Kthehu te lista
13 Nëntor 2017

Mbahet takimi i EUROSAI për “Cilësinë e Ajrit” në Gjykatën Evropian të Auditorëve në Luksemburg

EUROSAI_CilesiaAjrit_13Nentor

Me datë 8 dhe 9 Nëntor 2017, në Luxemburg, Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës e përfaqësuar nga auditorët e performancës Drilon Shala dhe Labinot Sadiku mori pjesë në takimin e auditimit të përbashkët evropian “Cilësia e Ajrit” i iniciuar nga EUROSAI dhe i udhëhequr nga Institucioni Suprem i Auditimit (SAI) i Holandës dhe Polonisë. Takimi është  mbajtur në premisat e Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe pjesëmarrës ishin SAI i Polonisë, Holandës, Shqipërisë, Kosovës, Bullgarisë, Estonisë, Hungarisë, Izraelit, Maqedonisë, Moldavisë, Rumanisë, Sllovakisë, Spanjës dhe Zvicrës. Shtet pjesëmarrës në rolin e vëzhguesit ishte edhe SAI i Çekisë.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte vlerësimi i masave të ndërmarra nga shtetet pjesëmarrëse për të adresuar problemin e ndotjes së ajrit. Me fokus janë diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me kornizën legjislative, institucionale si dhe monitorimin, zbatimin dhe raportimin e gjendjes së cilësisë së ajrit. Po ashtu, janë diskutuar çështje, si: Analiza kosto – përfitim e politikave mjedisore dhe veçanërisht të cilësisë së ajrit, përzgjedhja e lokacioneve në të cilat janë vendosur stacionet e monitorimit të cilësisë së ajrit, si dhe afatet dhe struktura që çdo SAI do të ndjek për të përgatitur raportin e auditimit të cilat më pastaj do të integrohen në raportin e përbashkët të këtij auditimi.

Raportet individuale të auditimit ashtu si edhe “Raporti i Përbashkët” do të theksojnë rëndësinë e problemit të ndotjes së ajrit dhe do i sigurojnë vendimmarrësve një burim të përdorshëm se si ta bëjnë më efektiv sistemin për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Rekomandimet nga auditimi i përbashkët i “Cilësisë së ajrit” do t’i adresohen edhe disa institucioneve të rëndësishme si Komisionit Evropian, Agjencisë Evropiane të Mjedisit etj.

Duke e ditur rëndësinë që cilësia e ajrit ka për shëndetin publik, Zyra Kombëtare e Auditimit mbetet e përkushtuar që të përkrah auditimet e kësaj fushe me qëllim që të rris llogaridhënien dhe transparencën lidhur me programet qeveritare në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe mjedisit në Kosovë.

Të ngjashme