Kthehu te lista
14 Dhjetor 2018

Politikat Qeveritare të punësimit nuk ndikojnë sa duhet në krijimin e vendeve të reja të punës, e aq më pak në punësim të qëndrueshëm

Politikat e punesimit

Edhe pse qëllimi kryesor i politikave qeveritare të punësimit është promovimi i punës dhe krijimi i vendeve të reja të punës, mangësitë e shumta në planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e këtyre politikave kanë ndikuar që të mos arrihet promovimi dhe rritja e punësimit në nivel të duhur, si dhe të mos adresohet çështja e qëndrueshmërisë së vendeve të krijuara të punës.

Raporti i auditimit të përformancës “Efikasiteti dhe efektiviteti i politikave qeveritare të punësimit”, nxjerr në pah se politikat e punësimit në nivel qeveritar dhe sektorial nuk janë efikase dhe efektive.

Vonesat në miratimin e dokumenteve strategjike, mos definimi i qartë i përgjegjësive të institucioneve si dhe mungesa e burimeve të mjaftueshme financiare për zbatimin e aktiviteteve që ndërlidhen me punësim, tregon që politikat e punësimit në nivel të Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së  Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që janë pjesë e këtij auditimi, nuk i janë nënshtruar një planifikimi adekuat. Këto mangësi rrezikojnë realizimin e suksesshëm të objektivave dhe aktiviteteve që ndërlidhen me punësim.

Zbatimin e masave aktive të tregut të punës e kanë vështirësuar vonesat e mëdha në funksionalizimin e Agjencisë së Punësimit, mungesa e profilizimit të një numri të të papunëve, listat me numër të kufizuar të të papunëve si dhe mungesa e prioritizimit të të papunëve afatgjatë gjatë procesit të përzgjedhjes në masa. Ndërsa, tek Agjencia e Zhvillimit të Bujqësisë mangësitë që kanë vështirësuar vlerësimin efektiv të zbatimit  të masave të cilat  kanë kriter punësimin,  janë vonesat në integrimin e të dhënave si dhe mungesa e të dhënave të plota për krijimin e vendeve të reja të punës.

Raporti thekson se mangësitë e evidentuara tek të dy Agjencitë, për monitorimin që u bëhet masave gjatë zbatimit, iu kanë vështirësuar përfituesve njohjen e përvojës së punës, kufizuar mundësitë e tyre për punësim në të ardhmen, nuk kanë legjitimuar punësimin si dhe kanë ndikuar në paraqitjen e statistikave jo reale të shkallës së papunësisë në vend.

Monitorimi i efektivitetit të politikës së punësimit nuk ka rezultuar efikas dhe i suksesshëm si në nivel qeveritar  ashtu edhe në atë sektorial. Mangësitë në monitorimin aktual të kryer nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministritë e audituara, pamundësojnë që vet këto institucione apo edhe qytetarët të kenë një pasqyrë të qartë të ndikimit të politikës së punësimit. Ndërkaq, fakti që të dy Agjencitë e audituara ende nuk kanë kryer monitorimin e efektivitetit të masave, e pamundëson një vlerësim real të shkallës së realizimit të masave si dhe ndikimit që ato kanë në gjenerimin dhe mbajtjen e vendeve të reja të punës.

Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, lidhur me këtë raport është shprehur se: “Shkalla e papunësisë në vend është alarmante, prandaj politikat në nivel qeveritar dhe sektorial duhet të shërbejnë si përgjigje ndaj gjendjes së krijuar të papunësisë në vend. Kjo mund të arrihet përmes një planifikimi adekuat të kapaciteteve të nevojshme njerëzore e financiare për implementim të politikës si dhe përmes krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm monitorues.”

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të përmirësuar planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e politikës së punësimit.

Raportin e plotë mund ta lexoni në: www.zka-rks.org

Të ngjashme