Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, të premten në një konferencë për media prezantuan rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2023 dhe rezultatet e tri auditimeve të performancës.
Raporti Vjetor i Auditimit (RVA) për vitin 2023 është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, bëri me dije se Raporti përfshin opinionin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe përmbledhjen e rezultateve kryesore të punës audituese për sezonin auditues 2023/2024. Znj. Spanca tregoi se për RVA-në është dhënë opinion i modifikuar përkatësisht opinion i kualifikuar për shkak se vlera e gabimeve në disa komponente të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023 ishte materiale.
“Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur që të përmbush planin vjetor për sezonin auditues 2023/2024, duke kryer gjithsej 126 auditime. Prej tyre, 86 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore, 12 auditime të ndërmarrjeve publike, 14 auditime të performancës, nëntë auditime të projekteve të Bankës Botërore, si dhe pesë auditime të pajtueshmërisë. Në këto raporte janë identifikuar gjithsej 817 gjetje për të cilat kemi dhënë po aq rekomandime”, theksoi znj. Spanca.
Auditorja e Përgjithshme prezantoi edhe informatat lidhur me dërgimin e rasteve me elemente potenciale të veprës penale në Prokurorinë e Shtetit. Ajo tregoi se nga analizimi i 60 raporteve të auditimit financiar ku përfshihen ministritë, komunat dhe disa institucione të pavarura janë evidentuar 52 raste të dyshimit të cilat janë dërguar te Prokurori i Shtetit për trajtim të mëtutjeshëm.
Ndërsa Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantoi rezultatet dhe rekomandimet e tri auditimeve të performancës: “Menaxhimi i pronave/tokave bujqësore të Institutit Bujqësor të Kosovës”, “Listat e pritjes në institucionet shëndetësore publike” si dhe “Menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking”.
Fjala e plotë e Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca, në konferencën për media:
Të nderuar qytetarë,
Të nderuara media,
Faleminderit që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në konferencën tonë të pestë për këtë vit.
Në vazhdimësi ne ju kemi mbajtur të informuar për punën tonë, përkatësisht rezultatet e auditimeve të kryera gjatë sezonit auditues 2023-2024.
Edhe sot, në këtë konferencë do t’ju njoftojmë për së afërmi për rezultatet e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2023, të cilin në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor e kam dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës para datës 31 gusht.
Ky Raport përfshin opinionin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe përmbledhjen e rezultateve kryesore të punës audituese për sezonin auditues 2023/2024.
Gjithashtu, sot do të shpalosim para jush edhe rezultatet e tri auditimeve të performancës të sapo publikuara, si dhe informatat lidhur me dërgimin e rasteve me elemente potenciale të veprës penale në Prokurorinë e Shtetit.
Me finalizimin e këtyre raporteve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka arritur që të përmbush planin vjetor për sezonin auditues 2023/2024, duke kryer gjithsej 126 auditime. Prej tyre, 86 auditime financiare dhe të pajtueshmërisë për organizatat buxhetore, 12 auditime të ndërmarrjeve publike, 14 auditime të performancës, nëntë auditime të projekteve të Bankës Botërore, si dhe pesë auditime të pajtueshmërisë.
Në këto raporte janë identifikuar gjithsej 817 gjetje për të cilat kemi dhënë po aq rekomandime.
Për Raportin Vjetor Financiar të Qeverisë për Buxhetin e Republikës së Kosovës është dhënë: Opinion i Modifikuar përkatësisht Opinion i Kualifikuar. Arsyeja që ka ndikuar në modifikim të opinionit është se vlera e gabimeve në disa komponente të Pasqyrave Vjetore Financiare për vitin 2023 ishte materiale.
Çështjet të cilat kanë ndikuar në opinion janë:
Siç ju kemi njoftuar në konferencën paraprake, edhe për auditimet individuale, për 35 organizata buxhetore, opinionet e auditimit ishin jo të mira, edhe pse krahasuar me vitin paraprak ka përmirësim në cilësinë e raportimit financiar. Derisa për 12 ndërmarrjet publike të audituara, janë dhënë 4 opinione të kundërta, 5 të kualifikuara dhe 3 opinione të pa modifikuara. Më gëzon fakti, që pas shumë vitesh auditimi të Telekomit të Kosovës, që vite me radhë ka pasur opinion jo të mirë, në vitin 2023 Telekomi ka arritur të prezantoj të dhënat financiare drejte dhe të marrë opnion të pastër.
