Auditori i Përgjithshëm, ka dhënë Opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes për Raportin Financiar Vjetor të Qeverisë. Ky raport i është dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe prezanton gjendjen reale në lidhje me zbatimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017 nga ana e Qeverisë dhe ofron informata se si organizatat buxhetore kanë menaxhuar me fondet publike. Nga rezultatet e auditimit është vërejtur se përgjithësisht, Qeveria ka bërë progres në përmirësimin e sistemit menaxhues të financave publike, por që vazhdon të jetë i pamjaftushëm për një menaxhim cilësor. Ekziston nevoja për përmirësime në konsolidimin e të dhënave në mes të pasqyrave financiare individuale të organizatave buxhetore dhe atyre të Qeverisë për sa i përket: llogarive të arkëtueshme, detyrimeve të papaguara dhe detyrimeve kontigjente. Gjatë auditimit janë identifikuar raste të mos regjistrimit të pasurive, prezantimit jo të plotë të pasurive si dhe gabimeve në vlerat e tyre financiare. Raportet individuale të auditimit, që i kanë paraprirë raportit vjetor, kanë identifikuar dobësi në sistemet e qeverisjes, veçanërisht të sistemeve financiare. Në këto raporte janë dhënë rekomandime konkrete, zbatimi i të cilave u shërben entiteteve të audituara si një mekanizëm për sanimin e këtyre dobësive dhe bërjen e sistemeve më efikase dhe efektive në arritjen e objektivave. Analizat në këtë fushë kanë rezultuar se niveli aktual i zbatimit të rekomandimeve të auditimit nuk është i kënaqshëm. Me dorëzimin e raportit vjetor të auditimit tek Kuvendi i Kosovës, Zyra Kombëtare e Auditimit ka përmbyllur me sukses sezonin e auditimit 2017/18, ndërkohë që po bëhen përgatitjet e fundit për fillimin e sezonit të ri auditues 2018/19 në të cilën janë paraparë 135 auditime. Për detajet e përmbajtjes së Raportit Vjetor të Auditimit vizitoni uebfaqen e Zyres Kombëtare të Auditimit: http://www.zka-rks.org/wp-content/uploads/2018/09/RVA-2017_Shqip.pdf .