Kthehu te lista
22 Tetor 2019

Niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve në Komuna është shqetësues, sjell efekte negative për qytetarët dhe rrezikon përdorimin e fondeve në mënyrë efektive

Debati_Birn_Ferizaj

Sot, në ambientet e Kuvendit Komunal në Ferizaj, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), ka organizuar debat të hapur mbi gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit për Komunën e Ferizajt. Të pranishëm në këtë debat ishin Auditori i Përgjithshëm Z. Besnik Osmani, nënkryetari i  Komunës së Ferizajit z. Naim Ferati, këshilltarët komunal të Ferizajt, përfaqësues të shoqërisë civile  dhe qytetarë nga komuna e Ferizajit.

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës z. Besnik Osmani, në këtë debat ka theksuar rëndësinë  dhe ndikimin e raporteve të auditimit në përmirësimin e menaxhimit të financave publike si dhe përmirësimin e kualitetit të shërbimeve për qytetarët. Niveli i zbatimit të rekomandimeve në nivel vendi është rreth 40%, ku nivelin më të ulët e kanë komunat, të cilat nuk e kalojnë pragun prej 27%të rekomandimeve të zbatuara, e që është një nivel mjaftë i ulët, tha Osmani.

Tutje z. Osmani tha se raporti i auditimit i vitit të kaluar për Komunën e Ferizajit ka një opinion të kualifikuar. Opinioni i kualifikuar dëmton menaxhmentin e organizatës dhe dëmton qytetarët e Ferizajit. “Kjo situatë sjellë efekte sepse një Institucion Publik në Kosovë i cili merr dy vite rresht opinion të kualifikuar përjashtohet nga mundësia e marrjes së borxhit publik, përjashtohet nga mundësia e marrjes së donacioneve dhe ndikon negativisht në marrjen e fondeve të BE-së,  sepse matësi kryesor janë raportet e auditimit” shtoi ai.

Ndërkaq, nënkryetari i komunës së Ferizajit, z.Naim Ferati ka theksuar se auditorin e trajtojnë si partner serioz që të arrihet zbatimi dhe ligjshmëria e procedurave komunale, megjithëse ka pranuar se ka ngecje në zbatim të rekomandimeve. “Ka shumë shqetësime që janë të përbashkëta sa i përket raportit dhe rekomandimeve të dhëna. Pas këtij takimi, do të trajtojë edhe analizat e BIRN-it dhe të Auditorit të Përgjithshëm që të shihet gjendja se ku jemi”, ka shtuar ai.

Debatit të sotëm i ka paraprirë analiza e raporteve të auditimit për pesë vitet e fundit për Komunën e Ferizajit, e cila u prezantua nga Visar Prebreza, redaktor përgjegjës i Gazetës Jeta në Kosovë. z. Prebreza tha se numri i madh i rekomandimeve që komuna ka marr nga Auditori i Përgjithshëm tregon se për disa çështje ka pasur shkelje, lëshime apo dobësi.  Në dy vitet e fundit komuna ka marr opinion të kualifikuar, pasi ka çalime në këtë pjesë”, tha ai. Ndërsa sa i përket zbatimit të rekomandimeve, në vitin 2016, kanë qenë 29 rekomandime, në 2017 janë adresuar vetëm 5 nga 29 të tilla. Ka nevojë që rekomandimet e auditorit të merren shumë më seriozisht nga komuna e Ferizajt, duke filluar nga kryetari.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në baza vjetore kryen auditimin e detyrueshëm të rregullsisë për Buxhetin e Qeverisë së Kosovës; të gjitha organizatat buxhetore të cilat pranojnë buxhet përmes ligjit vjetor të buxhetit; dhe Ndërmarrjet Publike. Raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’u kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore.

Rëndësia e raporteve të auditimit qëndron në identifikimin e dobësive në sistemet e qeverisjes, veçanërisht të sistemeve financiare, ndërsa zbatimi i rekomandimeve të auditimit shërben si një mekanizëm për sanimin e këtyre dobësive dhe bërjen e sistemeve më efikase dhe efektive në arritjen e objektivave. Analizat në këtë fushë kanë rezultuar se niveli aktual i zbatimit të rekomandimeve të auditimit në nivel vendi nuk është i kënaqshëm.

Të ngjashme