Të nderuara media,
Për sa i përket performancës financiare të buxhetit të shtetit për vitin 2023:
Vlera e borxhit publik ishte 1 miliard e 663 milionë euro apo rreth 17.5% e BPV-së, që në raport me vitin e kaluar, borxhi ka shënuar rënie prej 90 milionë euro apo rreth 5%. Megjithatë, kemi vërejtur mos efikasitet në shfrytëzimin e fondeve të jashtme të huazuara për shkak të problemeve kryesisht me menaxhimin e projekteve infrastrukturore, qoftë në fazën e planifikimit apo zbatimit të tyre, si dhe të sfidave me shpronësimet.
Për shtatë (7) projekte/kredi në vlerë totale prej afërsisht 178 milionë euro të ratifikuara përgjatë viteve 2016 - 2023, fondet e destinuara nuk janë tërhequr fare. Ndërsa, për 10 kreditë e ratifikuara gjatë viteve 2014 - 2020, në vlerë prej 193.5 milionë euro, me afat të përmbylljes gjatë viteve 2022-2023, niveli i disbursimit deri në fund të 2023 ishte vetëm 95.3 milionë euro.
Për sa i përket rezultateve kryesore të punës sonë audituese, edhe në këtë sezon kemi identifikuar numër të konsiderueshëm të fushave për përmirësim, të cilat janë shpalosur në komunikimet e tjera me ju dhe publikun.
Bazuar në këto rezultate, unë u bëj thirrje zyrtarëve përgjegjës që të kenë vëmendje më të theksuar në menaxhimin e pronave publike për të cilat auditori ka vënë në pah parregullsi, si në procesin e shitjeve dhe në dhënien me qira.
Një numër kontratash për projekte kapitale janë nënshkruar në mungesë të fondeve, por edhe pa u miratuar këto fonde me ligj, në veçanti në nivelin lokal. Kjo e kërcënon buxhetin e shtetit me kosto shtesë të pa planifikuara, ndërsa mungesa e kontrolleve në këto projekte mund të rezultojë edhe në keq menaxhim të tyre.
Prokurimi publik dhe menaxhimi i kontratave vazhdon të mbetet sfidë për institucionet publike. Ka nevojë të përmirësohet procesi i menaxhimit të listës së pritjes së pacientëve në sistemin shëndetësor. Procesi i sponsorizimit të sportit në Kosovë duhet të rishikohet dhe të evitohen parregullsitë e evidentuara.
Po ashtu edhe fusha e menaxhimit të teknologjisë se informacionit dhe siguria e saj kërkojnë vëmendje nga bartësit e institucioneve. Menaxhimi i sistemit e-edukimi, sistemit të menaxhimit të stokut farmaceutik dhe sistemi i ujësjellësit rajonal Prishtina janë disa nga sistemet e TI-së tek të cilat kemi gjetur mangësi, të cilat duhet të evitohen.
Forcimi i kontrolleve të brendshme është më së i nevojshëm në menaxhimin e projekteve infrastrukturore për të siguruar që ato udhëhiqen në pajtueshmëri me kornizën ligjore. Tek ndërmarrjet publike, menaxhimi dhe zvogëlimi i humbjeve kishte përmirësim të dukshëm për vitin 2023, mirëpo sfidë mbetet forcimi i menaxhimit financiar dhe kontrolleve në Ndërmarrjen Publike “Trepça”.
Të nderuara media,
Në këtë konferencë, më duhet gjithashtu të sjellë para jush brengën tonë për sa i përket rekomandimeve të auditimit të dhëna në vitin paraprak për shkak se niveli aktual i zbatimit të tyre nuk është i kënaqshëm.
