Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
3/22/2018 2:54:13 PM

Prezantohet Raporti i Auditimit të Performancës “EFIKASITETI DHE EFEKTIVITETI NË IMPLEMENTIMIN E SISTEMIT INFORMATIV UNIK TË INTEGRUAR SHËNDETËSOR”

Zbatimi i SISH larg synimeve të parashikuara Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në prani të zyrtarëve të Qeverisë, përfaqësuesve të shoqërisë civile, të organizatave ndërkombëtare dhe të mediave, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), e ka bëtë prezantimin e raportit të auditimit të performancës “Efikasiteti dhe efektiviteti në implementimin e sistemit informativ unik të integruar shëndetësor”. Raporti konkludon se zbatimi i Sistemit Unik të Integruar Shëndetësor në vend karakterizohet me vështirësi në koordinimin e aktiviteteve ndërmjet institucioneve të përfshira në zbatim, ndërkaq, procesi i menaxhimit të zbatimit të këtij sistemi karakterizohet me parregullsi. Duke folur në hapje të këtij prezantimi, Ilir Salihu, Zëvendës Auditor i Përgjithshëm, tha se synimi i këtij auditimi ka qenë që të ofroj rekomandime adekuate që do t’i mundësojnë Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante që të sigurojnë që Sistemi Informativ Shëndetësor të jetë funksional dhe të mundësoj vazhdimin dhe shtrirjen e tij në të gjithë territorin e vendit tonë. Salihu më tej theksoi përkushtimin e Auditorit të Përgjithshëm dhe të ZKA-së për të krijuar një partneritet të fuqishëm me shoqërinë civile dhe mediat dhe iu bëri thirrje atyre që të kenë një vështrim sa më kritik për cilësinë e produkteve të ZKA-së. Ai po ashtu kërkoi nga Qeveria dhe subjektet e audituara që të rrisin përkushtimin e tyre për zbatimin e rekomandimeve të auditimit, me qëllim që të përmirësojnë qeverisjen dhe menaxhimin e parasë publike. Ndërkaq, nga Kuvendi dhe komisionet parlamentare kërkoi që të rrisin numrin e raporteve të auditimit që shqyrtohen në komisionet parlamentare me qëllim të rritjes së llogaridhënies së zyrtarëve publik. Znj. Myrvete Gashi, drejtore e Departamentit për Auditime të Performancës, foli në pika të shkurtra për raportin e auditimit mbi “Efikasitetin dhe efektivitetin në implementimin e sistemit informativ unik të integruar shëndetësor”, ndërsa prezantimin e këtij raporti e bënë z. Labinot Sadiku, udhëheqës i ekipit auditues dhe z. Elvin Mala, Auditor i Sistemeve të TI-së. Prezantimi i sotëm është i pari i këtij lloji dhe ZKA ka planifikuar që të organizoj dëgjime të tilla publike me aktorët kryesorë të përfshirë në proceset e auditimit, me anëtarë të komisioneve parlamentare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave, për secilin raport të auditimit të performancës. Qëllimi është që të bëhet sa më transparente puna audituese dhe të sqarohen gjetjet dhe rekomandimet për publikun e gjerë, në mënyrë që të mos ketë keqkuptime dhe keqinterpretime. Raporti është i publik në uebfaqen e internetit të ZKA-së në ketë link: http://www.zka-rks.org/wp-content/uploads/2017/12/Raporti_auditimit_-SISH_shq.pdf

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm i SHBA-ve ofron përkrahje konkrete për zhvillimin profesional dhe afirmimin ndërkombëtar të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës

Auditori i Përgjithshëm i SHBA-ve ofron përkrahje konkrete për zhvillimin profesional dhe afirmimin ndërkombëtar të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani, është pritur në takim pune nga z. Gene Dodaro, Auditor i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Takimi në mes të dy Auditorëve të Përgjithshëm u zhvillua në një frymë miqësore dhe u fokusua në mundësitë e bashkëpunimi konkret. Me theks të veçantë janë trajtuar çështjet e bashkëpunimit për ngritjen e mëtejme të kapaciteteve profesionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit në lidership, auditime të përformancës si dhe zbulimin e aktiviteteve korruptuese dhe të mashtrimit. Z. Dodaro e ka njoftuar z.Osmani me punën e Institucionit Suprem të Auditimit të SHBA-ve (GAO), sistemin amerikan të mbikëqyrjes së shpenzimit të parasë publike, marrëdhëniet me Kongresin dhe llogaridhënien qeveritare. Ai e ka vlerësuar progresin e Zyres Kombëtare të Auditimit (ZKA) dhe ka shprehur konsideratën e tij për punën e bërë nga ky institucion. Z. Dodaro e ka siguruar Auditorin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës që do të ofrojnë përkrahjen e nevojshme në procesin e transformimit të mëtejshëm të ZKA-së, ngritjen e kapaciteteve profesionale për rritjen e portfolios së auditimeve të performancës si dhe zbulimin e aktiviteteve të mashtrimit dhe korrupsionit. Z. Osmani nga ana tjetër e informoi z, Dodaro për rolin dhe mandatin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, ndikimin e auditimit në rritjen e llogaridhënies në administratën publike të Kosovës dhe objektivat strategjike të Zyrës Kombëtare të Auditimit që kanë për qëllim përmirësimin e qeverisjes në administratën publike dhe zbatimin e praktikave të mira në fushën e menaxhimit të financave publike. Gjatë takimit është diskutuar edhe për mundësitë e integrimit të Zyres Kombëtare të Auditimit në institucionet ndërkombëtare të auditimit, me qëllim të përfitimit nga programet për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare të auditimit. Auditori i Përgjithshëm i SHBA-ve theksoi se roli i Institucionit Suprem të Auditimit të SHBA-ve në mekanizmat ndërkombëtar të auditimit është i rëndësishëm dhe shprehu gatishmërinë për të përkrahur aspiratat e Zyres Kombëtare të Auditimit për t’u bërë pjesë e familjes ndërkombëtare të auditimit të jashtëm. Ky takim ka inauguruar edhe bashkpunimin konkret midis dy institucioneve për faktin që dy auditorë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës filluan programin intensiv katër mujor të kombinuar të ligjëratave dhe punës praktike profesionale në Institucionin Suprem të Auditimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e 21 auditorëve nga mbarë bota që janë pjesë e këtij programi. Vizita e delegacionit të Zyrës Kombëtare të Auditimit vazhdon me takimet tjera në Thesarin Amerikan, Departamentin e Shtetit të Shërbimeve Fiskale, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe USAID. Auditori i Përgjithshëm në këtë vizitë po shoqërohet nga bashkëpunëtoret, Vlora Spanca dhe Qëndresa Mulaj.
Lexo më shumë
Thellohet bashkëpunimi bilateral në mes të  institucioneve supreme të auditimit të Kosovës dhe të Maqedonisë

Thellohet bashkëpunimi bilateral në mes të institucioneve supreme të auditimit të Kosovës dhe të Maqedonisë

Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, z. Besnik Osmani, priti sot në vizitë bilaterale një ditore z. Naser Ademi, ushtrues detyre i Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Maqedonisë, me bashkëpunëtorë. Në takimin e dy delegacioneve është biseduar për bashkëpunimin bilateral dhe forcimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve në mes të dy institucioneve supreme të auditimit, dhe formalizimin e këtij bashkëpunimi me një marrëveshje bilaterale. Me këtë rast, z. Osmani dhe z. Ademi, u pajtuan që të zhvillohet një program i aktiviteteve të përbashkëta me qëllim të shkëmbimit të përvojave institucionale, si në fushën e metodologjisë, të kualifikimit profesional, të automatizimit të procesit të auditimit, të bashkëpunimit me organet legjislative dhe ekzekutive, etj. Në kuadër të vizitës në Kosovë, delegacioni i Zyrës Shtetërore të Auditimit të Republikës së Maqedonisë do të zhvilloj takime edhe me zyrtarë të lartë në Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Lexo më shumë