Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/26/2017 4:13:37 PM

Auditori i Përgjithshëm ka zhvilluar një vizitë pune në Universitetin e Kembrixhit, Mbretëri e Bashkuar

Me 22 dhjetor 2017, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës z.Besnik Osmani ka zhvilluar një vizitë pune në Universitetin e Kembrixhit, Mbretëri e Bashkuar. Qëllimi i vizitës ishte diskutimi i modaliteteve për bashkëpunim ndërinstitucional me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të auditorëve të performancës të Zyres Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Auditori i Përgjithshëm i Kosovës z. Besnik Osmani i ka informuar bashkëbiseduesit me përpjekjet e vazhdueshme të tij dhe të Zyres Kombëtare të Auditimit për dizajnimin e një programi adekuat të edukimit dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale të auditorëve të performancës në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Ai ka shprehur interesimin që të gjendet një model bashkëpunimi në mes të akademisë dhe institucionit suprem të auditimit në Kosovë me qëllim që të ndërtohet një skemë profesionale e përshtatshme për edukimin e auditorëve të performancës. Përfaqësues të kolegjeve të Universitetit të Kembrixhit, Dr. Steve Evans dhe Dr. Nazia Mintz Habib shfaqën gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojnë me institucionet e arsimit të lartë në Kosovë për të propozuar një zgjidhje adekuate dhe të qëndrueshme për zhvillimin profesional të stafit auditues të Zyres Kombëtare të Auditimit. ZKA ka zhvilluar tashmë takime edhe me partnerë të tjerë potencial për të përkrahur ngritjen e kapaciteteve profesionale të auditorëve të performancës, si Zyren Kombëtare të Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar, UNDP, UBT, etj. Ndërkaq aktualisht, Zyra Kombëtare e Auditimit e Suedisë ofron përkrahje profesionale për stafin e ZKA-së të përfshirë në auditime të përformancës.    

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit vizitë zyrtare në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Delegacioni i Zyrës Kombëtare të Auditimit vizitë zyrtare në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë

Në datat 18 – 20 dhjetor 2017, Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës kanë qëndruar për vizitë në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë në Stokholm. Gjatë kësaj vizite janë zhvilluar takimeve të veçanta si dhe sesione punuese me qëllim të diskutimit të përbashkët për treguesit e ndryshimit dhe qasja e brendshme për menaxhimin e ndryshimit në institucion, planin strategjik dhe të auditimit të ZKA-së dhe planin e zbatimit të projektit në mes të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Delegacioni i Kosovës në kuadër të aktiviteteve të planifikuara të kësaj vizite ka takuar edhe znj. Giedre Švediene, ish Auditore e Përgjithshme e Lituanisë, e ftuar nderi nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë. Duam të theksojmë se përveç bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy institucioneve, Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë do të mbështesë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, përmes projektit tre vjeçar, në forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare për institucionet supreme të auditimit. Në mënyrë më specifike në fushat e: Auditimit të Performancës, Auditimit të rregullsisë (financiare dhe të Pajtueshmërisë), Lidership, Menaxhim të Burimeve Njerëzore, Komunikim dhe Planifikim Strategjik.
Lexo më shumë
Sistemi Informativ Shëndetësor ballafaqohet me vështirësi gjatë zbatimit

Sistemi Informativ Shëndetësor ballafaqohet me vështirësi gjatë zbatimit

Raporti i fundit i auditimit të performancës, i publikuar sot tregon se zbatimi i Sistemit Informativ Unik të Integruar Shëndetësor në vend karakterizohet me vështirësi në koordinimin e aktiviteteve ndërmjet institucioneve të përfshira në zbatim. Raporti i Zyrës Kombëtare e Auditimit për “Efikasitetin dhe Efektivitetin në Implementimin e Sistemit Informativ Unik të Integruar Shëndetësor” gjithashtu ka gjetur se procesi i menaxhimit të zbatimit të këtij sistemi karakterizohet me parregullsi. Mos planifikimi dhe mos koordinimi i aktiviteteve në nivelin e duhur nga Ministria e Shëndetësisë, vonesat në themelimin e mekanizmave koordinuese dhe monitorues ndër institucional, procedurat e tej zgjatura në procedurat e prokurimit për sigurimin e pjesës harduerike dhe softuerike, mungesat e mirëmbajtjes së sistemit, mungesa e kapaciteteve njerëzore, trajnimet jo efikase dhe të pa mjaftueshme për përdorim të sistemit, ngecjet në sigurimin me kohë të bazës së qendrës së të dhënave, vonesat në sigurimin e regjistrit civil të qytetarëve dhe një mori aktivitetesh të pa realizuara me kohë janë shkaktarët kryesor në funksionimin dhe zbatimin joefikas dhe joefektiv të këtij sistemi. Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, me rastin e publikimit të raportit ka nënvizuar se zbatimi i Sistemit Informativ Shëndetësor në vend është brengosës, jo vetëm se ky sistem nuk është duke funksionuar në mënyrën e duhur, por situata është duke u përkeqësuar. Nëse nuk ndërmerren masat për përmirësimin e tij, ky sistem mund të de-funksionalizohet plotësisht. Përdorimi i Sistemit Informativ Shëndetësor është vendimtar për shëndetësinë në vend dhe si i tillë duhet të ofroj shërbime të barabarta për të gjithë qytetarët. Procesi i auditimit është zbatuar në Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit, Agjencinë për Regjistrim Civil, Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Spitalet Rajonale në Prizren, Pejë e Gjakovë dhe Komunën e Prishtinës. Raportin e plotë mund ta lexoni në www.zka-rks.org Ndërsa për informata shtesë ju mund të na kontaktoni në 038 60 60 04 10 12 ose 045 109 000  
Lexo më shumë