Ndonëse krahasuar me vitin 2022, numri i rekomandimeve të dhëna është zvogëluar, kjo për shkak se ne besojmë se ka përmirësime në përgjithësi në disa procese, megjithatë niveli i zbatimit të rekomandimeve mbetet mjaft dekurajues. Vetëm 46% e rekomandimeve janë zbatuar plotësisht.
Institucionet e pavarura kanë arritur të zbatojnë 60% të rekomandimeve, ndoshta edhe për shkak të numrit me të vogël të rekomandimeve, ndërmarrjet publike kanë zbatuar 58%, institucionet e nivelit qendror 49%, ndërsa përmbushja më e dobët është tek niveli lokal, ku performanca e zbatimit është vetëm 39%.
Ngecjet në zbatimin e plotë të rekomandimeve ndikojnë në përsëritjen e dobësive dhe mangësive të kontrollit dhe përsëritjen sistematike të tyre nga viti në vit.
Prandaj, shfrytëzoj rastin të ftoj kryesuesit e institucioneve publike të ndërmarrin veprime konkrete me qëllim që të reflektojnë dhe ofrojnë sigurinë e nevojshme që paraja publike shpenzohet në përputhje me kornizën ligjore dhe për qëllimin e synuar.
Të nderuara media,
Deri në këtë kohë që po flasim, Departamenti Juridik dhe Kundër Mashtrimit ka arritur të analizojë 60 raporte të publikuara të auditimit për të identifikuar raste me elemente të mundshme të dyshimeve për kryerjen e veprave penale (mashtrim dhe korrupsion).
Duke u bazuar në nenin 24 të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe ZKA-në, si dhe Memorandumin e Bashkëpunimit me Prokurorin e Shtetit, nga analizimi i 60 raporteve të auditimit financiar, ku përfshihen ministritë, komunat dhe disa institucione të pavarura, për këto raporte, janë evidentuar 52 raste të dyshimit, të cilat i kam dërguar te Prokurori i Shtetit për trajtim të mëtutjeshëm.
Rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit, përfshirë procesin e prokurimit, lidhjen e kontratave, shpenzimet në kategorinë e investimeve kapitale, mallrave dhe shërbimeve, dhe pasurisë, ku janë identifikuar 42 raste. Ndërsa, në fusha të tjera janë identifikuar 10 raste, të cilat lidhen me kategorinë e subvencioneve dhe transfereve.
Duke e ditur rëndësinë e projekteve dhe aktiviteteve që ndërlidhen drejtpërdrejt me rritjen e mirëqenies së qytetarëve, theks i veçantë i është dhënë auditimeve të performancës. Në planin tonë të auditimit për sezonin 2023/2024, kemi përfshirë auditime që trajtojnë në mënyrë specifike fushat me interes për qytetarët, si dhe në përputhje me qëllimet e Agjendës së Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara 2030.
Në këtë sezon, janë kryer 14 auditime të performancës, përfshirë prokurimin dhe teknologjinë e informacionit, nga të cilat janë dhënë 124 rekomandime.
Auditimet janë fokusuar në: shërbimet shëndetësore, menaxhimin e pronave publike, licencimin e mediave, sponsorizimin e sportit, menaxhimin e sistemeve të TI-së dhe sigurinë e informacioneve, në prokurimin publik dhe fusha të tjera më rëndësi.
Objektivi ynë është të sigurohemi që auditimet tona të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm duke vlerësuar efektivitetin, efikasitetin dhe ndikimin e sektorëve të ndryshëm në arritjen e këtyre objektivave globale.
Për 11 raporte të auditimit të performancës ju kemi njoftuar në konferencat paraprake, përderisa ju informoj se dje kemi dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe tek institucionet e audituara tri raporte të auditimit të performancës të cilat do të publikohen sot si:
Lidhur me detajet e rezultateve të këtyre tri auditimeve në vijim do t’ju njoftojë Zëvendës Auditori i Përgjithshëm z. Bezad Halilaj, ndërsa unë shfrytëzoj rastin të shpreh shqetësimin tim lidhur me disa rezultate të këtyre tri auditimeve.
