Kthehu te lista
14 Nëntor 2019

Strategjitë dhe qasjet teknike për përforcimin e bashkëpunimimit mes Parlamenteve dhe Institucioneve Supreme të Auditimit

Punetoria rajonale ne Podgorice

Përfaqësues nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës morën pjesë në punëtorinë rajonale me temën “Strategjitë dhe qasjet teknike për përforcimin e bashkëpunimit mes Parlamenteve dhe Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA)” të mbajtur në Podgoricë nga 12 deri më 14 nëntor.

Punëtoria u organizua nga Parlamenti i Malit të Zi dhe Banka Botërore si dhe është mbështetur nga Fondi i Forcimit të Mjedisit të Përgjegjshmërisë dhe Mirëbesimit (FFMPM) i themeluar nga sekretariati shtetëror zviceran për çështje ekonomike dhe Komisioni Evropian.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin deputetë nga parlamentet dhe përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo punëtori ishte aktivitet përcjellës nga punëtoria e mbajtur në muajin maj në Tiranë, me temën “Fuqizimi i marrëdhënieve të Parlamentit dhe Institucioneve Supreme të Auditimit për të përmirësuar performancën e auditimit të jashtëm në Shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Pjesëmarrësit e kanë njoftuar njëri-tjetrin lidhur me progresin në zbatimin e planeve të veprimit për të cilat janë pajtuar në punëtorinë e mbajtur në Tiranë. Përmes diskutimeve pjesëmarrësit shkëmbyen edhe përvojat e vendeve të tyre lidhur me rolin e parlamentit dhe komisioneve respektive për mbikëqyrjen  e financave publike, çështjen e shqyrtimit të raporteve të auditimit si dhe mënyrat e bashkëpunimit  për krijimin e një marrëdhënie më efektive.

Tema të tjera të diskutimit dhe shkëmbimit të përvojave në kuadër të punëtorisë lidhen me memorandumin e bashkëpunimit në mes të Parlamentit dhe ISA-ve, kuptimi i raportit të auditimit, përdorimi i raportit të auditimit për të shqyrtuar performancën e qeverisë dhe subjekteve të audituara, monitorimi i rekomandimeve etj.

Në këtë punëtori nga Zyra Kombëtare e Auditimit morën pjesë Ndihmës Auditori i Përgjithshëm z. Naser Arllati, Drejtori i Përgjithshëm z. Imri Semtishti, Udhëheqësja e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Auditimi znj. Saranda Husaj-Baraliu dhe auditore/këshilltare për Kuvend znj. Violeta Smajlaj.

Ndërsa në emër të Parlamentit të Kosovës morën pjesë stafi mbështetës i Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. Po ashtu, pjesëmarrës ishin  edhe përfaqësues nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në kuadër të kësaj punëtorie, pjesëmarrësit vizituan edhe Parlamentin e Malit të Zi, ku u mirëpritën nga  kryetari z. Ivan Brajovic, i cili i ka njoftuar lidhur me punën e parlamentit dhe komisioneve parlamentare. Po ashtu, pjesëmarrësit kanë vizituar edhe Institucionin Suprem të Auditimit të Malit të Zi ku janë pritur në një takim të veçantë nga presidenti i këtij institucioni, z. Milan Dabovic.

Të ngjashme