Kthehu te lista
01 Nëntor 2019

Mirëmbajtja e objekteve shkollore kërkon përmirësim urgjent

Mirembajtja e objekteve shkollore

Raporti i auditimit të performancës “Menaxhimi i mirëmbajtjes në Institucionet Publike Arsimore”  ka gjetur se në përgjithësi gjendja e shkollave nuk është e mirë. Nuk ka mirëmbajtje të vazhdueshme për të mundësuar zhvillimin e mësimit në një ambient të shëndetshëm dhe me kushte themelore mësimore. Nga 18 objektet shkollore që janë vlerësuar, vetëm shtatë (7) prej tyre janë në nivel të pranueshëm për zhvillimin e aktiviteteve mësimore. Përderisa, në objektet tjera shkollore mangësi të theksuara kishte në furnizimin me materiale dhe pajisje higjienike, gëlqerosjen vjetore të mureve dhe dezinfektimin e tyre, gjendjen e inventarit shkollor, nyjeve sanitare, ajrosjen e objektit dhe ventilimin e tualeteve.

Raporti thekson se institucionet qendrore dhe lokale nuk kanë arritur që të koordinojnë, mbikëqyrin dhe delegojnë detyrat rreth inspektimeve që duhet kryer në nivele të ndryshme dhe nuk kanë hartuar infrastrukturë të plotë ligjore. Gjithashtu, nuk janë realizuar aktivitetet e duhura brenda institucioneve shkollore për sigurimin e kushteve dhe shërbimeve të mirëmbajtjes. Menaxhimi i mirëmbajtjes ka qenë sfidues për shumicën e shkollave në aspektin e planifikimit të  aktiviteteve dhe ndërmarrjes së  masave për të siguruar shërbime më të mira të mirëmbajtjes.

Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, lidhur me raportin është shprehur se “Sistemi aktual për menaxhimin e mirëmbajtjes nga Institucionet Publike Arsimore nuk ka arritur të sigurojë mirëmbajtje në nivelin e duhur të objekteve arsimore. Për pasojë, ato nuk ofrojnë kushtet e duhura për zhvillimin e procesit mësimor”

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandime konkrete për kryesuesit e Institucioneve Publike Arsimore të nivelit qendror dhe lokal, të cilat kanë synim përmirësimin e kushteve elementare dhe mirëmbajtjes në objektet shkollore, me qëllim që nxënësve t’ju sigurojnë ambient të shëndetshëm për zhvillimin e procesit mësimor.

Raportin e plotë mund ta lexoni në  vegzë.

Të ngjashme