Së pari, për mënyrën se si janë menaxhuar pronat/tokat bujqësore të Institutit Bujqësor të Kosovës. Janë mbi 309 hektar tokë bujqësore të Institutit që nuk menaxhohen në mënyrën e duhur.Prej tyre mbi 52 hektar shfrytëzohen në mënyrë të pa autorizuar dhe rreth 31 hektar të tjera janë tjetërsuar pa njohurinë/pëlqimin e institutit dhe në rrethana të pa qarta. Instituti për nevojat hulumtuese shfrytëzon vetëm rreth 5 hektarë, ndërsa rreth 260 hektarë i ka destinuar për dhënie me qira. Këto prona, janë pasuri e shtetit dhe fakti që ndër të tjera 31 hektarë janë tjetërsuar në rrethana të paqarta është mjaft shqetësues.
Po ashtu, sa i përket listës së pritjes së pacienteve në institucionet shëndetësore publike, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar nuk janë treguar efikas në administrimin e kërkesave të qytetarëve për trajtim mjekësor.Kërkesat për trajtim janë të mëdha ndërsa kapacitetet e sistemit shëndetësor për t’iu përgjigjur janë të kufizuara, sidomos sa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve, e me raste edhe sa i përket materialit mjekësor. Në anën tjetër, numri i mjekëve specialist është në mospërputhje në raport me këtë infrastrukturë dhe këto pajisje. Si rrjedhojë, ka pacientë që kanë pritur më shumë se katër vite për të marrë shërbim në klinikat e QKUK-së.
Edhe menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking është karakterizuar me mangësi të theksuara.Ndërmarrja dhe Inspektorati i Komunës së Prishtinës nuk janë treguar efikas dhe efektiv në menaxhimin dhe monitorimin e zbatimit të Rregullores për një organizim të mirëfilltë të parkingjeve publike. Kontrollet janë të dobëta dhe ka raste që nuk janë në gjendje të dëshmojnë aktivitetet e tyre.
Tani me lejoni që të ftojë Zëvendës Auditorin e Përgjithshëm z. Halilaj të bëjë prezantimin e gjetjeve kryesore për tri (3) auditimet e performancës.
Fjala e plotë e Zëvendës Auditorit të Përgjithshëm, Bezad Halilaj në konferencën për media:
Të nderuara Media,
Do të filloj pa humbur kohë me auditimin “Menaxhimi i tokave/pronës nga Instituti Bujqësor i Kosovës”.
Objektivi i auditimit ka qenë të vlerësojmë nëse Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Instituti kanë vendosur sistem të duhur për ruajtjen dhe mbrojtjen e tokave bujqësore të Institutit dhe nëse procesi i dhënies me qira të tyre është në pajtueshmëri me kornizën ligjore. Auditimi ka mbuluar periudhën 14 vjeçare (2010–2024) për procesin e qiradhënies së tokave. Ndërsa, sa i përket procesit të menaxhimit apo tjetërsimit të tyre për çështje të analizave kemi trajtuar të dhënat nga viti 1999 deri në 2024.
Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria dhe Instituti nuk kanë arritur t’i menaxhojnë si duhet ndër vite tokat bujqësore të Institutit. Ka mungesë të qartë të bazës ligjore për rregullimin e statusit të Institutit. Bordi menaxhues nuk ka funksionuar, duke ndikuar që Instituti të mos ketë menaxhim të duhur dhe politika drejtuese për zhvillimin e aktiviteteve. Nga të dhënat e Agjencisë Kadastrale të Kosovës rezulton se në pronësi të Institutit kanë qenë mbi 340ha tokë bujqësore. Mirëpo, Institutit ndër vite i janë tjetërsuar rreth 31ha, në zonat e Prishtinës dhe Pejës, pa qenë në dijeni dhe pa miratimin e Institutit si pronar dhe Ministrisë. Ndërsa aktualisht i ka në pronësi rreth 309 ha. Prej tyre, mbi 52ha shfrytëzohen në mënyrë të pa autorizuar, rreth 260ha janë destinuar për dhënie me qira, ndërsa për nevojat hulumtuese, nga Instituti shfrytëzohen vetëm 5ha.
