Kthehu te lista
19 Dhjetor 2019

Mungesa e organizimit dhe koordinimit mes autoriteteve përgjegjëse e bënë të pasigurt trafikun rrugor

Raporti Siguria ne rruge

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) e bëri publik raportin e auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor”. Raporti konkludon se mungesa e zbatimit, organizimit dhe koordinimit të aktiviteteve nga autoritetet përgjegjëse e bënë të pasigurt trafikun rrugor për pjesëmarrësit në trafik.

Në këtë raport theksohet se organet përgjegjëse, Policia e Kosovës, e cila duhet të garantojë zbatimin e rregullave nga pjesëmarrësit në trafik dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit së  bashku me komunat, të cilat duhet të sigurojnë rrugë dhe infrastrukturë të sigurt për pjesëmarrësit në trafik, nuk janë efektive dhe nuk po bëjnë sa duhet për të rritur sigurinë në trafik.

Të gjeturat e auditimit nxjerrin në pah se mbulimi i rrugëve me kontroll policore në trafikun rrugor në rajonin e Prishtinës është i mangët; kontrollet policore nuk orientohen sipas nevojave apo rreziqeve, si dhe kontrollet nuk inspektohen/mbikëqyren rregullisht nga Divizioni i Komunikacionit Rrugor dhe nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor–Prishtinë.

Për më tepër, Sistemi Informativ i Policisë së Kosovës karakterizohet me të dhëna jo të plota dhe të pasakta rreth analizimit dhe identifikimit të shkaktarëve e të faktorëve të aksidenteve në trafikun rrugor.

Gjithashtu, sipas gjetjeve të auditimit, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT) nuk ka arritur të implementojë kriteret e rëndësishme të sigurisë rrugore, si dhe nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për identifikimin dhe menaxhimin e vendeve të rrezikshme në rrugë (pikat e zeza).

Pos kësaj, MIT-ja nuk ka krijuar bazë të të dhënave që do të mundësonin identifikimin e vendeve të rrezikshme dhe evidentimin/identifikimin e saktë të shkaktarëve dhe faktorëve të aksidenteve.  Për më shumë, monitorimi ndaj qendrave për kontrolle teknike të automjeteve nga MIT-ja dhe subjekti i autorizuar për mbikëqyrje ishte i mangët.

Lidhur me të gjeturat e raportit, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, deklaroi se mangësitë e identifikuara në auditim paraqesin shqetësim për nivelin e zbatimit të masave të duhura për përmirësimin e sigurisë në trafik.

“Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, Policia e Kosovës dhe niveli lokal kanë rol kyç në ofrimin e sigurisë në trafikun rrugor për pjesëmarrësit në trafik. Megjithatë, mangësitë e identifikuara në auditim paraqesin shqetësim  për nivelin e zbatimit të masave të duhura për përmirësimin e sigurisë në trafikun rrugor”, theksoi Osmani.

Me qëllim të adresimit urgjent të sigurisë në trafikun rrugor në vend, Zyra Kombëtare e Auditimit i rekomandon Qeverisë së Kosovës  dhe autoriteteve përgjegjëse që të ndërmarrin hapa konkret për të ofruar siguri në trafikun rrugor.

Raporti i auditimit të performancës “Siguria në trafikun rrugor” përfshin periudhën 2016, 2017 dhe 2018. Auditimi kishte për qëllim vlerësimin nëse institucionet publike kanë ndërmarrë veprimet e duhura për të ofruar dhe promovuar siguri në trafikun rrugor në vend.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz.

Të ngjashme