Kthehu te lista
13 Korrik 2017

Konferenca e 9-të Vjetore e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Konferenca2017_01

Sot, 13 korrik 2017, Zyra Kombëtare e Auditimit është duke mbajtur Konferencën e 9-të Vjetore, ku temë diskutimi është “Fuqizimi i llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të institucioneve të sektorit publik, përmes zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm”

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani ka hapur punimet e Konferencës, ku ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Leskaj, Zv. Ministri Agim Krasniqi, Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së, Rozafa Ukimeraj, Përfaqësues nga USAID dhe organizatat tjera ndërkombëtare në Kosovë, institucionet akademike, shoqërisë civile dhe mediave

Z. Osmani ka vënë në pah se kjo konferencë është një mekanizëm i rëndësishëm për të vlerësuar sezonin e sapo përfunduar të auditimit, duke theksuar në mënyrë të veçantë aktivitetet kryesore që Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer gjatë sezonës së auditimit 2016/ 2017.
“Si për koincidencë sot e një vit më parë, në Konferencën tonë të 8-të Vjetore, në po këtë ambient kam shpalosur planin vjetor të punës për vitin auditues 2016/2017. Ishte vërtet një plan ambicioz për mua si menaxher i ri, i një institucioni kaq të rëndësishëm. Sot jam krenar të konfirmojë me bindje të plotë, se falë përkushtimit dhe angazhimit të stafit, kemi realizuar plotësisht çdo detyrë që i kemi caktuar vetes.
Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë vit ka kryer mbi 90 auditime të rregullsisë përfshirë këtu edhe auditimin për herë të parë 4 Ndërmarrjeve Publike, të gjitha të finalizuara sipas afatit ligjor; 13 auditime të performancës dhe 6 auditime të prokurimit dhe menaxhimit të projekteve, gjithsej 113 auditime.” – tha Auditori i Përgjithshëm në fjalën e tij.
Z. Osmani ka theksuar se puna dhe raportet e auditimit i ofrojnë Kuvendit dhe entiteteve të audituara mbështetje praktike në mbylljen e zingjirit llogaridhënës në mes të Qeverisë dhe Kuvendit si dhe krijojnë një bazë të mirë për menaxhim të shëndoshë financiar.
Ai më tej ka ftuar mediat dhe shoqërinë civile që të marrin për bazë raportet e auditimit në punën e tyre dhe të prezantojnë ato në mënyrë korrekte.
Zv. Ministri i Financave z. Agim Krasniqi, në fjalën e tij, ka vlerësuar punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit si një institucion i rëndësishëm i Kosovës, që po ndihmon institucionet qendrore dhe ato komunale në përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e llogaridhënies. Ai ka theksuar se Ministria e Financave është e përkushtuar që t’i marr seriozisht rekomandimet e Auditorit dhe t’i implementojë ato në plotni.
Punimet e Konferencës do të vazhdojnë me seancën tematike “Rritja e efikasitetit të pushtetit lokal përmes zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm” ku për referencë diskutimi do të jenë gjetjet dhe rekomandimet e dhëna në raportet e auditimit financiar të komunave si dhe raporti i auditimit te performancës “Sistemi i Menaxhimit të Performancës në Komuna”.

Ndërsa pasdite do të zhvillohet seanca e punës në grupe për punonjësit e Zyrës Kombëtare të Auditimit rreth orientimeve strategjike të zyrës, identifikimin e sfidave gjatë procesit të auditimit, nxjerrjen rekomandimeve për përmirësime të nevojshme, si dhe përcaktimi i objektivave për sezonin e ardhshëm.

Të ngjashme