Kthehu te lista
24 Maj 2017

Komunikatë për Media: Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit merr pjesë në Kongresin e 10-të të EUROSAI

KongresiEUROSAI_131835.jpg

Në Stamboll të Turqisë, po mbahet Kongresi i 10-të i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI), ku po merr pjesë edhe delegaconi i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës i kryesuar nga Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani.

Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në punimet e Kongresit të EUROSAI. Deri më tani Zyra Kombëtare e Auditimit ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuara nën ombrellën e EUROSAI-t, kryesisht në kuadër të grupeve punuese për auditimin e mjedisit.

Tema kryesore e Kongresit të 10-të është “Implementimi i Standardeve Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit – sfidat dhe zgjidhjet për përmirësimet e mëtutjeshme”. Përveç temës kryesore të Kongresit janë mbajtur seminare në sesione të ndara të Auditorëve të Përgjithshëm, ku është diskutuar për rolin e Institucioneve Supreme të Auditimit në arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm dhe si të adresohen më mirë çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë kibernetike, fondet e alokuara për migrimin dhe problemet humanitare. Në Kongres po marrin pjesë mbi 160 delegatë dhe shumë vëzhgues nga institucione ndërkombëtare në fushën e financave dhe të auditimit. Punimet e Kongresit po zhvillohen në disa nivele organizative përfshirë takimet e Bordit Drejtues, Sesionet Plenare dhe Sesionet e Grupeve Punuese.

Gjatë pjesëmarrjes në Kongres, delegacioni nga Kosova, ka realizuar takime bilaterale me përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit të vendeve si Turqia, Polonia, Holanda, Suedia, Izraeli, Portugalia, Sllovenia, Latvia, Mali i Zi, si dhe përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) dhe partnerë tjerë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.

Kongresi është organi më i lartë i EUROSAI-t, i cili përveç që merr vendime të rëndësishme për veprimtarinë trevjeçare të tij, ofron një ambient ku Institucionet Supreme të Auditimit kanë mundësinë për të diskutuar dhe shpalosur idetë e reja në përpjekjet e tyre për të forcuar ndikimin dhe rritur kualitetin e punës audituese. Gjykata Turke e Llogarive, nikoqire e Kongresit të 10-të të EUROSAI, ka marrë kryesimin e EUROSAI-t dhe do udhëheqë me këtë institucion për periudhën 2017-2020. Kongresi ka zgjedhur edhe anëtarët e rinj në Bordin Drejtues të EUROSAI-t.

Të ngjashme