Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
4/15/2024 9:24:00 PM

Auditorja e ZKA-së bëhet pjesë e ekipit profesional të projektit të IDI “Analiza e të Dhënave gjatë Auditimit të ISA-ve”

Nga datat 8-12 prill 2024 në Oslo të Norvegjisë, Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t (IDI)  organizoi punëtorinë për të diskutuar kompetencat e duhura të auditorëve të sektorit publik, në fushën e analizës së të dhënave, për të qenë në hap me kohën dhe zhvillimet e teknologjisë në mënyrë që të realizojnë auditime me ndikim.

Gjatë punëtorisë u zhvillua një strukturë kompetencash, duke theksuar kompetencat themelore të nevojshme për auditorët e Institucioneve Supreme të Auditimi (ISA)  për të përdorur analizën e të dhënave, duke përfshirë inteligjencën artificiale, gjatë realizimit të  auditimit. Struktura gjithashtu theksoi përdorimin etik, të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës të përdorimit të këtyre teknologjive. Është krijuar një kurrikulë tre nivelesh për të zhvilluar në mënyrë progresive kompetencat themelore e deri te ato të avancuara.

Një ekip i dedikuar i profesionistëve me përgatitje të lartë profesionale dhe nga zona gjeografike të ndryshme punuan me përkushtim për të hartuar dizajnin e Iniciativës për Analizat e të Dhënave gjatë Auditimit të ISA-ve dhe tani do të fokusohen në zhvillimin e  mëtejshëm të saj.

Pjesë e këtij  ekipi ishte edhe Kosova, përkatësisht  Zyra Kombëtare e Auditimit, me pjesëmarrjen e Auditores seniore të TI-së, Poliksena Berisha, e ftuar nga IDI për të dhënë kontributin për projektin e ri “Analiza e të Dhënave gjatë Auditimit të ISA-ve” në nivel të ekspertit, pasi që është vlerësuar për punën dhe angazhimin e treguar në kuadër të projektit paraprak - LOTA Pioneers.

Iniciativa do të ndihmojë auditorët të qëndrojnë në hap me teknologjinë më të re të analizës së të dhënave, duke përfshirë inteligjencën artificiale dhe për të kryer auditime me ndikim. Suksesi i kësaj punëtorie i atribuohet kontributit të profesionistëve të përkushtuar të këtij ekipi dhe që Kosova ishte njëra ndër pesë vendet pjesëmarrëse për krijimin e kësaj iniciative.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditorja e Përgjithshme pritet nga Ambasadori suedez dhe deputeti shqiptar i Parlamentit të Suedisë

Auditorja e Përgjithshme pritet nga Ambasadori suedez dhe deputeti shqiptar i Parlamentit të Suedisë

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të martën takoi deputetin shqiptar të Parlamentit të Suedisë, z. Adnan Dibrani dhe kandidatin për deputet z. Arbër Gashi, të cilët po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Pjesë e takimit ishin edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina.

Znj. Spanca shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Suedisë ndaj Kosovës, dhe në veçanti ndaj Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Ajo i njoftoi ligjvënësit për rolin, mandatin dhe punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit, me theks të veçantë për portofolin e auditimeve,  bashkëpunimin me Kuvendin, përkatësisht për procesin e transparencës dhe llogaridhënies si dhe për buxhetin dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ZKA-ja.

Deputeti Adnan Dibrani dhe kandidati për deputet Arbër Gashi vlerësuan lartë në përgjithësi të arriturat e shtetit të Kosovës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ata folën për angazhimet e tyre në jetën politike suedeze si dhe rolin e tyre që mund të shërbej si urë lidhëse në mes të vendit të tyre të lindjes dhe Suedisë ku jetojnë dhe veprojnë aktualisht.

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme: Duhen veprime të menjëhershme në  zbatim të rekomandimeve të auditimit  për trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Auditorja e Përgjithshme: Duhen veprime të menjëhershme në zbatim të rekomandimeve të auditimit për trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Për shkak të ngritjes drastike të numrit të rasteve të dhunës dhe vrasjeve në baza gjinore në Kosovë, Auditorja e Përgjithshme Vlora Spanca sërish u bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse për të forcuar sistemet e tyre të reagimit dhe mbështetjes për viktimat e dhunës në familje.

Me shumë keqardhje për vrasjet e ditëve të fundit dhe duke bashkëndier me familjet e viktimave, Auditorja e Përgjithshme kërkon vëmendjen e subjekteve përgjegjëse në zbatimin e menjëhershëm të rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit “Efektiviteti i institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje”. I publikuar në gusht të vitit 2023, objektiva e raportit të auditimit ishte vlerësimi nëse institucionet përgjegjëse kanë ndërmarrë aktivitetet dhe masat e duhura për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, siç janë reagimi, mbrojtja dhe rehabilitimi i viktimave të dhunës, për të siguruar mbështetje dhe përkrahje institucionale. Trajtimi i rasteve të dhunës në familje, bëhet nga një numër i institucioneve si: Policia e Kosovës, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Prokuroria Themelore, Gjykatat Themelore, Qendrat për Punë Sociale dhe Strehimoret, të cilat ofrojnë shërbime të ndryshme nëpër faza të caktuara.

Auditimi identifikoi fusha të rëndësishme për përmirësim dhe nxorri gjithsej 19 rekomandime në gjashtë institucione: tri rekomandime për Policinë e Kosovës, tri për Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, katër për Qendrat për Punë Sociale, dy për Prokurorinë Themelore, dy për Gjykatat Themelore si dhe pesë për Ministrinë e Drejtësisë. Lista e rekomandimeve është paraqitur në Kapitullin 5 të këtij raporti.

Raportin e plotë e gjeni këtu.

 

 

Lexo më shumë