Auditori i Përgjithshëm dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, objektivitetin dhe pavarësinë institucionale e sigurojnë përmes ushtrimit të mandatit të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj dhe në pajtueshmëri me standardet profesionale të auditimit dhe kodit të brendshëm të etikës dhe sjelljes profesionale.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në baza vjetore kryen auditimin e detyrueshëm të rregullsisë për Buxhetin e Qeverisë së Kosovës; të gjitha organizatat buxhetore të cilat pranojnë buxhet përmes ligjit vjetor të buxhetit; dhe Ndërmarrjet Publike. Auditime të performancës si dhe ka të drejtën që në çfarëdo kohe të kryejë auditime tjera të ndryshme nga auditimet e rregullsisë për fondet e dhëna nga buxheti për një institucion apo organizatë; fondet publike për partneritet publiko-privat; huatë; dhe kreditë dhe detyrimet e garantuara nga entitetet e sektorit publik.

Raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm promovojnë drejtpërsëdrejti llogaridhënien dhe ofrojnë bazë të qëndrueshme për t’u kërkuar llogari menaxherëve të çdo organizate buxhetore. Në këtë mënyrë ne rrisim besimin në shpenzimin e fondeve publike dhe luajmë një rol aktiv në sigurimin e interesit të taksapaguesve dhe të palëve tjera të interesit në rritjen e përgjegjësisë publike.

Misioni “Kontribuojmë në menaxhimin e shëndoshë financiar të administratës publike duke kryer auditime cilësore në pajtim me kornizën ligjore dhe standardet e auditimit në sektorin publik të pranuara ndërkombëtarisht si dhe duke aplikuar praktikat e mira evropiane“.