Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/10/2024 8:18:00 PM

ZKA dhe AIP nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për ruajtjen e privatësisë dhe sigurisë së informacionit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të forcimit të mbrojtjes së të dhënave personale dhe sigurisë së sistemeve të informacionit në Republikën e Kosovës.

Marrëveshja e nënshkruar nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, dhe Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dërmaku, synon të rrisë transparencën, sigurinë dhe përmirësimin e proceseve të kontrollit mbi përdorimin e të dhënave dhe sistemet dixhitale, përmes inspektimeve dhe auditimeve të rregullta.

Ndër të tjera marrëveshja parasheh koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe qasjes në dokumente publike; shkëmbimin e përvojave dhe informacioneve mbi auditimet dhe inspektimet e sistemeve të informacionit; trajnimet e ndërsjella për rritjen e kapaciteteve profesionale, me fokus në sigurinë e informacionit dhe zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave; si dhe krijimin e një kanali komunikimi për shkëmbimin e vazhdueshëm të të dhënave të nevojshme për zbatimin e marrëveshjes.

Nënshkrimi i marrëveshjes është përcjellë me punëtorinë për diskutimin e roleve dhe aktiviteteve konkrete në këtë fushë. Departamenti për Auditimet e Teknologjisë së Informacionit në ZKA, prezantoi para stafit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi në detaje punën dhe metodologjinë e aplikuar në auditimet e TI-së si dhe rezultatet apo gjetjet e dala nga këto auditime në fushën e sigurisë dhe privatësisë se informacionit/të dhënave.

 

  • Share:

Lexo lajme tjera:

 Mbahet trajnimi për lidership të ZKA-së

Mbahet trajnimi për lidership të ZKA-së

Me qëllim të zhvillimit dhe avancimit të aftësive udhëheqëse, menaxhmenti i lartë dhe i mesëm i ZKA-së ndoqën punëtorinë pesëditore për lidership të organizuar në kuadër të projektit të bashkëpunimit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. 

Punëtoria e udhëhequr nga ekspertët suedezë Tinna Bondestam dhe Tomas Janhed  kishte për qëllim avancimin e lidershipit në nivelet më të larta, dhe përfshiu diskutime për strukturën organizative si dhe detyra operative në shërbim të arritjes së qëllimeve strategjike. Po ashtu u zhvilluan diskutime dhe ushtrime grupore të fokusuara në përmirësimin e performancës ekipore, mbikëqyrjen, si dhe komunikimin efektiv të qëllimeve strategjike tek stafi.

Lexo më shumë
Konferenca Vjetore e Zyrës Kombëtare të Auditimit  “Udhëheqja strategjike e ZKA-së, sfidat dhe mundësitë”

Konferenca Vjetore e Zyrës Kombëtare të Auditimit “Udhëheqja strategjike e ZKA-së, sfidat dhe mundësitë”

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) të premten mbajti Konferencën Vjetore me temën “Udhëheqja strategjike e ZKA-së, sfidat dhe mundësitë”, punimet e së cilës u zhvilluan në dy panele: “Përparimi dhe mangësitë gjatë realizimit të planit vjetor në auditim dhe në administratë” si dhe “Përmbushja e qëllimeve të Planit Strategjik 2023-2026”.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në fjalën e saj të hapjes së punimeve tha se kjo konferencë është një mundësi për të reflektuar së bashku mbi rrugën që kemi përshkuar, sfidat që kemi kaluar si dhe mundësitë që i kemi përpara. Ajo falënderoi stafin e ZKA-së për kontributin e dhënë përgjatë këtyre 21 viteve. Për më shumë së dy dekada rrugëtim, ZKA-ja ka pasur shumë suksese, por edhe sfida të cilat janë adresuar me qëndrueshmëri dhe profesionalizëm. 

“Shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për secilin nga ju, sepse e gjithë kjo punë e shkëlqyer, arritjet dhe sukseset që do të na shpalosen sot në panele nuk do të ishin të mundura pa angazhimin dhe profesionalizmin tuaj të palodhur. Çdo individ në këtë institucion sjell një kontribut të çmuar, dhe ky bashkëpunim është çelësi për suksesin tonë të përbashkët. Ne qëndrojmë të bashkuar në përkushtimin tonë ndaj rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe efektivitetit të institucioneve publike”, deklaroi znj. Spanca. 

