Kthehu te lista
18 Shkurt 2020

Përurohet Salla e Bibliotekës së KLSH-së me emrin ‘Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës’

Perurimi i salles se KLSH me emrin ZKA 01

Në shenjë respekti për bashkëpunimin e pandërprerë e të frytshëm përgjatë viteve 2012-2019, në mes të Kontrollit të Lartë Shtetëror të Shqipërisë (KLSH) dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës (ZKA), si dhe në kuadër të pranimit të saj si anëtare me të drejta të plota në INTOSAI, më 17 shkurt në KLSH u përurua  Salla e Bibliotekës dhe leximit në katin e parë të ndërtesës së KLSH-së, në krah të Muzeut të Historikut të KLSH-së, me emrin “Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës”.

Në këtë sallë janë vendosur Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, faksimile, dokumente pune, botime të KLSH-së dhe të ZKA-së, fotografi të presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, presidentit Hashim Thaçi, foto e dekorimit të ish-Auditorit të Përgjithshëm Lars Lage Olofsson nga ish-presidenti Bujar Nishani, foto të drejtuesve të ZKA-së, të aktiviteteve të përbashkëta mes KLSH-së dhe ZKA-së, etj.

Në këtë ceremoni nga ZKA-ja morën pjesë Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Qerkin Morina dhe Naser Arllati, si dhe drejtues dhe auditues të KLSH-së.

Në hapjen e kësaj ceremonie, Kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, nënvizoi bashkëpunimin e veçantë me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, duke theksuar se marrëveshjen e parë të bashkëpunimit në cilësinë e kryetarit të KLSH-së e ka nënshkruar me ish-Auditorin e Përgjithshëm të kësaj zyre, Lars Lage Olofsson.

Ai tregoi se që nga viti 2012 e deri tani dy institucionet Supreme të Auditimit të Kosovës dhe Shqipërisë kanë realizuar shumë aktivitete të përbashkëta, si auditime paralele, trajnime, workshope, vizita pune, etj.

Tutje Leskaj theksoi se me dhjetëra auditues të KLSH-së kanë marrë pjesë në analizat vjetore të ZKA-së, ashtu sikurse shumë auditues të ZKA-së kanë marrë pjesë në analizat vjetore dhe në Konferencat Shkencore vjetore të KLSH-së.

Leskaj tha se pas pranimit të ZKA-së si anëtare me të drejta të plota në INTOSAI, bashkëpunimi i fortë dhe frytdhënës në mes institucioneve tona, i ndërtuar ndër vite do të vijojë në të njëjtën linjë, duke rritur dhe forcuar bashkëpunimin tonë, veçanërisht në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta trajnuese dhe të qenit aktiv në aktivitetet e organizuara nga INTOSAI.

Ndërsa Ndihmës Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Qerkin Morina, në emër të  Auditorit të Përgjithshëm, Besnik Osmani, falënderoi kryetarin Leskaj për respektin dhe vlerësimin e treguar për Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës.

Ai tha se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve do të vazhdojë të forcohet, veçanërisht në fushën e auditimit dhe të realizimit të botimeve të përbashkëta, sepse fatmirësisht kanë një gjuhë të përbashkët që u ndihmon për të përfituar nga eksperienca e njëri-tjetrit.

Leskaj mbylli këtë ceremoni duke theksuar se ky është vetëm fillimi dhe se salla që mban këtë emër të nderuar do të vazhdojë të pasurohet me dokumente të reja, duke bashkëpunuar ngushtë në këtë drejtim me ZKA-në.

Salla ka marrë emrin e ZKA-së, mbështetur në vendimin e Kryetarit të KLSH-së nr.967, datë 26/11/2019 me motivacionin: “Në respekt të Institucioneve më të larta publike të Republikës së Kosovës dhe veçanërisht të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), me të cilën Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pasur bashkëpunim të pandërprerë e të frytshëm përgjatë viteve 2012-2019, në drejtim të rritjes së kapaciteteve audituese përmes trajnimeve dhe botimeve të përbashkëta, auditimeve paralele dhe të përbashkëta dhe pjesëmarrjes aktive në konferencat vjetore të të dyja institucioneve, si dhe në respekt dhe mirënjohje të thellë ndaj drejtuesve dhe audituesve të ZKA-së në 15 vitet e krijimit të saj”. (Marrë nga web faqja e Kontrollit të Lartë Shtetëror të Shqipërisë  (KLSH)).

Të ngjashme