Kthehu te lista
18 Maj 2018

Sqarim i Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me publikimin e paautorizuar të dokumenteve të saj

Logo_ZKAeKosoves

Gjatë dy ditëve të fundit, në disa media të Kosovës janë publikuar informata që i referohen disa dokumenteve të hartuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Me këtë rast, dëshirojmë ta njoftojmë publikun dhe redaksitë e mediave, se informatat e publikuara gjatë dy ditëve të fundit lidhur me procesin dhe rezultatet e auditimit të jashtëm për organizatat buxhetore, nuk janë të autorizuara nga Zyra Kombëtare të Auditimit dhe si të tilla nuk mund të konsiderohen si plotësisht të sakta. Procesi i auditimit të rregullsisë është ende në vijim dhe informatat e publikuara janë bazuar në dokumente të papërfunduara.

Për hir të korrektësisë, dëshirojmë të sqarojmë opinionin që pas përfundimit të punës në terren, në pajtim me procedurat e auditimit, një përmbledhje e raportit të auditimit u dërgohet subjekteve të audituara dhe këto të fundit, gëzojnë të drejtën ligjore (sipas Ligjit të ZKA-së, neni 22.2) që në një afat prej 15 ditësh pas pranimit të draft raportit të auditimit, të bëjnë komentet e nevojshme dhe të ofrojnë dëshmi lidhur me përmbajtjen e dokumentit. Varësisht nga ky proces, që bazohet në standardet ndërkombëtare të auditimit, draft raportet mund të pësojnë ndryshime deri në versionin përfundimtar, si rezultat edhe i rishikimit të cilësisë nga funksioni i sigurimit të cilësisë në auditim.

Së këndejmi, informata të autorizuara në lidhje me institucionet e audituara, duhet të trajtohen vetëm ato të cilat burojnë nga raportet e auditimit të aprovuara nga Auditori i Përgjithshëm dhe të publikuara në uebfaqen zyrtare të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Dokumentet tjera që hartohen gjatë procesit të auditimit (memot e auditimit apo draft raportet) zakonisht mbajnë shenjën për mos-publikim deri në verzionin përfundimtar. Prandaj, presim që mediat dhe përdoruesit tjerë të produkteve të auditimit, ta respektojnë këtë kërkesë ligjore dhe t’i presin rezultatet finale të punës profesionale e të pavarur të auditorëve.

Respektimi i këtyre procedurave do të ndihmoj Zyrën Kombëtare të Auditimit për të punuar në pajtim të plotë me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit dhe kërkesat ligjore si dhe do të shmangte çdo keqinformim eventual të publikut në lidhje me rezultatet e auditimit të jashtëm të institucioneve publike.

Ne sigurojmë mediat dhe publikun që të gjitha raportet finale të auditimit, ashtu sikur deri më tani, do të jenë të qasshme në uebfaqen zyrtare të Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Të ngjashme