Kthehu te lista
19 Nëntor 2018

Zbatimi i rekomandimeve të auditimit ndihmon qeverisjen lokale dhe qendrore në menaxhimin më të mirë të parasë publike

Debati ne Peje

Sot, në ambientet e Kuvendit Komunal në Pejë, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), ka organizuar debat rreth nivelit të zbatimit të rekomandimeve të auditimit të jashtëm nga Komuna e Pejës. Të pranishëm në këtë debat ishin kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, zv/Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z.Ilir Salihu, këshilltarët komunal të Pejës, dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga komuna e Pejës.

Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, z. Ilir Salihu, ka përgëzuar BIRN-in për organizimin e një takimi të tillë dhe ka theksuar se zbatimi i rekomandimeve të auditimit ndihmon qeverisjen lokale dhe qendrore që të marrin vendimet e duhura. Z. Salihu shtoi se roli i Zyrës Kombëtare të Auditimit është t’i shërbejë qytetarit të Kosovës, duke e rritur transparencës për mënyrën se si janë menaxhuar financat publike dhe duke këshilluar Kuvendin se si ta mbajë llogaridhënëse Qeverinë.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, ka thënë se komuna e tij ka bërë progres të rëndësishëm në zbatimin e rekomandimeve të auditimit të viteve paraprake dhe ka shprehur përkushtimin e tij që gjendja do të jetë edhe më e mirë me zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportin e fundit të auditimit. Ai tha se një tregues i rëndësishëm që e dëshmon këtë progres janë vlerësimet që janë bërë nga donatorët e ndryshëm të cilët kanë vlerësuar qeverisjen e komunës në shumë indikatorë që ndërlidhen me rekomandimet e auditimit dhe si rezultat i kësaj pëerformance komuna e Pejës ka përfituar grante shtesë.

Debatit të sotëm i ka paraprirë analiza e raporteve të auditimit të jashtëm për katër vitet e fundit për Komunën e Pejës, të cilën e ka prezantuar z. Visar Prebreza, redaktor i Gazetës “Jeta në Kosovë”. Ai ka theksuar se qëllimi i anlizës është që të shihet trendi se nga po shkon procesi dhe në çfarë mase po zbatohen rekomandimet e auditimit.

Debati rreth zbatimit të rekomandimeve të auditimit do të vazhdoj ditëve në vijim edhe në komunat tjera të Kosovës.

Të ngjashme