Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
11/27/2017 4:35:00 PM

Efikasiteti i Menaxhimit të Lëndëve Civile në Gjykatat Themelore

Zyra e Kombëtare e Auditimit  ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti i Menaxhimit të Lëndëve Civile në Gjykatat Themelore”. Përmes këtij auditimi, ne kemi vlerësuar procesin e menaxhimit të lëndëve gjyqësore nga ana e Gjykatave Themelore si dhe punën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në monitorimin e progresit të këtyre Gjykatave dhe krijimin e mekanizmave për t’i mbështetur ato në menaxhimin e duhur të lëndëve. Procesi i menaxhimit të lëndëve civile në Gjykatat Themelore në Kosovë nuk është efikas, dhe ky raport auditimi përmban informata mjaft të rëndësishme dhe me interes për tu shqyrtuar, si për subjektet e audituara, për Kuvendin, qytetarët dhe palët tjera të interesit. Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar parregullsi dhe ka nxjerrë  konkluzione përmes të cilave synon që të vihen në pah çështje me rëndësi për tu adresuar. Gjykatat vazhdojnë të ballafaqohen me numër të konsiderueshëm të lëndëve të vjetra që vazhdojnë të mbesin ende të pazgjidhura, si dhe numri i përgjithshëm i lëndëve civile përveç që nuk është reduktuar, është vazhdimisht në rritje. Si rezultat i numrit të madh të lëndëve civile nëpër Gjykata Themelore, qytetarët detyrohen të presin periudha të gjata për të iu shqyrtuar e finalizuar lënda. Njëkohësisht, fakti që trendi i lëndëve që mbeten të pazgjidhura nga viti në vit është vazhdimisht në rritje është shqetësues, dhe nëse nuk ndërmerren masa për ta përmirësuar këtë gjendje atëherë gjyqësori mund të shkojë drejt kolapsit. Procesi i menaxhimit të lëndëve civile është karakterizuar me parregullsi të shumta në të gjitha fazat e tij. Procedurat aktuale të vendosura në  Gjykatat Themelore për të shpërndarë lëndët civile tek gjyqtarët nuk janë uniforme, dhe në të tre Gjykatat e audituara , secila nga procedurat e aplikuara është karakterizuar me parregullsitë e veta. Këto parregullsi janë evidente qysh nga faza fillestare e shpërndarjes së lëndëve civile tek gjyqtarët, kompletimi dhe precizimi i kërkesë padive, menaxhimi jo adekuat i grumbullit të lëndëve nga sekretarët juridik, shtyrjet e vazhdueshme të seancave gjyqësore, vonesat në shqyrtimin e lëndëve në Gjykatën e Apelit si dhe norma e lartë e lëndëve që kthehen në ri-gjykim në Gjykatat Themelore. Po ashtu, mangësi kishte edhe në praktikat që vet gjyqtarët aplikojnë për të balancuar llojet e ndryshme të lëndëve civile të cilat i marrin në shqyrtim. Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk është treguar efikas për të monitoruar në mënyrë të duhur progresin e arritur nëpër Gjykata. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka krijuar mekanizma të përgjithësuar të cilat nuk i ofrojnë mbështetje të mjaftueshme Gjykatave Themelore në menaxhimin e lëndëve. Kjo nënkupton që mekanizmat e përgjithësuar të krijuar nga Këshilli vështirësojnë monitorimin e progresit të arritur në Gjykata për të reduktuar numrin e lëndëve gjyqësore, si dhe nuk janë mjete të duhura për Gjykatat për të adresuar parregullsitë që hasin gjatë menaxhimit me lëndë gjyqësore. Pushteti gjyqësor konsiderohet si pushteti i tretë shtetëror. Gjyqësori sipas kushtetutës, duhet të jetë unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe të sigurojë qasje të barabartë të qytetarëve në gjykata. Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut përcakton në mënyrë shumë të qartë se çdo individ ka të drejtë që çështja e tij/saj të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një kohe të arsyeshme nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e themeluar me ligj. Prandaj, Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Gjykatat Themelore dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, implementojnë praktika efikase dhe të bazuara në mekanizma të qëndrueshëm e funksional të menaxhimit të lëndëve në Gjykata dhe ofrojnë shërbimet e duhura për qytetarët. Raportin e plotë mund ta lexoni në: www.zka-rks.org

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Procedurat dhe kontrollet në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale

Procedurat dhe kontrollet në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Procedurat dhe kontrollet në Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale” Përmes këtij auditimi ne kemi vlerësuar mënyrën e funksionimit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale (SMPK) në përgjithësi dhe me fokus të veçantë në procedura dhe kontrolle për të konstatuar nëse sistemi prodhon të dhëna  të sakta, pra kemi vlerësuar aktivitetet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe të gjashtë komunave të ndryshme për nga madhësia dhe përbërja etnike (Pejë, Ferizaj, Obiliq, Graçanicë, Junik dhe Mamushë) lidhur me krijimin e parakushteve për funksionimin e duhur të SMPK-së. Që nga viti 2009 Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar zbatimin e SMPK-së i cili ka adresuar performancën e komunave nga fushat e kompetencave vetanake të Komunave. Matja e performancës së komunave ka për qëllim që vetë komunat, MAPL, qytetarët dhe të gjitha palët e interesit ta kuptojnë se deri në çfarë shkallë komunat kanë arritur të ofrojnë shërbime në kohën dhe cilësinë e duhur, në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve. Ne kemi konstatuar se Komunat kanë vështirësi në aplikimin e procedurave dhe kontrolleve të parapara me sistem. Në Komunat  e audituara procedura e mbledhjes së të dhënave nuk ishte e duhur dhe kontrolli nga koordinatori komunal nuk kishte qenë efektiv. Të gjeturat tregojnë se probleme ka në mënyrën e mbledhjes, raportimit dhe verifikimit të të dhënave. Gjithashtu  ka probleme lidhur me sigurimin e qasjes në të dhëna nga njësitë komunale. Si rrjedhojë e kësaj vetëm 51% e të dhënave të raportuara ishin mbështetur në dokumente ndërsa 32% e të dhënave të raportuara nuk ishin mbështetur në dokumente të fushave përkatëse. Pjesa tjetër e të dhënave nuk ishte raportuar saktë ose nuk ishte raportuar fare. Ne kemi rekomanduar që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal sa më parë të miratojë rregulloren e rishikuar për SMPK-në  dhe të hartojë një procedurë për menaxhim të ndryshimeve të sistemit e cila do të specifikojë qartë se kush është përgjegjës për inicimin, zhvillimin, aprovimin dhe zbatimin e ndryshimeve në sistem. Kjo për të evituar mangësitë që mund të lindin nga ndryshimet e mundshme të ardhme të sistemit. Ndërsa Kryetarëve të komunave u rekomandojmë që t’ua komunikojë të gjitha njësive organizative të komunës obligimin që ka Komuna lidhur me procesin e raportimit për Sistemin për Menaxhimin e Performancës Komunale në mënyrë që të jenë të përgatitura për të ofruar të dhënat e kërkuara. Po ashtu, i rekomandojmë që të sigurojnë bashkëpunim të ngushtë mes zyrtarëve përgjegjës për raportim dhe drejtorive komunale si dhe të sigurohet se koordinatori komunal dhe zyrtarët përgjegjës për raportim i kanë kuptuar drejtë  procedurat e  mbledhjes, raportimit dhe verifikimit të të dhënave si dhe të njëjtat i kanë ushtruar. Raportin e plotë mund ta lexoni në ueb faqen tonë: www.zka-rks.org
Lexo më shumë
Financat publike dhe llogaridhënia në nivelin qendror

Financat publike dhe llogaridhënia në nivelin qendror

Nën organizimin e Kuvendit të Kosovës dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), me datë 1 dhjetor 2017 është mbajtur Konferencë me përfaqësuesit e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe atij për Mbikëqyrjen e Financave Publike me temë financat publike dhe llogaridhënia në nivelin qendror. Të ftuar në këtë Konferencë ishin edhe Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani dhe përfaqësues të ZKA-së, si dhe akterë tjerë vendor dhe ndërkombëtar në fushën e financave publike. Me këtë rast, Auditor i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, ka mbajtur një fjalë të shkurtër për rëndësinë e auditimit publik dhe rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Për kompetencat e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe komunikimin efektiv me Kuvendin e Republikës së Kosovës znj. Vlora Mehmeti, Ndihmës Auditore e Përgjithshme, ka bërë një prezantim më të detajuar. “Zyra Kombëtare e Auditimit, përmes auditimit të jashtëm të institucioneve publike kontrollon nëse paraja publike po shpenzohet mirë dhe ka mekanizma të mjaftueshëm të kontrollit, përmes kësaj i ndihmon Kuvendit të mbajë llogaridhënës Qeverinë dhe institucionet publike për mënyrën se si ata i shpenzojnë paratë publike, si dhe i ndihmon atyre që janë të ngarkuar me ofrimin e shërbimeve publike të përmirësojnë performancen e tyre në dhënien e shërbimeve në nivel qendror dhe lokal” - ka thënë znj. Mehmeti në prezantimin e saj. Znj. Mehmeti ka theksuar rëndësinë e shqyrtimit të raporteve të auditimit në Kuvend dhe jo vetëm nga Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike por edhe nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, me theks, marrja në konsideratë e të dhënave nga raportet e auditimit në procesin e hartimit të Ligjit të Buxhetit dhe gjatë shqyrtimit të raporteve vjetore të punës së Institucioneve të Pavarura.  Si rezultat i kësaj , z. Abdixhiku Kryesuesi i Komisionit për Buxhet dhe Financa ftoi Auditorin e Përgjithshëm z. Osmanin që të merr pjesë në takimet e këtij komisioni për çështjet të cilat mund të rrisin efektivitetin e punës së këtij komisioni.
Lexo më shumë