Edhe pse Instituti është nën administrimin e Ministrisë, kjo e fundit nuk ka hartuar bazë të qartë rregullative për rregullimin e statusit të Institutit, përfshirë pronat e tij. Nuk kemi gjetur se ka ndarje të detyrave dhe përgjegjësive për menaxhimin e pronave të Institutit ndërmjet Ministrisë dhe Institutit.
Si pasojë e këtyre mangësive, tokat bujqësore nuk janë menaxhuar në mënyrën e duhur, duke rezultuar në tjetërsim, uzurpim të tyre, ndërrim të destinimit si dhe dhënie me qira, pa ndonjë program të mirë përgatitur.
Në zonën kadastrale të Prishtinës, kemi gjetur se 12ha tokë gjithsej janë tjetërsuar pas vitit 2001, por për të cilat në disa raste mungon fare dokumentacioni i tjetërsimit. Ndërsa, në zonën kadastrale të Pejës, janë tjetërsuar rreth 19ha. Para vitit 1999, janë tjetërsuar 27 parcela nga persona privat apo kompani, me sipërfaqe totale prej 16.5 ha për të cilat gjithashtu mungon dokumentacioni i tjetërsimit. Ndërsa pas vitit 1999 janë tjetërsuar shtatë të tjera me sipërfaqe prej 2.4 ha. Në të dy zonat, tjetërsimet e pronave ishin bërë me vendime të ndryshme, disa ishin para viteve 1999, por tjetërsimi ka ndodhur pas këtij viti, gjë që kjo ngrit dyshime nëse këto vendime janë të vlefshme. Pastaj, për një pjesë të madhe të tjetërsimeve mungojnë dosjet e tyre. Në asnjë rast nuk kemi gjetur miratim nga Instituti, por edhe as dëshmi se është njoftuar për këto tjetërsime.
Gjithashtu, kemi gjetur se janë rreth 52.3 ha të cilat shfrytëzohen nga persona pa autorizim nga ana e Ministrisë. Përveç këtyre, kemi gjetur se, në Stankaj të Rugovës janë ndërtuar pa asnjë autorizim 26 objekte/vila nga persona privat. Sipas Ministrisë, në pjesën më të madhe të pronave të uzurpuara të Institutit janë ndërtuar objekte banimi, janë mbjellë kultura bujqësore apo janë ndërtuar shkolla publike, të cilat nuk kanë kontratë me Ministrinë.
Mungesa e aktivizimit të inspektorëve në ministri ka ndikuar që tokat të degradohen dhe të shfrytëzohen në mënyrë të paautorizuar. Mos trajtimi i rasteve të përdorimit ka bërë që kjo praktikë të vazhdojë me vite. Vërejtjet e shqiptuara në disa raste për lirim të hapësirave të uzurpuara, por pa masa konkrete ka bërë që të mos të merren seriozisht nga uzurpatoret dhe të vazhdohet shfrytëzimi i paligjshëm i këtyre pronave.
Ministria dhe Instituti nuk kanë proces transparent të dhënies me qira të tokave bujqësore të Institutit. Kemi gjetur se nga viti 2016 kanë qenë vetëm 5 thirrje publike për dhënie më qira, përmes së cilave janë lidhur vetëm 3 kontrata. Nga ekzaminimet tona, kemi gjetur se ka pasur kontrata për qiradhënie edhe në vitet e më hershme, por ne nuk kemi arritur të gjejmë shpalljet publike për to.
Nga analiza e kontratave kemi vërejtur se në asnjërin rast nuk është rregulluar mënyra e menaxhimit dhe mbikëqyrjes së tyre për të siguruar se pronat shfrytëzohen sipas kushteve të kontratës. Përkundër edhe atyre pak kushteve të përcaktuara në të gjithë kontratat, vetëm katër prej tyre janë respektuar. Kjo sepse, Ministria nuk ka caktuar kontrolle të menaxhimit të kontratave.
Për të adresuar çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e tokave bujqësore kemi dhënë 8 rekomandime për Ministrinë dhe Institutin.
