Kthehu te lista
28 Tetor 2019

Zbatimi i rekomandimeve të auditimit është në interes të institucioneve publike dhe të qytetarit

Debati_Birn_Podujeve

Në ambientet e Kuvendit Komunal në Podujevë, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), ka organizuar debat të hapur për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit për Komunën e Podujevës.  Gjetjet e monitorimit nga analiza e bërë nga raportet e auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Podujevës, u prezantuan nga Visar Prebreza, redaktor përgjegjës i Gazetës Jeta në Kosovë.

Të pranishëm në këtë debat ishin Zëvendës Auditori i Përgjithshëm z.Ilir Salihu, nënkryetari i Komunës së Podujevës z. Nexhmi Rudari, këshilltarët komunal të komunës, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe qytetarë.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm z. Ilir Salihu, në fjalën e tij tha se takimet e tilla janë një senzibilizim për rëndësinë dhe ndikimin që kanë raportet e auditimit në përmirësimin e qeverisjes në institucionet publike dhe menaxhimin e financave publike. “Niveli i përgjithshëm i zbatimit të rekomandimeve të auditimit në Kosovë është rreth 40%, ndërsa në komuna është diku rreth 30%. Kjo e bën edhe me të rëndësishëm faktin që jemi takuar sot që të bisedojmë për format më të mira se si këto rekomandime të gjejnë zbatim”, tha ai.

Z. Salihu theksoi se raportet e auditimit synojnë të paraqesin sa më saktë gjendjen me shpenzimin e parasë publike dhe në përgjithësi të performancës së institucioneve publike. Tutje z. Salihu, këshilloi që të analizohen rekomandimet e dhëna në raportet e auditimit dhe planet e veprimit të jenë sa më reale, në mënyrë që të adresohen të gjitha rekomandimet, pasi që kjo është në interes të komunës dhe të qytetarëve.

Ndërkaq, nënkryetari i komunës së Podujevës z. Nexhmi Rudari, falënderoj ZKA-në për përkrahjen e vazhdueshme për përmirësimin e performancës komunale. Ai shtoi se vazhdimisht ka pasur një bashkëpunim të mirë me ZKA-në. Komuna ka pranuar të gjitha gjetjet e auditimit dhe ka bërë përpjekje për adresimin e rekomandimeve. Mirëpo, rrethanat me të cilat është ballafaquar institucioni i tyre, kanë pamundësuar zbatimin e të gjitha rekomandimeve të dhëna nga ZKA.

Debatit të sotëm i ka paraprirë analiza e raporteve të auditimit për katër vitet e fundit për Komunën e Podujevës. Visar Prebreza gjatë prezantimit të analizë së raporteve të auditimit ka thënë se kanë identifikuar gjetjet më të shpeshta të komunës së Podujevës në sektorë të caktuar. Ai ka theksuar se gjatë katër viteve të fundit, në Komunën e Podujevës janë evidentuar raste të punësimit të personave me kontrata mbi vepër, dobësi sistematike në prokurim, mungesë të dëshmive për dhënien e subvencioneve, punësim i personave me kontrata mbi vepër dhe nivel jo i kënaqshëm i zbatimit të rekomandimeve të auditimit.

Të ngjashme