Kthehu te lista
04 Shtator 2019

Zyra Kombëtare e Auditimit intensifikon bashkëpunimin me organizatat e shoqërisë civile

Tryeza me shoqerine civile 01

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka organizuar tryezë me shoqërinë civile dhe shoqatat profesionale të auditimit, me qëllim të identifikimit dhe diskutimit të temave relevante dhe me prioritet që do të përfshihen në planin vjetor për auditime të performancës.

Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, ka theksuar se bashkëpunimi dhe komunikimi i ZKA-së me qytetarët nëpërmjet partneritetit me organizatat e shoqërisë civile dhe shoqatat profesionale të auditimit është shumë i rëndësishëm. Përmes këtyre organizatave, qytetarëve ju mundësohet qasje e plotë për të kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së zyrtarëve publik.

Tutje z. Osmani ka ftuar të pranishmit që të paraqesin sfidat, të cilat kanë arritur t’i identifikojnë, me të cilat përballet shoqëria jonë, vështirësitë që hasin institucionet publike në përmbushjen e detyrave të tyre të cilat pastaj ndikojnë në performancën e tyre dhe rrjedhimisht ndikojnë në shërbimet e ofruara për qytetarët dhe mirëqenien e tyre në përgjithësi.

Znj. Vlora Spanca, Ndihmës Auditore e Përgjithshme, ka prezantuar metodologjinë dhe procesin e përzgjedhjes së temave në auditimin e performancës, dhe ka prezantuar  temat e auditimit të identifikuara nga ZKA, për sezonin auditues 2019/2020.

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të pranishëm në këtë takim, kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim me ZKA-në dhe kanë vlerësuar kontributin e saj në forcimin e llogaridhënies dhe rritjen e transparencës në administratë publike. Ata kanë shprehur opinionet e tyre për temat e përzgjedhura nga ZKA dhe kanë dhënë propozime për tema të reja që mund të auditohen nga ZKA, në sezonin vijues.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në vazhdimësi mban një dialog kuptimplotë dhe efektiv me palët e interesit, me qëllim që tё siguroj ndikim mё tё madh tё rezultateve tё auditimit.

Takime të tilla me organizatat e shoqërisë civile i ndihmojnë ZKA-së në identifikimin e fushave të mundshme ku ka nevojë për përmirësim dhe më shumë efikasitet në punë nga organizatat buxhetore. Angazhimi aktiv i shoqërisë civile ka një ndikim pozitiv te subjektet e audituara për të zbatuar rekomandimet e auditimit.

Të ngjashme