Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/29/2024 9:05:00 AM

Auditorja e Përgjithshme në Kongresin XII të EUROSAI-t, ku zgjedhen presidenti i ri dhe anëtarët e bordit drejtues

Në datat 27 dhe 28 maj 2024 u mbajt Kongresi XII i Organizatës Evropiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI) në të cilin Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka ushtruar të drejtat dhe përgjegjësitë si anëtare e kësaj organizate. Pjesëmarrës në Kongres ishin edhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Drejtoresha e Departamentit për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Qëndresa Mulaj.

 

Punimet e Kongresit janë zhvilluar në dy sesione plenare ku u trajtuan tema dhe çështje me interes për Institucionet Supreme të Auditimit anëtare të kësaj organizate.

 

Kongresi ka aprovuar një sërë raportesh dhe dokumente të tjera operative, strategjike dhe zhvillimore si: raportin e sekretariatit të EUROSAI-t 2021-2024, raportin e auditorëve të EUROSAI-t 2021-2023, raportin financiar dhe të pasqyrave financiare 2021-2023, raportin e qeverisjes së EUROSAI-t 2017-2024 si dhe raportet për zbatimin e qëllimeve strategjike 1 dhe 2 dhe Planit Strategjik të EUROSAI-t 2017-2024. 

 

Kongresi mes tjerash ka marr vendime tjera të rëndësishme duke zgjedhur Institucionin Suprem të Auditimit të Sllovakisë President të EUROSAI-t për periudhën 2027 -2030, Institucionet Supreme të Auditimit të Italisë dhe Suedisë anëtare të Bordit Drejtues të EUROSAI-t për periudhën 6-vjeçare si dhe Institucionet Supreme të Auditimit të Bullgarisë dhe të Holandës auditorë të EUROSAI-t. Po ashtu miratoi Planin Strategjik të EUROSAI-t 2024-2030 dhe buxhetin për periudhën 2025-2027. 

 

Në kuadër të punimeve të Kongresit janë prezantuar raportet e punës nga grupet punuese dhe task forcat siç janë: Grupi Punues për Teknologjinë e Informacionit; Grupit Punues për Auditimet e Mjedisit; Grupi Punues për Auditimin e Fondeve për Fatkeqësi dhe Katastrofa; Task Forca për Auditimin e Komunave si dhe Task Forca për Auditim dhe Etikë. ZKA-ja është pjesë aktive dhe ka dhënë kontributin e saj në disa nga grupet punuese dhe task forcat e EUROSAI-t.  

Theks i veçantë i është dhënë situatës në Ukrainë dhe raportit të Projekt Grupit për Mbështetjen e ISA-së së Ukraines të prezantuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar, Raportin e Bashkëpunimit me INTOSAI-n, si dhe Raportin e Informacionit nga IDI.

 

Në përmbyllje të punimeve Kongresi ka miratuar Deklaratën e Jeruzalemit, përmes se cilës theksohet se: Komuniteti EUROSAI pranoi rëndësinë e forcimit të ISA-ve dhe aktivitetit profesional të EUROSAI-t; Theksoi kontributin e zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet ISA-ve dhe grupeve të tjera të interesit në aktivitetet e EUROSAI-t; Miratoi Planin Strategjik të EUROSAI-t për 2024 – 2030; si dhe diskutoi mbi metodologjitë dhe mjetet e auditimit shtetëror për të përshtatur punën e auditimit me ndryshimet e shpejta në botë.

 

Ndër të tjera në Deklaratë thuhet se deri në vitin 2030 EUROSAI synon të krijojë dhe forcojë komunitetin e Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) duke u bërë organizatë lider dhe burimi kryesor i njohurive dhe mjeteve përkatëse, që kontribuojnë në punën e ISA-se në dobi të anëtarëve dhe qytetarëve.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

ZKA-ja: Katër ndërmarrje publike dhe RTK-ja vazhdojnë të kenë mangësi në fushën e raportimit financiar dhe pajtueshmërisë ligjore

ZKA-ja: Katër ndërmarrje publike dhe RTK-ja vazhdojnë të kenë mangësi në fushën e raportimit financiar dhe pajtueshmërisë ligjore

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportet e auditimit për Radio Televizionin e Kosovës dhe katër ndërmarrje publike: Ndërmarrja Publike Banesore, Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër - Lepenc”, Hekurudhat e Kosovës - Infrakos,  si dhe Kompania Rajonale e Mbeturinave ”Uniteti”. 

Rezultatet e auditimit tregojnë se këto institucione publike kanë mangësi të theksuara si në fushën e raportimit financiar po ashtu edhe në kuadrin e pajtueshmërisë ligjore. Për shkak të dobësive të identifikuara në raportim financiar për vitin 2023, katër  prej tyre kanë opinion auditimi të modifikuar dhe një të pamodifikuar.

