Kthehu te lista
08 Shkurt 2019

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës nënshkruan marrëveshje bilaterale të bashkëpunimit me Entin Shtetëror të Revizionit të Republikës së Maqedonisë

Marreveshja me EShR te Maqedonise

Sot, në ambientet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës z. Besnik Osmani dhe Zëvendësi i Revizorit Kryesor Shtetërorë të Republikës së Maqedonisë z. Naser Ademi, kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale për bashkëpunim në mes të dy institucioneve përkatëse.

Me këtë rast, Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, u shpreh se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve tona tani vetëm po formalizohet me nënshkrimin e marrëveshjes, derisa ka ekzistuar shumë më herët.

“Kjo marrëveshje ka për qëllim intensifikimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve tona, prandaj, dua të shpreh gatishmërinë dhe dëshirën që të zhvillojmë një plan të aktiviteteve konkrete dhe me interes të përbashkët” shtoi z. Osmani.

Në anën tjetër z. Naser Ademi, zëvendës i Revizorit Kryesor Shtetërorë të Republikës së Maqedonisë, tha se kjo marrëveshje është e mirë për shkak se fuqizohet fqinjësia dhe raportet e mira që janë në mes dy vendeve tona.

Krerët e të dyja institucioneve deklaruan se janë të përkushtuar për angazhimin e institucioneve të tyre në përmbushjen e kësaj marrëveshje, me anë të së cilës synohet të promovohet bashkëpunimi institucional, përmes shkëmbimit të përvojave në fushën e metodologjisë së auditimit të jashtëm publik, përkrahjen në zhvillimin e softuerëve të auditimit,  trajnime profesionale, shkëmbim të informacionit dhe dokumentacionit mbi aktivitetet profesionale, organizimin e auditimeve paralele për tema me interes të përbashkët,  mbajtje të konsultimeve, hulumtimeve të përbashkëta, seminareve, konferencave e takimeve teknike.

Të ngjashme