Të nderuara media,
Tani do të vazhdojë me shpalosjen e rezultateve për auditimin “Listat e pritjes së pacientëve në institucionet shëndetësore publike”.
Objektivë e këtij auditimi ishte të vlerësojmë se çfarë masash kishin zbatuar Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar për të siguruar trajtim efikas të pacientëve në listat e pritjes; përfshirë shpërndarjen e burimeve (njerëzore dhe materiale) si dhe mënyrën e regjistrimit dhe monitorimin e listave.
Shpërndarja joefikase e burimeve ka krijuar pengesa dhe kohë të gjata të pritjes për pacientët. Klinikat e QKUK-së në veçanti, dhe Spitalet rajonale nuk janë efikase në trajtimin e kërkesave të qytetarëve për trajtim mjekësor. Kërkesat për trajtim janë të mëdha, ndërsa kapacitetet e sistemit shëndetësorë për t’iu përgjigjur atyre janë të kufizuara, sidomos sa i përket infrastrukturës dhe pajisjeve, e me raste edhe sa i përket materialit mjekësor.
Nga informatat e mbledhura, rezulton se Lista të pacientëve që presin për të marrë një shërbim ka në klinikat e: Kirurgjisë Vaskulare, Ortopedisë, Kardiologjisë, Kardiokirurgjisë, Radiologjisë, Oftalmologjisë, etj. Numri i pacienteve që presin arrin deri në 3000 sosh, në disa nga këto klinika. Ndërsa, kohëzgjatja shkon nga 2 muaj deri në 4 vjet.
Kemi vërejtur se nuk është bërë shpërndarje e harmonizuar mes burimeve njerëzore dhe materiale sepse numri i mjekëve specialistë është në mospërputhje me infrastrukturën dhe pajisjet që janë në dispozicion në ShSKUK. Psh, numri i ortopedëve në raport me sallat operative është 9 mjek për 1 sallë, i kardiologëve (kardiologji invazive) është 8 mjek për 1 sallë, ndërsa në spitale rajonale këto shërbime nuk ofrohen fare.
Angazhimi i mjekëve nuk është i njëjtë, disa janë më aktiv me operacione krahasuar me disa të tjerë brenda së njëjtës klinikë. Psh, në Klinikën e oftalmologjisë rezulton se ka mjek që kryejnë rreth 500 operacione në vit, ndërsa ka raste kur një mjek nuk kryen më shumë se një operacion në vit. Po ashtu në fushë të ngjashme, në spitale rajonale kryhen shumë pak operacione, e në tre prej tyre nuk kryhet asnjë.
Auditimi ka identifikuar mungesë të anesteziologëve, në veçanti atyre që ofrojnë shërbime në të gjitha klinikat kirurgjike. Kjo mungesë i redukton kapacitetet operative të klinikave, por ka raste edhe kur pajisjet janë të vjetruara gjë që ndikon në efikasitetin e trajtimit të pacientëve nga listat e pritjes.
Po ashtu, menaxhimi jo i duhur i furnizimit me material mjekësor dhe pamjaftueshmëria e materialit pengojnë trajtimin me kohë të pacientëve.
Buxheti i ndarë për furnizim me barna esenciale/material harxhues esencial ishte rritur nga 25 milion euro sa ishte në vitin 2019, në 38 milionë euro në vitin 2024. Edhe përkundër kësaj, klinikat nuk furnizohen mjaftueshëm me material harxhues. Shembull është furnizimi me proteza totale të gjurit dhe të kërdhokullës, të cilat janë të disponueshme vetëm në klinikën e ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa spitalet rajonale nuk furnizohen me to. Për pasojë, gjatë viteve 2020-2023 ishin kryer vetëm 176 operacione të këtij lloji. Ndërsa në listë të pritjes çdo vit ka qindra pacient, të cilët presin më shumë se katër vite për të marrë shërbim, e të tjerë që në pamundësi pritjeje janë detyruar të trajtohen në klinikat private. Situatë e ngjashme është edhe sa i përket furnizimit me thjerrëza të syrit, ku vetëm klinika e oftalmologjisë është e furnizuar, ndërsa spitalet rajonale furnizohen vetëm me sasi simbolike.
Në ShSKUK, nuk ka një sistem të centralizuar dhe formal për të regjistruar pacientët në lista të pritjes dhe për të administruar pritjet. Si pasojë, nuk ka të dhëna të qarta për numrin e pacientëve që presin, e në veçanti për kohëzgjatjen e pritjes për të marrë shërbime. Në disa institucione shëndetësore (spitale rajonale) nuk ka fare gjurmë të listave të pritjes. Mungesa e një sistemi të mirëfilltë të regjistrimit krijon hapësirë për keqpërdorim të burimeve publike, sepse bën të mundur manipulimin e listave të pritjes dhe dhënie jo të drejtë dhe të barabartë të shërbimeve shëndetësore. Si rezultat, institucionet përkatëse nuk mund t’i përgjigjen në mënyrë efikase kërkesave të qytetarëve për trajtim mjekësor. Kjo i atakon kryesisht pacientët elektiv apo ata që vuajnë nga patologji trajtimi i të cilave nuk konsiderohet urgjent. Ndërsa, është pozitiv fakti se, pacientët me raste urgjente dhe ata të hospitalizuar, marrin trajtim më të shpejtë.
Për të përmirësuar gjendjen aktuale ne kemi dhënë gjithsej 13 rekomandime, prej tyre 3 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe 10 për Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar.
Të nderuara Media,
I fundit, po jo për nga rëndësia është auditimi “Menaxhimi i parkingjeve publike në qytetin e Prishtinës nga Ndërmarrja Publike Lokale Prishtina Parking” si një komponentë kritike e infrastrukturës urbane, që luan një rol kyç në jetën e përditshme të banorëve dhe vizitorëve të kësaj komune. Ky auditim ka pasur për qëllim për të vlerësuar efikasitetin dhe efektivitetin e shërbimeve të ofruara për qytetarët nga Ndërmarrja Prishtina Parking për periudhën nga viti 2022 deri në maj 2024. Po ashtu, të vlerësojë veprimet e ndërmarra në menaxhimin e parkingjeve dhe bashkëpunimin me Inspektoratin e komunës së Prishtinës.
Auditimi ka nxjerrë në pah se një numër i konsiderueshëm i lejeve të parkimit janë lëshuar pa dokumentacionin e nevojshëm. Ndërmarrja nuk kishte arritur të bëjë një planifikim të duhur të parkingjeve duke mos prioritizuar mjaftueshëm parkimin për banorët rezidentë kundrejt përdoruesve biznesor. Kjo kishte shkaktuar probleme në disponueshmërinë e vendeve të parkimit.
Opsionet e abonimit për lejet e parkimit publik, duke përfshirë ditore, javore, mujore dhe vjetore, nuk u ishin komunikuar qartë përdoruesve. Për vitet 2022 dhe 2023 kemi vërejtur se Ndërmarrja kishte mangësi në aktivitetet e saj. Nuk ka caktuar prioritete të parkingjeve për banorët rezident në krahasim me bizneset apo me qytetarët që shfrytëzojnë parkingjet për nevoja komerciale. Ndërkohë që, për këtë periudhë janë lëshuar rreth 13,493 leje për banor rezident.
Nga 199 mostrat e lejeve të parkimit të analizuara, kemi gjetur se 108 apo rreth 54% e tyre janë lëshuar pa plotësimin e kritereve bazike. Parregullsitë nga këto mostra kryesisht i takojnë parkingjeve në Zonën I. Nga këto 108 leje, 87 prej tyre janë lëshuar nga Ndërmarrja pa plotësimin e kritereve të caktuara në rregullore, si dhe 21 janë leje të parkimit të lëshuara pa u respektuar kriteri i veturës së dytë për qytetarin, siç parashihet me Rregulloren për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës. Përderisa për 30 mostra tjera, Ndërmarrja nuk posedon fare dokumentacionin e nevojshëm për leje të parkimit. Për më tepër nga Ndërmarrja, qytetarët janë pajisur me leje parkimi në zonat të cilat nuk janë banor të zonës përkatëse duke sjellë vetëm librezën e qarkullimit të veturës apo vetëm me letërnjoftim.
