Kthehu te lista
18 Shkurt 2020

Zyra Kombëtare e Auditimit prezantoi raportin e performancës ‘Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit’

Prezantimi i raportit te sistemit te tarifave 01

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) sot bëri prezantimin publik të raportit të performancës  “Sistemi i Përcaktimit të Tarifave të Energjisë Elektrike, Termike dhe atyre të Ujësjellësit”, ku morën pjesë përfaqësues nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Autoriteti Rregullativ për Shërbimet e Ujit (ARRU), KRU “Hidroregjioni Jugor”, KRU “Hidrodrini”, KRU Mitrovica, Ngrohtorja Qendrore Termokos Prishtinë, Ngrohtorja Qendrore ‘Gjakova’, përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe mediave.

Me këtë rast, Ndihmës -Auditor i Përgjithshëm, Vlora Spanca, nën mbikëqyrjen e së cilës është kryer ky auditim, tha se auditimi nxjerr në pah disa mangësi që ndikojnë në saktësinë e tarifave të aprovuara dhe rrezikojnë që tarifat të mos jenë drejtë të përcaktura.

“Pavarësisht dizajnit të mirë të procesit për përcaktimin e tarifave, ky dizajn nuk është inkorpouar siç duhet në procesin tarifor. Rregullatorët dhe ofruesit e shërbimeve publike nuk kanë zhvilluar një proces të identifikimit të sasisë së konsumuar të shërbimeve nga konsumatorët të cilët janë të liruar nga pagesa e shërbimeve publike. Struktura tarifore për shërbime publike përveç sasisë volumentirike të shërbimeve të ujit dhe energjisë elektrike e ngarkon konsumatorin edhe me tarifa fikse”, theksoi Spanca.

Znj. Spanca tha se përkundër përpjekjeve për të aplikuar mirë metodologjinë për përcaktimin e tarifave sistemi ekzistues nuk ka siguruar se tarifat janë përcaktuar siç duhet.

“Aprovimi i humbjeve të ofruesve të shërbimeve nuk është i bazuar në një metodologji uniforme për të gjitha kompanitë e shërbimeve përkatëse. Kostot operative dhe kapitale janë aprovuar pa arsyeshmëri të dokumentuar dhe në mungesë të analizave të duhura. Rregullatorët kanë aprovuar nivel më të lartë të borxhit të keq se sa që është borxhi i keq real i ofruesve të shërbimeve”, u shpreh Spanca.

Ndërkohë drejtori i Departamentit të Auditimit të Performancës, Myrvete Gashi, tha se ky auditim tregon se sa efektiv është sistemi i aplikuar për caktimin e tarifave dhe nëse ky proces është bërë sipas kritereve të matshme në përshtatje më shpenzimet reale dhe relevante.

Gashi bëri me dije se  ZKA-ja ka dhënë 23 rekomandime, 3 prej tyre për qeverinë kurse 20 të tjerat për autoritetet rregullative.

“Auditimi përfshinë periudhën 2016-2018, ndërsa raporti i auditimit përmban informata rreth të arriturave, sfidave dhe ngecjeve që janë identifikuar përgjatë këtij auditimi. Përmes këtij raporti kemi dhënë 23 rekomandime, 3 rekomandime për Qeverinë e Kosovës, dhe 20 rekomandime për autoritetet rregullative”, tha Gashi.

Ndërkaq udhëheqësi i ekipit që ka realizuar këtë auditim, Fikret Ibrahimi, prezantoi në detaje raportin dhe të gjeturat e auditimit.

Ai tha se në procesin e përcaktimit të tarifave ekzistojnë disa mangësi të cilat duhet të eliminohen me qëllim që të kemi tarifa sa më të sakta, më të drejta, më transparente dhe në nivelin më të mirë të mundshëm.

Ibrahimi theksoi se kjo mund të arrihet nëse merren parasysh dhe zbatohen rekomandimet e dhëna nga  Zyra  Kombëtare e Auditimit.

Ai tha se përfituesit e ndihmës sociale nuk janë kompensuar për shpenzimet e shërbimeve të ujësjellësit dhe energjisë termike, të cilët në parim sipas legjislacionit në fuqi do të duhej të ishin liruar prej këtyre pagesave.

Në anën tjetër pjesëmarrësit kanë vlerësuar lartë kontributin e Zyrës Kombëtare të Auditimit në forcimin e llogaridhënies dhe rritjen e transparencës në administratë publike. Ata kanë shprehur opinionet e tyre lidhur me raportin e auditimit. Poashtu ata kanë shprehur gatishmërinë për t’i zbatuar rekomandimet e dhëna nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Të ngjashme