-së për SISH-in, i cili ka pasqyruar një gjendje shqetësuese me këtë sistem dhe pret që edhe raporti për RTK-në të përfundoj sa më shpejtë. Kryetari Selmanaj është interesuar edhe për statusin e dy kërkesave të fundit te KMFP për auditimin e procesit të privatizimit dhe zbatimit të kontratës për distribucionin dhe furnizim me energji si dhe për auditimin e subvencioneve në fushën e bujqësisë.

Auditori i Përgjithshëm është zotuar që do të trajtoj me seriozitet kërkesat që vijnë nga KMFP për auditime shtesë dhe do t’i adresoj ato me kohë, varësisht nga kapacitetet njerëzore dhe profesionale që ka ZKA. Në lidhje me këtë, z.Osmani theksoi se është e rëndësishme që të iniciohen ndryshime në Ligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit në mënyrë që të krijohet mundësia për më shumë auditime të performancës dhe auditime të bazuara në rrezik. Anëtarët e KMFP shprehën gatishmërinë që të iniciojnë plotësim-ndryshimin e ligjit.

Të ngjashme