Kthehu te lista
22 Nëntor 2019

Vetëqeverisja lokale duhet të ketë për qëllim zhvillimin ekonomik lokal dhe adresa e vetme duhet të jetë qytetari

Veteqeverisja lokale ne Kosove 20 vjet

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, të premten ka marrë pjesë në konferencën me temë “Vetëqeverisja lokale në Kosovë – 20 vjet”. Diskutimet u fokusuan në dy tema: Vetëqeverisja Lokale në Kosovë- progresi dhe sfidat si dhe orientimet strategjike dhe bashkëpunimi ndër-sektorial.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë kontribues të zhvillimit të vetëqeverisjes lokale në Kosovë, Drejtorja e misionit- USAID në Kosovë, Kryetarë të Komunave, përfaqësues nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, përfaqësues nga akademia, shoqëria civile, institucionet shtetërore, organizatat ndërkombëtare, ekspertë nga kjo fushë si dhe anëtarët e TLP AA.

Para të pranishmëve Auditori i Përgjithshëm ka adresuar çështjet kryesore dhe sfidat që e kanë përcjellë vetëqeverisjen lokale në Kosovë. Ai ka thënë se vetëqeverisja lokale duhet të ketë për qëllim zhvillimin ekonomik lokal dhe adresa e vetme duhet të jetë qytetari.

“Është shumë e rëndësishme që vetëqeverisja lokale gradualisht nga ofrimi i shërbimeve ditore administrative t’ia lëshojë vendin qasjes që fokus e ka zhvillimin ekonomik lokal dhe adresë ka vetëm qytetarin”, ka deklaruar Osmani, duke shtuar se forcimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm edhe të inspektimit do të rrisë qeverisjen e mirë si dhe do të pamundësonte zhvillimin e aktiviteteve të mashtrimit.

Ai ka theksuar se progresi i vetëqeverisjes lokale karakterizohet me disa procese. Njëra prej tyre ka të bëjë me sistemin zgjedhor i cili ka ndikuar në zhvillimin e demokracisë në nivel lokal dhe kjo është një arritje shumë e madhe. Ai ka shtuar se ka një qeverisje efektive dhe të balancuar në mes të ekzekutivit dhe legjislativit  në nivelin komunal e cila ka mundësuar kompromise të nevojshme për zhvillimin e vet demokracisë lokale.

Megjithatë z. Osmani ka theksuar se vetëqeverisja lokale është ballafaquar edhe me sfida dhe njëra ndër sfidat kryesore sipas tij, është ndërthurja e kompetencave të pushteteve, paqartësitë që ekzistojnë në mes të pushtetit qendror dhe lokal. Komunat nuk kanë kapacitet financiar dhe kjo është sfida më e madhe, prandaj duhet një ndryshim rrënjësor që lidhet me politikat fiskale, mënyrat e financimit të komunave si dhe pavarësinë e tyre, ka shtuar tutje Osmani.

Z. Osmani ka theksuar nevojën për reformën zgjedhore në mënyrë që zgjedhja e kryetarëve të bëhet në raundin e parë, të ketë asamble me përbërje më të vogël dhe përfaqësim parësor të angazhimit të anëtarëve të zgjedhur që ata të luajnë rolin legjislativ në mënyrë aktive dhe të mos jenë anëtarë me korrespodencë në kuvendet komunale.

Konferenca “Vetëqeverisja lokale në Kosovë – 20 vjet” është organizuar nga shoqata TLP AA- Programi për lidership transformues, Alumni Association, që është shoqatë vullnetare e rreth 300 studentëve të kthyer në Kosovë nga programi i studimeve në ShBA, ofruar nga TLP SP dhe mbështetur nga USAID dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme