Kthehu te lista
27 Tetor 2017

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Marreveshja_ZKA_UP

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës z. Besnik Osmani dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës z. Marjan Dema janë takuar sot dhe kanë biseduar lidhur me aktivitetet konkrete të bashkëpunimit. Me këtë rast, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve përmes së cilës janë përcaktuar fushat konkrete që kanë të bëjnë me shkëmbimet e ndihmës profesionale dhe akademike si dhe të angazhimit në punë praktike të studentëve të nivelit master të Universitetit të Prishtinës në Zyrën Kombëtare të Auditimit.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tha se e vlerëson lartë bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës dhe se ky bashkëpunim profesional është shumë i rëndësishëm për faktin që na mundësohet të praktikojmë edukimin e vazhdueshëm për personelin tonë përmes aktiviteteve arsimore, programeve të trajnimit dhe shkëmbimit të njohurive, në disa fusha që kanë të bëjnë me politikat publike, administratën publike e veçmas në fushën e kontabilitetit dhe auditimit.

Nga ana e tij, rektori Dema tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje të bashkëpunimit me Zyrën Kombëtare të Auditimit është një akt shumë i rëndësishëm për UP-në, meqë me këtë do përfitojnë më së shumti studentët tanë. Dema në këtë takim foli edhe për punën që ky menaxhment është duke bërë duke krijuar standarde transparente në UP, në mënyrë që të krijohet një ambient edhe më cilësor për studim.

Marrëveshja e nënshkruar sot, parasheh që të dy institucionet t’i ofrojnë ndihmë reciproke profesionale njëra-tjetrës për realizimin e konferencave, seminareve sidomos në fushën e auditimeve të përformancës dhe synon animimin e opinionit publik lidhur me rëndësinë e auditimeve dhe përfitimet e institucioneve dhe publikut nga raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, ditët një vijim do të hartohet plani i veprimit dhe do të filloj zbatimi praktik i Marrëveshjes.

 

Të ngjashme