Kthehu te lista
21 Tetor 2019

Studentët përfitojnë punë praktike në Zyrën Kombëtare të Auditimit

Puna praktike e studenteve ne ZKA

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë filluar punën praktike grupi i parë i studentëve.

Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani më rastin e ndarjes së certifikatave për mbajtjen e praktikës, u shpreh se ai dhe stafi i tij janë të angazhuar të përkrahin gjeneratat e reja në edukim dhe zhvillim profesional. z. Osmani i ka inkurajuar studentët që të angazhohen në avancimin  e tyre profesional duke shfrytëzuar burime të besueshme informacioni për mësim efektiv dhe të qëndrueshëm.

Në anën tjetër studentët shprehën falënderimin e tyre lidhur me mundësinë e dhënë dhe mirëpritjen e  stafit të ZKA-së.  Mundësia për të zhvilluar përvojën duke u përfshirë në punën praktike i bën studentët më të aftë dhe më konkurrentë në tregun e punës. Studentët gjatë kohës së mbajtjes së praktikës përveç që kanë arritur të avancojmë njohuritë teorike në punë praktike, po ashtu janë njohur për së afërmi me rolin dhe punë e ZKA-së.

Marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka për qëllim bashkëpunimin ndër institucional në shkëmbimet e ndihmës profesionale dhe akademike si dhe të angazhimit në punë praktike të studentëve.

Nga kjo marrëveshje, punë praktike një mujore do të përfitojnë studentët e nivelit master në fushat që ndërlidhen me aktivitetet e ZKA-së, siç janë drejtimi i financave, kontabilitetit, auditimit dhe çështjeve ligjore.

Procesi i përzgjedhjes bëhet nga Universiteti i Prishtinës. Me qëllim të njohjes së detyrave, obligimeve dhe ruajtjen e sigurisë se informacionit, studenten e përzgjedhur kanë nënshkruar marrëveshje sipas legjislacionit në fuqi si dhe janë njoftuar me Kodin e Etikës së ZKA-së dhe aktete e tjera të brendshme.

Të ngjashme