Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
2/7/2018 2:44:37 PM

Publikohet sinteza për projektin regjional të auditimit të performancës për prokurimin publik

Gjykata Evropiane e Auditorëve së bashku me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë kanë mbështetur projektin regjional të auditimit të performancës për prokurimin publik në  vendet e Ballkanit Përendimor, dhe së fundmi kanë publikuar raportin sintezë për këtë projekt. Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës ishte pjesë e këtij projekti së bashku me Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të rajonit përfshirë atë të Shqipërisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi. Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani, duke pasur parasysh rëndësinë dhe peshën e prokurimit publik në buxhetin e shtetit ka përkrahur këtë projekt në vazhdimësi. Me këtë rast ai shprehet mjaft i kënaqur që Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës po luan rol aktiv në komunitetin e auditimit, përmes bashkëpunimeve regjionale dhe më gjerë. Z. Osmani ka theksuar vullnetin dhe interesimin për iniciativa të tilla, duke siguruar se ZKA do të jetë pjesëmarrëse dhe do të jap kontributin e vet profesional. Projekti kishte në fokus auditimin e prokurimit publik si fushë e ndjeshme ndaj mashtrimit dhe korrupsionit. Indikatorët e problemit në fushën e prokurimit, të siguruara nga mediat dhe hulumtimet tjera, tregojnë për një prirje të autoriteteve kontraktuese drejt procedurave të negociuara në vend të procedurave të hapura të cilat janë më pak transparente dhe më pak ekonomike. Pastaj ka anulime të shumta të kontratave, vonesa në zbatimin e kontratave dhe probleme tjera që shkaktohen nga procedura jo të mirëfillta të prokurimit. Raporti i publikuar është një sintezë e gjetjeve dhe konkluzioneve kryesore që kanë dalë nga auditimi paralel dhe ka për qëllim të nxisë të kuptuarit e problemeve me të cilat përballen vendet e regjionit në fushën e prokurimit publik dhe bashkëpunimit regjional në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Konkluzioni i përgjithshëm që rezultoi nga auditimi paralel në fushën e prokurimit publik është se përmirësimi i fazës së planifikimit dhe përmirësimi i monitorimit mund të shtrojë themelet për një prokurim publik më efikas dhe më ekonomik. Thelbi i këtij projekti të auditimit paralel, përveç masave të rekomanduara për përmirësim në fushën e prokurimit, është përmirësimi i mëtejmë i diturisë në auditim të performancës, dhe rrjetit rajonal që është krijuar mes pjesëmarrësve. Raporti në gjuhën angleze është publikuar në uebfaqen tonë dhe e gjeni në këtë vegzë. Pas përkthimit raporti do të jetë i qasshëm edhe në gjuhën shqipe dhe serbe.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Mos dërgimi i planeve të veprimit për adresimin e rekomandimeve në raportet e auditimit të performancës

Mos dërgimi i planeve të veprimit për adresimin e rekomandimeve në raportet e auditimit të performancës

Ligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, 05/L-055, obligon organizatat buxhetore të audituara, që t’i dorëzojnë Zyrës Kombëtare të Auditimit planin e veprimit se si do t’i adresojnë rekomandimet e dhëna në raportin e auditimit. Zyra Kombëtare e Auditimit në fund të vitit 2017, ka publikuar katër raporte të auditimit të performancës në të cilat janë dhënë rekomandime të dobishme për përmirësimin e programeve qeveritare në fushën e qeverisjes lokale, administrimit të burimeve njerëzore, shëndetësisë dhe në fushën e gjyqësorit. Megjithatë, një numër i vogël i Organizatave Buxhetore ka dërguar planet e veprimit për implementimin e rekomandimeve të dhëna. Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani tërheq vëmendjen e publikut dhe të atyre që janë të ngarkuar me llogaridhënie se mos përmbushja e obligimeve ligjore, përkatësisht mos përgatitja e planeve të veprimit për adresimin e rekomandimeve tregon mungesën e vullnetit dhe llogaridhënies institucionale në udhëheqjen e aktiviteteve/programeve qeveritare në mënyrë efektive, efikase dhe ekonomike. Organizatat buxhetore që ende nuk e kanë përmbushur obligimin ligjor dhe nuk kanë dorëzuar planet e veprimit për adresimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e auditimit të performances janë: Ministria e Administratës Publike, Ministria e Kulturës Rinise dhe Sportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Bujqësisë, Komuna e Prishtinës, Ferizaj, Pejë, Gjilan dhe Suharekë për “Marrëveshjet për shërbimet e veçanta dhe kontratat e punës për detyra specifike” i publikuar me datën 15 Nëntor 2017. Komuna e Pejës, Ferizajt, Mamushes, Obiliqit dhe Graqanices, për “Procedurat dhe kontrollet në sistemin për menaxhimin e performancës komunale” i publikuar me datën 16 Nëntor 2017. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Gjykata Themelore e Prishtinës, Pejës dhe Gjilanit, për “Efikasiteti i menaxhimit të lëndëve civile në Gjykatat Themelore” i publikuar me datën 22 Dhjetor 2017. Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Punëve te Brendshme, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar, Komuna e Prishtinës, Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik për, “Efikasiteti dhe efektiviteti në implementimin e sistemit informativ unik të integruar shëndetësor” i publikuar me datën 28 Dhjetor 2017.  
Lexo më shumë
Filloi cikli i trajnimeve kundër mashtrimit në prokurimin publik

Filloi cikli i trajnimeve kundër mashtrimit në prokurimin publik

Sot ka filluar trajnimi për zyrtarët e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) me temën kundër mashtrimit në prokurimin publik dhe projektet e BE-së, ky trajnim organizohet në kuadër të projektit “Komunat transparente, efektive dhe llogaridhënëse”, i iniciuar dhe financuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ndërsa DAI është partner implementues i këtij projekti. Në hapjen e këtij aktiviteti, fjalë rasti ka mbajtur z. Valbon Bytyqi, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm, i cili shprehu mirënjohje dhe falënderim për USAID-in dhe partnerët e tyre që në vazhdimësi e kanë përkrahur Zyrën Kombëtare të Auditimit në ngritje të kapaciteteve, me theks të veçantë në kontributin për edukim të vazhdueshëm profesional. Ai shtoi se kjo temë është shumë e rëndësishme ngase ndërlidhet me rritjen e njohurive kundër mashtrimit në prokurimin e publik sipas praktikave më të mira ndërkombëtare. Ai e vlerësoi lartë bashkëpunimin me USAID dhe tha se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë edhe në të ardhmen për të fuqizuar edhe më shumë institucionin e Zyrës Kombëtare të Auditimit i cili kontribuon në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies të institucioneve të Republikës së Kosovës. Ndërsa Zëvendës Drejtoresha e projektit nga DAI, znj. Afërdita Mekuli, e cila poashtu vlerësoi lartë bashkëpunimin me ZKA-në, ajo tha se projekti i tyre i ka tre komponenta, e para lidhet me ngritjen e kapaciteteve të komunave, e dyta me adresimin e sfidave që kanë komunat në nivelin qendror dhe e treta me detektimin e mashtrimit në prokurim publik. Znj. Mekuli më tej shtoi se ZKA është një partner kyç i tyre për përmbushjen e objektivave të projektit të tyre. Në fund të ceremonisë hapëse, për objektivat e trajnimit foli znj. Iva Todorova nga organizata KPMG që është partnere në zbatim të këtij projekti. Trajnimi do të mbahet gjatë këtij muaji, në total do të zgjasë nëntë ditë në tre grupe dhe do të marrin pjesë rreth 60 auditorë të ZKA-së.  
Lexo më shumë