Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/16/2018 2:24:54 PM

Niveli i ndotjes së ajrit në Kosovë, i dëmshëm për shëndetin e qytetarëve

Gjatë viteve 2016 dhe 2017, parametrat e rrezikshëm për shëndetin e njeriut siç janë grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5 , nuk janë raportuar për muaj të tërë, e sidomos gjatë muajve të dimrit kur këta parametra arrijnë vlera maksimale. Pavarësisht monitorimit dhe raportimit të mangët, në ato raste kur është raportuar, janë regjistruar tejkalime alarmante të parametrit PM10 që kanë arritur deri në 400% tejkalim. Grimcat e pluhurit janë shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut pasi që janë grimca me diametër shumë të vogël dhe si të tilla mund të udhëtojnë më thellë në mushkëritë tona dhe të shkaktojnë efekte të dëmshme për shëndetin tonë. Efektet e mundshme që mund të shkaktohen nga këto grimca janë rritja e numrit të të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkitet kronike, sëmundjet kronike të mushkërive tek moshat e shtyra, rritja e numrit të sëmundjeve kardiovaskulare dhe respiratore, kanceri, shkurtimi i jetës si dhe rritja e shkallës së mortalitetit. Raporti i auditimit të performancës, “ Mekanizmat institucional për rregullimin ligjor, monitorimin dhe raportimin e cilësisë së ajrit” ka gjetur se sistemi i tillë i monitorimit dhe raportimit, që menaxhohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe mekanizmat e saj, nuk u ofron qytetarëve të Kosovës një pasqyrë reale të gjendjes së cilësisë së ajrit, e sidomos jo në kohë reale. Ky sistem i monitorimit dhe raportimit përbën rrezikun që të jetë jo funksional e pa të dhëna sidomos në ato raste kur ndotja e ajrit në vend është shumë e rëndë dhe qytetarët të mos jenë në dijeni në kohën e duhur për të marrë masat e nevojshme për të evituar ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po ashtu nuk ka kompletuar gjithë infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe fizike për menaxhimin e gjendjes së cilësisë së ajrit si dhe nuk e ka azhurnuar gjithë infrastrukturën ekzistuese ligjore sipas gjendjes aktuale të cilësisë së ajrit. Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, lidhur me këtë raport është shprehur se: “Ndotja e ajrit në Kosovë është shqetësuese për shëndetin e qytetarëve, e akoma më shqetësues është fakti se qytetarët nuk janë të informuar me kohë dhe si duhet për këtë problematikë”. Procesin e monitorimit dhe raportimit të të dhënave e ka vështirësuar akoma më shumë gjendja jo funksionale, zhvendosja e shpeshtë, siguria dhe dëmtimi i stacioneve që bëjnë monitorimin dhe raportimin e të dhënave për cilësi të ajrit. Ngecje janë evidentuar edhe në nivel lokal që kanë të bëjnë me mos miratimin e planeve lokale për mjedis, mos raportimin e implementimit të këtyre planeve si dhe mos përtëritjen e planeve në momentin kur ato nuk janë të vlefshme. Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencioni për mbrojtjen e mjedisit, Instituti Hidrometeorologjik si dhe Komunat, të intensifikojnë përpjekjet e tyre për krijimin e një kornize të plotë ligjore dhe fizike si dhe mekanizmave të qëndrueshëm e efikas të monitorimit dhe raportimit. Përmirësimi i ngecjeve të identifikuara, do të ndihmoj në identifikimin e masave konkrete për tu ndërmarrë për të përmirësuar gjendjen e cilësisë së ajrit.  

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës dhe ai i Turqisë nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës dhe ai i Turqisë nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi

Akti formal i nënshkrimit u bë në margjinat e konferencës së nivelit të lartë në Sofje Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani dhe Auditori i Përgjithshëm i Gjykatës Turke të Llogarive, Seyit Ahmet Bas,  kanë nënshkruar Memorandumin e  Mirëkuptimit.  Akti formal i nënshkrimit u zhvillua në  margjinat e konferencës së nivelit të lartë  “Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit në përmirësimin e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në Sektorin Publik” e cila po mbahet sot në Sofje,  organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Bullgarisë. Nënshkrimi u bë në prezencën e përfaqësuesve të 27 Institucioneve Supreme të Auditimit nga  vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate dhe kandidate potenciale për në BE. Z. Osmani dhe z. Bas u shprehën se janë të përkushtuar në intensifikimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e përvojave dhe angazhimin e institucioneve të tyre në përmbushjen e këtij Memorandumi.
Lexo më shumë
Sqarim i Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me publikimin e paautorizuar të dokumenteve të saj

Sqarim i Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur me publikimin e paautorizuar të dokumenteve të saj

Gjatë dy ditëve të fundit, në disa media të Kosovës janë publikuar informata që i referohen disa dokumenteve të hartuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Me këtë rast, dëshirojmë ta njoftojmë publikun dhe redaksitë e mediave, se informatat e publikuara gjatë dy ditëve të fundit lidhur me procesin dhe rezultatet e auditimit të jashtëm për organizatat buxhetore, nuk janë të autorizuara nga Zyra Kombëtare të Auditimit dhe si të tilla nuk mund të konsiderohen si plotësisht të sakta. Procesi i auditimit të rregullsisë është ende në vijim dhe informatat e publikuara janë bazuar në dokumente të papërfunduara. Për hir të korrektësisë, dëshirojmë të sqarojmë opinionin që pas përfundimit të punës në terren, në pajtim me procedurat e auditimit, një përmbledhje e raportit të auditimit u dërgohet subjekteve të audituara dhe këto të fundit, gëzojnë të drejtën ligjore (sipas Ligjit të ZKA-së, neni 22.2) që në një afat prej 15 ditësh pas pranimit të draft raportit të auditimit, të bëjnë komentet e nevojshme dhe të ofrojnë dëshmi lidhur me përmbajtjen e dokumentit. Varësisht nga ky proces, që bazohet në standardet ndërkombëtare të auditimit, draft raportet mund të pësojnë ndryshime deri në versionin përfundimtar, si rezultat edhe i rishikimit të cilësisë nga funksioni i sigurimit të cilësisë në auditim. Së këndejmi, informata të autorizuara në lidhje me institucionet e audituara, duhet të trajtohen vetëm ato të cilat burojnë nga raportet e auditimit të aprovuara nga Auditori i Përgjithshëm dhe të publikuara në uebfaqen zyrtare të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Dokumentet tjera që hartohen gjatë procesit të auditimit (memot e auditimit apo draft raportet) zakonisht mbajnë shenjën për mos-publikim deri në verzionin përfundimtar. Prandaj, presim që mediat dhe përdoruesit tjerë të produkteve të auditimit, ta respektojnë këtë kërkesë ligjore dhe t’i presin rezultatet finale të punës profesionale e të pavarur të auditorëve. Respektimi i këtyre procedurave do të ndihmoj Zyrën Kombëtare të Auditimit për të punuar në pajtim të plotë me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit dhe kërkesat ligjore si dhe do të shmangte çdo keqinformim eventual të publikut në lidhje me rezultatet e auditimit të jashtëm të institucioneve publike. Ne sigurojmë mediat dhe publikun që të gjitha raportet finale të auditimit, ashtu sikur deri më tani, do të jenë të qasshme në uebfaqen zyrtare të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Lexo më shumë