Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
10/26/2017 2:16:14 PM

Auditori i Përgjithshëm paraqet raportin Vjetor të Auditimit të buxhetit të shtetit në seancë plenare

Auditor i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, sot ka paraqitur para Kuvendit të Republikës së Kosovës, Raportin Vjetor të Auditimit për vitin fiskal 2016. Raporti Vjetor i Auditimit për vitin fiskal 2016, përmban gjetjet dhe rekomandimet kryesore për buxhetin e shtetit për këtë vit. Të dhënat e prezantuara në raport janë të bazuara në raportet e auditimit për 92 organizata buxhetore, 4 ndërmarrje publike, 2 projekte të donatorëve dhe 7 auditime të performancës. Opinioni i auditimit për Raportin Financiar Vjetor të Buxhetit të Republikës së Kosovës (RFV/BRK) është “Opinion i pamodifikuar me theksim të çështjes”, dhe paraqet një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2016, në përputhje me SNKSP dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë. Theksim i çështjes vije për faktin se nuk është bërë shpalosje adekuate e informatave sa i përket shënimeve shpjeguese. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z Besnik Osmani, në fjalën e tij para deputetëve ka theksuar se shkalla e zbatimit të rekomandimeve të dhëna në raportin e auditimit të vitit paraprak, nuk është e kënaqshme. “Në raportet individuale të auditimit kemi dhënë mbi 1,300 rekomandime nga të cilat mbi 900 me prioritet të lartë dhe 400 me prioritet të mesëm. Krahasuar me vitin 2015, në vitin 2016 numri i rekomandimeve të dhëna është rritur për 13%. Në vitin 2015 janë zbatuar më pak rekomandime se sa në vitin paraprak. Vetëm ¼ apo rreth 26% janë zbatuar plotësisht, 36% pjesërisht dhe 38% nuk janë zbatuar fare.” – tha ai. Gjithashtu ka vënë në pah disa nga gjetjet kryesore të fushave me rëndësi të shpalosura në raport si: menaxhimi i prokurimit publik, menaxhimi i pasurive publike, obligimet e papaguara, llogaritë e arkëtueshme, ekzekutimi i detyrueshëm i pagesave, Ndërmarrjet Publike, si dhe fushat me rëndësi të veçantë nga auditimet e performancës. Auditori i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Qeveria, që të aprovojë dhe zbatojë planin e veprimit për adresim të rekomandimeve të dhëna në raport. Në fund të fjalës së tij, z. Osmani, ka ftuar Kuvendin dhe Qeverinë që të përmbushin rolin e tyre në rritjen e llogaridhënies nga organizatat buxhetore dhe përmirësimin e gjendjes në zbatimin e rekomandimeve të auditimit.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Presidenti ofron mbështetje për punën e Auditorit të Përgjithshëm

Presidenti ofron mbështetje për punën e Auditorit të Përgjithshëm

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot Auditorin e Përgjithshëm të Kosovës, z. Besnik Osmani, të cilit i ka dhënë mbështetje për punën dhe aktivitetet e Auditorit të Përgjithshëm. Presidenti Thaçi ka thënë se Auditori i Përgjithshëm me punën e tij është duke forcuar llogaridhënien duke rritur besimin në institucionet publike. “Ju përgëzoj për përkushtimin, profesionalizimin dhe pavarësinë e institucionit tuaj”, ka theksuar Presidenti. Nga ana tjetër, Besnik Osmani ka thënë se Zyra Kombëtare e Auditimit do të vazhdojë të bëjë auditimin e detyrueshëm të rregullsisë për Buxhetin e Qeverisë së Kosovës si dhe auditime tjera. Presidenti ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë përpjekjet maksimale për transparencë Lajmi është marrë nga uebfaqja e Zyrës së Presidentit : http://bit.ly/2yECPE9  
Lexo më shumë
Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Zyra Kombëtare e Auditimit e Kosovës nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës z. Besnik Osmani dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës z. Marjan Dema janë takuar sot dhe kanë biseduar lidhur me aktivitetet konkrete të bashkëpunimit. Me këtë rast, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit në mes të dy institucioneve përmes së cilës janë përcaktuar fushat konkrete që kanë të bëjnë me shkëmbimet e ndihmës profesionale dhe akademike si dhe të angazhimit në punë praktike të studentëve të nivelit master të Universitetit të Prishtinës në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tha se e vlerëson lartë bashkëpunimin me Universitetin e Prishtinës dhe se ky bashkëpunim profesional është shumë i rëndësishëm për faktin që na mundësohet të praktikojmë edukimin e vazhdueshëm për personelin tonë përmes aktiviteteve arsimore, programeve të trajnimit dhe shkëmbimit të njohurive, në disa fusha që kanë të bëjnë me politikat publike, administratën publike e veçmas në fushën e kontabilitetit dhe auditimit. Nga ana e tij, rektori Dema tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje të bashkëpunimit me Zyrën Kombëtare të Auditimit është një akt shumë i rëndësishëm për UP-në, meqë me këtë do përfitojnë më së shumti studentët tanë. Dema në këtë takim foli edhe për punën që ky menaxhment është duke bërë duke krijuar standarde transparente në UP, në mënyrë që të krijohet një ambient edhe më cilësor për studim. Marrëveshja e nënshkruar sot, parasheh që të dy institucionet t’i ofrojnë ndihmë reciproke profesionale njëra-tjetrës për realizimin e konferencave, seminareve sidomos në fushën e auditimeve të përformancës dhe synon animimin e opinionit publik lidhur me rëndësinë e auditimeve dhe përfitimet e institucioneve dhe publikut nga raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, ditët një vijim do të hartohet plani i veprimit dhe do të filloj zbatimi praktik i Marrëveshjes.  
Lexo më shumë