 

Bazuar në gjetjet e auditimit ZKA-ja ka dhënë opinion të kundërt për Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ”Uniteti” si dhe konkluzion të kualifikuar të pajtueshmërisë. Ndërsa Radio Televizionit të Kosovës i është kualifikuar edhe opinioni i auditimit edhe konkluzioni i pajtueshmërisë. Kurse Ndërmarrja Publike Hidroekonomike “Ibër - Lepenc”e ka të kualifikuar opinionin e auditimit dhe të pamodifikuar konkluzionin e pajtueshmërisë. Edhe ndërmarrja  Hekurudhat e Kosovës - Infrakos  e ka të kualifikuar opinionin e auditimit dhe të pamodifikuar konkluzionin e pajtueshmërisë. Ndërsa Ndërmarrja Publike Banesore e ka të pamodifikuar opinionin e auditimit kurse konkluzionin e pajtueshmërisë e ka të kualifikuar.

Procesi i auditimit në këto institucione ka evidentuar mangësi te Sistemi Informativ i Kontabilitetit dhe në shënimet shpjeguese si dhe dobësi tek të hyrat operative. Ndërsa te llogaritë e arkëtueshme dhe të pagueshme është hasur në mbivlerësim të llogarive të arkëtueshme, mos harmonizimi në mes të shënimeve kontabël të llogarive të arkëtueshme dhe letër konfirmimeve, prezantim i llogarive të arkëtueshme të paidentifikuara, mbivlerësim i detyrimeve tatimore  ndaj  ATK-së, si dhe detyrimeve tjera afatshkurtra, mos prezantimi i saktë i obligimeve në regjistrin e kompanisë, nënvlerësim i detyrimeve dhe të hyrave nga grantet si dhe mungesë e të dhënave të plota për grantet. 

Edhe proceset e prokurimit dhe proceset e rekrutimit janë përcjellë me dobësi.  Gjithashtu janë identifikuar mangësi të tjera në sistemin e kontrollit të brendshëm të shpalosura në raportet individuale të auditimit.  

Me qëllim të përmirësimit të qeverisjes, këtë vit ZKA-ja ka dhënë 33 rekomandime si: për Kompaninë Rajonale të Mbeturinave ”Uniteti” janë dhënë dhjetë rekomandime, për Ndërmarrjen Publike Banesore tetë, për Radio Televizionin e Kosovës shtatë, për Ndërmarrjen Publike Hidroekonomike “Ibër - Lepenc”  katër si dhe për ndërmarrjen Hekurudhat e Kosovës – Infrakos janë dhënë katër rekomandime. 

Pavarësisht mangësive të identifikuara, krahasuar me vitin paraprak këto institucione kanë shënuar progres sa i përket zbatimit të rekomandimeve. Përderisa për vitin 2022 kanë qenë 63 rekomandime këtë vit kemi zvogëlim të numrit të tyre për 30 sosh. Kjo tregon se gjatë vitit 2023 ka pasur një përmirësim të menaxhimit financiar dhe kontrollit si rezultat i veprimeve korrigjuese që janë ndërmarrë nga këto institucione. 

 

Raportet individuale të auditimit për këto institucione i gjeni këtu.   

 

 

Lexo më shumë
Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në takimin e dytë të Grupit punues mbi përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale

Auditorja e Përgjithshme mori pjesë në takimin e dytë të Grupit punues mbi përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e shoqëruar nga Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe Ndihmës Auditorja e Përgjithshme, Myrvete Gashi Morina, në datat 4 dhe 5 qershor 2024 në Budapest të Hungarisë morën pjesë  në takimin e dytë të Grupit punues mbi përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale, i cili operon nën qëllimin e parë strategjik të EUROSAI-t (bashkëpunimi profesional). Takimi është organizuar nga Institucionet Supreme të Auditimit (ISA) të Hungarisë dhe Italisë.

 

Drejtuesit e ISA-ve nga vendet e rajonit dhe Evropës, pjesëmarrës në këtë takim diskutuan për metodologjitë dhe rezultatet e auditimit në kohë reale, duke vlerësuar se kontributi i dhënë në kuadër të këtij grupi do t’i shërbejë rritjes së sigurisë në përdorimin dhe menaxhimin e parasë publike në kohë reale.

 

ISA e Italisë si udhëheqëse e Grupit punues mbi përfitimet dhe metodologjitë e auditimit në kohë reale prezantoi rezultatet e sondazhit, të zhvilluar në shkurt të këtij viti, i cili kishte për qëllim të bëjë vlerësimin e dallimeve dhe ngjashmërive që ISA-t kanë në kryerjen e auditimeve në kohë reale.

 

Grupi vazhdoi punimet në ditën e dytë me prezantimet e kontributeve të ISA-ve në auditimet e fundit në kohë reale, si: Italia, Qipro, Franca, Hungaria, Portugalia, dhe Britania e Madhe. Kontributin e tyre përmes diskutimeve e kanë dhënë edhe përfaqësuesit e ISA-ve tjera pjesëmarrëse nga Franca, Gjermania, Portugalia, Polonia, Malta, Britania e Madhe, Belgjika, Qipro, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina,  Rumania, Ukraina si dhe Kosova.

 

Në kuadër të vizitës në Budapest, kryetari i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Hungarisë, Dr. László Windisch priti në takim të veçantë krerët e ISA-ve të shteteve pjesëmarrëse, duke afirmuar gatishmërinë për bashkëpunim ndërinstitucional përmes zhvillimit të aktiviteteve bilaterale, si dhe në kuadër të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t.

 

Lexo më shumë