Kthehu te lista
26 Shkurt 2019

Ngritja e kapaciteteve profesionale të auditorëve të perfomancës, objektivë strategjike e Zyrës Kombëtare të Auditimit

Ngritja e kapaciteteve profesionale te auditoreve te perfomances

Siç ka të paraparë edhe me Planin Strategjik 2018 – 2021, Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës është duke zhvilluar një program trajnimi profesional për auditorët e performancës. Në realizimin e këtij programi Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë do të mbështesë ZKA-në në ofrimin e ekspertizës, njohurive dhe përvojës së tyre.

Viteve të fundit, Zyra Kombëtare e Auditimit, i ka dhënë fokus të veçantë auditimeve të performancës si dhe zhvillimit dhe rritjes së kapaciteteve të auditorëve në këtë fushë. Auditimet e performancës vlerësohen si ekzaminim i pavarur dhe profesional i programeve, funksionit dhe operacioneve të një organizate buxhetore dhe kanë një ndikim të drejtpërdrejte në rritjen e përgjegjësisë dhe një menaxhimi më ekonomik, efikas dhe efektiv nga ana e institucioneve.

Vendet e zhvilluara përherë e më shumë e kanë orientuar fokusin e tyre në auditimet e performancës për të rritur vlerën për paranë dhe menaxhimin e shëndoshë të parasë publike. Një trend i tillë po përcillet edhe nga ZKA e cila në tri vitet e fundit nga 5 raporte të auditimit të performancës të publikuara në vitin 2016, këtë numër e ka rritur në 13 në vitin 2018.

Bazuar në Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISSAI 300, 3000 dhe 3100), ZKA po synon të forcoj edhe më tutje kapacitetet profesionale për auditorët e performancës, me qëllim që ata të kenë kompetencën e nevojshme profesionale për të kryer këtë lloj auditimi. Këtu përfshihen njohuritë lidhur me metodat kërkimore, metodat shkencore e sociale si dhe teknikat hulumtuese dhe vlerësuese, aftësitë personale analitike në shkrim dhe komunikim.

Në këtë vit ka filluar të zbatohet programi i trajnimit profesional për të gjithë auditorët e perfomancës të punësuar në Zyrën Kombëtare të Auditimit, i cili përbëhet nga dy module. Në kuadër të modulit bazik janë parashikuar mësimet “e-learning”, si dhe njohuri për  standardet dhe manualet e auditimit të performancës.

Ndërsa, në modulin e avancuar, do të përfshihen metodat dhe teknikat e parastudimit dhe studimit kryesor sipas parimit të 3E-ve, si dhe seminare për të zhvilluar detyra praktika dhe punë në grupe. Gjithashtu, ku do të përfshihen punë praktike në të gjitha fazat e auditimit konkret – nga parastudimi, ekzekutimi  deri në raportim,

Programi i trajnimeve profesionale për auditimet e performances është hartuar në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe pritet të përfundojë në fund të vitit 2019.

 

Të ngjashme