Kthehu te lista
23 Nëntor 2018

Kërkohet përkushtim më i madh nga udhëheqja komunale e Prizrenit për zbatimin e rekomandimeve të auditimit

Debati ne Prizren

Sot në Kuvendin Komunal në Prizren është mbajtur debati rreth nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit të jashtëm nga komuna e Prizrenit, i organizuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN). Të pranishëm në këtë debat ishin kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, zv/Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z.Ilir Salihu, këshilltarët komunal të Prizrenit dhe qytetarë e përfaqësues të shoqërisë civile nga komuna e Prizrenit.

Qëllimi i debatit ishte diskutimi i gjetjeve të prezantuara në raportin e auditimit për këtë komunë, si dhe vlerësimi se sa është duke i zbatuar Komuna e Prizrenit rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, tha se gjetjet e auditimit i kanë ndihmuar kësaj komune sidomos në menaxhimin dhe planifikimin e buxhetit. Ai shtoi se komuna e Prizrenit ka rritur angazhimin dhe ka ndërmarrë masa konkrete për zbatimin e të gjitha rekomandimeve të auditimit.

Zv/Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z.Ilir Salihu ka theksuar rëndësinë e zbatimit të rekomandimeve të auditimit për përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimin më të mirë të parasë publike. Ai ka shtuar që është me interes të posaçëm për komunën e Prizrenit që të shmangen keqklasifikimet në pasqyrat financiare, të punohet në verifikimin, vlerësimin dhe regjistrimin e pasurisë komunale dhe të adresohet çështja e inkasimit të borgjeve ndaj komunës si dhe pagesës së obligimeve të papaguara të cilat kanë shënuar rritje gjatë vitit 2017.

Debatit të sotëm i ka paraprirë analiza e raporteve të auditimit të jashtëm për katër vitet e fundit për Komunën e Prizrenit, të cilën e ka prezantuar z. Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”.

Debati rreth zbatimit të rekomandimeve të auditimit do të vazhdoj javën që vjen në Komunën e Gjilanit.

Të ngjashme