Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/22/2024 4:02:00 PM

Pesë auditorë të ZKA-së certifikohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë

Në datat 13 – 17 maj 2024 në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë u mbajt moduli i fundit i trajnimit rajonal për auditimet e performancës për auditorët e Institucioneve Supreme të Auditimit të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë.

 

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës programin e kanë ndjekur dhe janë certifikuar si auditorë të performancës: Ernes Beka, Laureta Matoshi Pozhegu, Mimozë Selimi, Vjosa Zeqiraj dhe Lirak Mulliqi. Në një ceremoni zyrtare Auditorja e Përgjithshme e Suedisë, Helena Lindberg, shpërndau certifikatat dhe përgëzoi pjesëmarrësit për rezultatet e arritura.  

 

Programi 15-mujor i trajnimit ka përfshirë gjashtë module në formë virtuale dhe me prezencë fizike gjatë së cilave auditorët kanë kaluar testet e njohurive dhe aftësive të auditimit të performancës si dhe kanë përgatitur një raport të auditimit të performancës.

 

Ky aktivitet është zhvilluar me mbështetjen e Grupit Punues për Aktivitete të Përbashkëta për Auditim, bashkëudhëheqës i të cilit është Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë, i cili ofron mbështetje në procesin e zhvillimit institucional dhe negociatave për anëtarësim në BE.

 

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2023

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2023

Raporti Vjetor i Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për vitin 2023 u shqyrtua të martën në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP). Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, prezantoi aktivitetet, të arriturat dhe sfidat e ZKA-së gjatë vitit 2023, si dhe i është përgjigjur interesimit të deputetëve për çështjet e parashtruara.

 

Auditorja e Përgjithshme deklaroi se pavarësisht sfidave dhe lëvizjes së stafit është realizuar me sukses Plani Vjetor i Auditimit sipas kërkesave dhe afateve ligjore.

 

“Kemi kryer dhe publikuar 124 raporte të auditimit të fushave financiare/pajtueshmërisë si dhe të performancës. Rezultatet kryesore nga auditimet e kryera gjatë vitit 2023 kanë nxjerrë në pah një numër dobësish në shumicën e organizatave buxhetore nëpër kategori ekonomike të cilat kanë rezultuar në menaxhim të dobët të fondeve publike si dhe mos arritjen e vlerës për para. Po ashtu, është kryer vlerësimi i zbatimit të rekomandimeve në të gjitha organizatat buxhetore sipas së cilit 49% e rekomandimeve ishin zbatuar plotësisht, 9% pjesërisht dhe 42% nuk janë zbatuar”, deklaroi znj. Spanca.

 

Ajo tregoi se gjatë vitit 2023 ZKA-ja ka avancuar metodologjinë për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë si dhe ka digjitalizuar plotësisht punën audituese.

 

Znj. Spanca i njoftoi deputetët se në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe detyrimet tjera ligjore, ZKA-ja gjatë vitit 2023 fokus të rëndësishëm i ka dhënë trajtimit dhe adresimit të çështjeve më mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion. “Nga rezultatet e nxjerra në vitin 2023, kemi dërguar në Prokurori të Shtetit 51 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit, si dhe 3 raporte të auditimit në tërësi”, tha ajo.

 

Auditorja e Përgjithshme falënderoi deputetët për bashkëpunimin duke u shprehur se partneriteti me Kuvendin dhe komisionet parlamentare është forcuar më tutje.

 

Më tutje, ajo shpalosi para Komisionit detaje më rëndësi për menaxhimin financiar dhe administrativ si dhe për komunikimin dhe bashkëpunimin e ZKA-së me palët e jashtme. Ajo theksoi se gjatë 2023-së ZKA-ja ka zhvilluar komunikim të frytshëm me palët e interesit përmes ngjarjeve dhe aktiviteteve të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

 

Po ashtu, Auditorja e Përgjithshme njoftoi deputetët se gjatë vitit 2023 ZKA-ja ka qenë subjekt i vlerësimeve të disa mekanizmave ndërkombëtar dhe vendor karshi opinionit publik, nivelit profesional si dhe zbatimit të standardeve. Ajo u shpreh se është e kënaqur që rezultatet e këtyre vlerësimeve krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë e kanë renditur institucionin të cilin e drejton në nivel mjaftë të lartë si në aspekt të profesionalizmit, integritetit ashtu edhe të besueshmërisë.  

Lexo më shumë
Mbahet punëtoria për strategjinë e auditimit të performancës dhe përdorimin e teorisë së shkencave sociale në procesin e auditimit të përformancës

Mbahet punëtoria për strategjinë e auditimit të performancës dhe përdorimin e teorisë së shkencave sociale në procesin e auditimit të përformancës

Në kuadër të bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë (SNAO), gjatë kësaj jave u zhvillua punëtoria për qasjen strategjike në auditimet e performancës dhe zbatimi i teorive të shkencave sociale gjatë auditimeve të përformancës. Punëtoria dyditore lidhur me strategjinë në auditimet e përformances, e mbështetur nga SNAO, u mbajt në Pejë, dhe kishte qëllim forcimin e qasjes strategjike në proceset e auditimit të performancës dhe ngritjen e aftësive profesionale për auditorët dhe menaxherët për të kryer raporte të auditimit të performancës me cilësi të lartë.

Pjesëmarrësit kanë diskutuar fushat me rëndesi strategjike për auditimet e performancës dhe forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve për të shkuar më thellë në analizën e punës audituese për të arritur rezultatet e synuara. 

Po ashtu, ekspert nga SNAO, Hazim Sabanoviq dhe Olof Widmark, prezantuan teoritë e shkencave sociale dhe se si ato mund të zbatohen në punën e auditimit. Teoritë e shkencave sociale shpjegojnë dhe parashikojnë modele të sjelljes që shpesh mund të gjenden në administratën publike dhe përdorimi i tyre gjatë auditimit sjellë një analizë më të thellë dhe produktive gjatë auditimit dhe përfundimisht përmirëson cilësinë e raporteve të auditimit.

Auditorja e Përgjithshme e vlerësoi si mundësi të mirë për auditorët e përformancës që të jenë sa më të përgatitur me metodat më të reja në punën e tyre audituese, po ashtu vlerësoi lartë kontributin nga SNAO dhe bashkëpunimin ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë.

Projekti për ngritjen e kapaciteve do të vazhdojë edhe me sesione tjera gjatë këtij viti.

Lexo më shumë