Një çështje tjetër e identifikuar është mungesa e shenjëzimit të zonave të caktuara në Kryeqytet. Ndërmarrja nuk ka arritur të ofroj shërbime efikase ndaj qytetarëve duke operuar pa një plan të strukturuar për shenjëzimin e zonave të caktuara në kryeqytet, ajo ka vepruar në mënyrë ad-hoc dhe pa një qasje sistematike.
Ekzistojnë mangësi në shenjëzimin horizontal në rrugë dhe zona të caktuara, duke e bërë të vështirë parkimin në mënyrë të rregullt. Po ashtu, ekzaminimet tona kanë vënë në pah se shenjëzimi ekzistues është i padukshëm dhe nuk është në nivelin e duhur, çka rrit mundësinë e aksidenteve dhe e vështirëson menaxhimin e trafikut.
Kemi identifikuar raste kur qytetarët janë gjobitur edhe përkundër mungesës së shenjëzimit të cilat kanë pasuar me ankesa nga banorët rezident drejt Inspektoratit të komunës së Prishtinës lidhur me këtë, nga i cili ndërmarrja është ndëshkuar për mos plotësimin e kushteve për të ushtruar veprimtarinë e saj.
Kemi vërejtur se procesi aktual i menaxhimit të gjobave dhe anulimit të tyre nuk është i dokumentuar siç duhet në sistemin e brendshëm, duke krijuar kështu hapësirë për keqpërdorim, mungesë të kontrolleve, por edhe humbje financiare.
Nga analiza e aplikacionit softuerik për administrimin e gjobave, kemi identifikuar se janë disa përdorues (zyrtarë të TI-së), që në raste të caktuara kanë autorizime dhe mund të bëjnë anulimin apo fshirjen e gjobave nga aplikacioni. Për fshirjet, korrigjimet apo veprime të tjera që kryhen nuk mbetën kurrfarë gjurmësh në sistem. Për më tepër, proces i komunikimit të zyrtarëve përgjegjës për korrigjimet e nevojshme zhvillohet përmes kanaleve jo formale (si, psh; whatsapp).
Gjithashtu, kemi identifikuar se Ndërmarrja anulon gjobat ndaj qytetarëve të cilët nuk paguajnë deri në orën 23:00, pasi përfundon orari i punës për kontrollorët e Ndërmarrjes. Kjo bëhet më arsyetimin e urgjencave që mund të kenë qytetarët për të përdorur automjetet.
Në këtë auditim, kemi vërejtur gjithashtu se mbikëqyrja e kontrollorëve nga Dispeçeret përcillet me mangësi, por edhe nuk evidentohet. Prishtina Parking nuk ka një plan të strukturuar për organizimin e punës së kontrollorëve. Planet janë të pa zhvilluara dhe pa formalizuara, ato komunikohen kryesisht përmes formës excel dhe përmes telefonit. Nuk ka raporte ditore ose forma tjera që evidentojnë organizimin e punës së tyre. Dispeçeret nuk kanë të evidentuar mënyrën e mbikëqyrjes së kontrollorëve, gjë që pamundëson mbikëqyrjen e punës se tyre.
Po ashtu, Inspektoratit të Komunës së Prishtinës i mungon një plan i strukturuar për inspektimet dhe mbikëqyrjen e parkingjeve publike. Kryesisht mbështetet në ankesat e qytetarëve dhe nuk janë të përfshira në planifikimet vjetore të rregullta.
Pavarësisht, gjobave të shqiptuara dhe masave tjera të Inspektoratit për ndërmarrjen për shkelje të rregullores, mungesa e dëshmive të dokumentuara për këto veprime, përfshirë edhe mos evidentimi i ankesave nga qytetarët e pamundëson transparencën dhe llogaridhënien.
Për të ndihmuar në përmirësimin e menaxhimit të parkingjeve publike nga Ndërmarrja Prishtina Parking dhe Inspektorati i komunës së Prishtinës, ne kemi dhënë 12 rekomandime për përmirësim.
Faleminderit për vëmendje!