Bashkëpunimi me palët e interesit është një nga objektivat strategjike të Zyrës Kombëtare të Auditimit, si parakusht për zhvillim cilësor të rezultateve tona dhe të rris njohuritë e palëve të interesit, për të kuptuar rolin dhe përgjegjësitë e ZKA-së si një institucion i pavarur i sektorit publik.

Kuvendi i Kosovës, veçanërisht Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike është partneri ynë më i rëndësishëm dhe mekanizmi kryesor në rritjen e llogaridhënies dhe forcimin e kontrollit dhe menaxhimit të mirë të parasë publike.

Në bashkëpunimin tonë me institucionet e nivelit qendror dhe atij lokal, të cilat ne i auditojmë dhe këshillojmë,  kemi një qasje të integruar e cila siguron një pamje mbi faktet dhe një perspektivë të fokusuar në përmirësimin e qeverisjes së mirë, dizajnin e sistemit, implementimin e procesit dhe masave korrigjuese. Rekomandime të qarta dhe koncize në raportet tona të auditimit janë elemnte kyçe për këtë.

Në zbatim të parimit “Ngritja e kapaciteteve përmes promovimit të të mësuarit dhe shkëmbimit të njohurive”, ZKA-ja mban kontakte dhe ka zhvilluar marrëdhënie të mira me ISA-të në veçanti me ato të vendeve të Evropës dhe më gjerë. Ky bashkëpunim ofron mundësi për të shkëmbyer pikëpamjet dhe për të ndarë përvojën me vendet tjera në përdorimin e standardeve ndërkombëtare të auditimit të sektorit publik. Bashkëpunimi me ISA-it tjera kryesisht zhvillohet përmes bashkëpunimit bilateral, Rrjetit të Presidentëve të ISA-ve të Regjionit, Komitetit të Kontaktit, INTOSAI dhe EUROSAI. Edhe pse jemi pjesë aktive e këtyre organizatave dhe grupimeve, ZKA-ja në aktivitetet ndërkombëtare përfaqësohet në cilësinë e vëzhguesit, prandaj synimi primar në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar është anëtarësimi me të drejta të barabarta në organizata përkatëse.