Auditorja e Përgjithshme tutje u fokusua në rezultatet e arritura gjatë 2024 duke përmendur kryerjen e 126 auditimeve të cilat rezultuan me 817 rekomandime për adresimin e mangësive dhe përmirësimin e proceseve në sektorin publik, bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, bashkëpunimin me Prokurorin e Shtetit dhe organet e tjera të drejtësisë, kontributin e çmuar që ka dhënë ZKA-ja duke qenë pjesë aktive e INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, bashkëpunimin me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë si dhe vlerësimet e larta që ka marrë ZKA-ja në rrafshin kombëtar dhe atë ndërkombëtar.

Po ashtu ajo e vlerësoi tejet të rëndësishëm edhe zhvillimin profesional të stafit, rishikimin gjithëpërfshirës të kornizës rregullative, komunikimin e brendshëm dhe të jashtëm duke përfshirë këtu miratimin dhe hyrjen në fuqi të Planit Strategjik të ZKA-së, Strategjinë e Komunikimit 2023-2026 si dhe Udhëzuesin për Komunikim të cilat orientojmë prioritet strategjike dhe prezantojmë rezultatet e punës qartë, shpejtë dhe qëndrueshëm.

Me gjithë rezultatet dhe përparimet, Auditorja e Përgjithshme bëri me dije se ende nuk janë përmbushur të gjitha objektivat duke përmendur  ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm si dhe vendosjen në një objekt shtetëror të dinjitetshëm dhe meritor.

Ndërsa Zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, prezantoi në mënyrë të detajuar rezultatet e arritura për tri vitet e fundit si dhe qasjen strategjike në përmbushje të vizionit dhe misionit të ZKA-së.

Ai tha se ZKA-ja sot gjendet në pozicion shumë më të avancuar karshi shumë indikatorëve matës, qoftë të cilësisë, integritetit, e në veçanti të pritjeve të palëve të interesit. Mbi ketë bazë z. Halilaj theksoi se ZKA-ja ka shënuar progres në shumë fusha.

Ai tregoi se përgjatë tri viteve të fundit, përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë, janë kryer edhe auditime të performancës të konsideruara me interes të lartë për qytetarët dhe Kuvendin, është avancuar metodologjia për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë, është digjitalizuar puna  audituese, si dhe është duke u punuar për digjitalizimin e proceseve të menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe krijimin e data bazës për menaxhimin e rasteve kundër mashtrimit.

Sipas tij, struktura organizative ndër vite është dizajnuar në funksion të krijimit të një sistemi të kontrollit të brendshëm që ofron siguri të lartë në qeverisjen e organizatës si dhe menaxhmenti është angazhuar në vazhdimësi për ofrimin e kushteve më të mira të punës.

Gjithashtu është investuar në avancimin e kompetencës dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional si dhe është zgjeruar bashkëpunimi me shoqata dhe institute profesionale si dhe bashkëpunimi me palët e interesit, posaçërisht me shoqërinë civile dhe qytetarët është avancuar, me qëllim të gjithë përfshirjes dhe rritjes së transparencës lidhur me menaxhimin e parasë publike.

Në kuadër të panelit I - “Përparimi dhe mangësitë gjatë realizimit të planit vjetor në auditim dhe administratë”, diskutimi u përqendrua në progresin dhe sfidat e zbatimit të Planit Vjetor të Auditimit dhe Planit të punës në administratë.

Ndërsa në panelin II - “Përmbushja e qëllimeve të Planit Strategjik 2023-2026” u diskutua për realizimin e objektivave strategjike, përmirësimin e metodologjisë së auditimit, sigurimin e cilësisë, kornizën ligjore si dhe për komunikimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Po ashtu në kuadër të diskutimeve stafi ka dhënë kontribut të çmuar nëpërmjet pyetjeve dhe komenteve të cilat i shtuan vlerë punimeve të konferencës.

Gjithashtu në konferencë u bë edhe shpërndarja e jubileve të 20-vjetorit dhe 10-vjetorit për punonjësit e ZKA-së si dhe falënderimet për ish kolegët që tashmë nuk janë më pjesë e Zyrës.

Mbyllja e punimeve të konferencës u bë nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, e cila falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë, duke thënë se përkushtimi i palodhshëm, ndershmëria dhe profesionalizmi i stafit është themel i suksesit të ZKA-së. “E ardhmja jonë është përplot mundësi dhe sfida. Megjithatë, ne vazhdojmë të ecim përpara, të rrisim cilësinë e punës sonë, kapacitetet tona dhe të ruajmë integritetin e lartë që kemi ndërtuar”, deklaroi Spanca.

 

 

Lexo më shumë