Kthehu te lista
29 Nëntor 2019

Zbatimi i rekomandimeve të auditorit nënkupton qeverisje më të mirë

Debati ne Malisheve

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) të premten organizoi debatin për gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm në Komunën e Malishevës.

Të pranishëm në këtë debat ishin kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj,  Ndihmës Auditori i Përgjithshëm, Naser Arllati, Udhëheqësi i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani, redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza si dhe përfaqësues të shoqërive civile e asamblistë të kësaj komune.

Me këtë rast Udhëheqësi i Departamentit të Auditimit, Faruk Rrahmani, tha se rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm kanë për qëllim forcimin e manaxhimit të financave publike dhe rritjen e kontrolleve të brendshme në komunë.

“Zbatimi i plotë i këtyre rekomandimeve do të ndikojë në një performancë më të mirë të komunave, por edhe në shërbime më të mira ndaj qytetarëve”, tha Rrahmani. Ai vlerësoi se ka nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve të auditorit nga komunat në përgjithësi.

“Përqindja e zbatimit të rekomandimeve të auditorit nga Komuna e Malishevës është 33 për qind dhe kjo tregon për një përqindje mjaftë të ulët të zbatimit të rekomandimeve, përderisa kjo përqindje të ministritë sillet rreth 40 për qind kurse të institucionet e pavarura rreth 65 për qind”, u shpreh ai. Më tutje Rrahmani tregoi se në raportin e auditimit për vitin 2018 të Komunës së Malishevës ka një numër të madh të përsëritjeve të rekomandimeve nga viteve të kaluara dhe sipas tij, ky është një shqetësim meqë mangësitë po përsëriten ndër vite.

Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tregoi se deri më tani janë zbatuar 8 rekomandime, 5 të tjera janë në proces e sipër të zbatimit si dhe të tjerat do të zbatohen së shpejti.

Begaj u zotua se kjo komunë do të angazhohet në zbatimin e rekomandimeve të auditorit në mënyrë që mangësitë nga e kaluara të mos përsëriten në të ardhmen. “Jemi të vetëdijshëm për problemet me të cilat ballafaqohemi si komunë, por kemi punuar dhe do të punojmë edhe më tutje në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen pas vërejtjeve të auditorit”, theksoi Begaj.

Kurse redaktori përgjegjës në BIRN Kosova, Visar Prebreza,  duke prezantuar analizën për të gjeturat e auditorit në Malishevë tha se komunat duhet t’i marrin seriozisht rekomandimet e auditorit dhe t’i zbatojnë ato. Prebreza tha se zbatimi i rekomandimeve të auditorit nënkupton qeverisje më të mirë.

“Këto rekomandime nuk janë zbatuar në nivelin e kënaqshëm. Të gjitha komunat kanë telashe me zbatimin e rekomandimeve dhe niveli komunal është prej institucioneve që kanë zbatim më të vogël të rekomandimeve në krahasim me institucionet e nivelit qendror dhe të institucioneve të pavarura. Duhet të punohet më shumë, edhe në Komunën e Malishevës sepse zbatimi i rekomandimeve të auditorit nënkupton qeverisje më të mirë”, tha ai.

Prebreza tregoi se auditori ka gjetur shkelje të vazhdueshme në prokurorim, punësime, në menaxhimin e borxheve si dhe në regjistrimin e pasurive.

Ky debat u mbajt në kuadër të serisë së debateve të mbajtura në disa komuna të Kosovës dhe u organizua në kuadër të projektit, “Mbështetja e shoqërisë civile për të rritur mbikëqyrjen publike dhe përgjegjshmërinë e institucioneve publike të Kosovës”, financuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Të ngjashme