Kthehu te lista
29 Maj 2019

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike shqyrton Raportin e Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018

Shqyrtimi i RVP 2018 ne Kuvend

Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, sot ka prezantuar para Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Raportin Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2018 së bashku me PVF- të e audituara.

Në fjalën e tij para këtij komisioni, Auditori i Përgjithshëm z Besnik Osmani, ka prezantuar rezultatet e punës për vitin 2018 dhe ka raportuar lidhur me përdorimin e buxhetit të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Më këtë rast ka nënvizuar tri sukseset kryesore që kanë të bëjnë me miratimin e Planit Strategjik 2018 – 2021, rritjen e portofolios së të gjitha llojeve të auditimeve dhe ngritjen e kapaciteteve humane e administrative të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Numri i auditimeve të rregullsisë është rritur për 20% në krahasim me sezonin 2015/16 dhe janë trefishuar auditimet e performancës. Po ashtu, auditimi i ndërmarrjeve publike ka filluar në sezonin auditues 2016/17 me 4 auditime dhe ky  numër është trefishuar në sezonin auditues 2018/19.

Duke folur për sfidat, Auditori i Përgjithshëm, ka vendosur theksin në miratimin e paketës ligjore në fushën e administratës publike përmes së cilave është vendosur në rrezik pavarësia institucionale, administrative e financiare e ZKA-së dhe në nevojën e profilizimit të auditorëve sipas fushave të auditimit në sektorin e performancës.

Në vazhdim të fjalës së tij, ka prezantuar Pasqyrat Vjetore Financiare dhe Raportin e Auditimit, duke prezantuar aspektet kryesore të menaxhimit që kanë të bëjnë me buxhetin e realizuar në shkallën 98%, nga të cilat 74% i përkasin kategorisë paga dhe mëditje, 23% mallrave e shërbimeve, 2% investime kapitale dhe 1% shpenzime komunale.

Z. Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike (KMFP), ka vlerësuar lartë punën e ZKA-së, dhe ka falënderuar Auditorin e Përgjithshëm për gatishmërinë dhe përkushtimin për t’iu përgjigjur gjithmonë këtij komisioni.

Po ashtu, anëtarët e komisionit kanë përgëzuar Auditorin e Përgjithshëm për punën dhe raportet profesionale të ZKA-së.  Në këtë takim janë diskutuar edhe çështje tjera me interes si mundësia e rritjes së numrit të auditimeve të performancës dhe ndërmarrjeve publike, rritja e adresimit të rekomandimeve si dhe shqyrtimi i kërkesave për auditime të veçanta që vijnë nga Kuvendi.

Të gjithë deputet pjesëmarrës në diskutim kanë nënvizuar rëndësinë e pavarësisë institucionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe trajtimin me dinjitet të personelit profesional të angazhuar, përmes financimit të edukimit profesional dhe lartësisë së kompensimit.

Të ngjashme