Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
12/3/2018 11:34:31 AM

Qytetarët nuk marrin barnat e nevojshme dhe në kohën e duhur

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kryer auditimin e menaxhimit të Listës Esenciale të Barnave dhe ka nxjerr disa rezultate të rëndësishme për menaxhimin më efikas të saj. Lista nuk është azhurnuar që nga viti 2013 dhe ekziston rreziku që barna të rëndësishme dhe me kosto efektive mos të jenë në këtë listë. Rreth 30% e barnave nuk porositen asnjëherë, ndërsa ka barna të rëndësishme të cilat janë kërkuar në vazhdimësi mirëpo nuk janë përfshirë në listën esenciale. Ky auditim ka konkuludar mangësi në të gjithë procesin e menaxhimit të listës esenciale të barnave duke filluar nga planifikimi, shpërndarja dhe monitorimi i këtij procesi nga institucionet shëndetësore. Planifikimet fillestare janë ndryshuar pa analiza përkatëse dhe si pasojë një bar vital është reduktuar deri në 74% nga plani fillestar. Gjendje jo më e mirë është edhe tek shpërndarja e barnave, ku për shkak të mos përcjelljes së afatit të përcaktuar në kontratat e furnizimit me barna ka ndodhur që të ketë vonesa në dorëzim deri në 240 ditë pas afatit të paraparë. Si pasojë e mungesës së monitorimit të duhur të procesit të planifikimit dhe shpërndarjes së barnave nga Institucionet përgjegjëse, dobësitë e njëjta janë përsëritur çdo vit. Përkundër një buxheti mesatar vjetor për Listën e Barnave për vitet 2015-2017 që ka qenë rreth 15 milion euro, jashtë kësaj liste vetëm Qendra Klinike Universitare kishte shpenzuar mesatarisht 1.2 milion euro në vit për produkte farmaceutike. Ndërsa, se sa shpenzojnë pacientët nga buxheti i tyre për barna që nuk ofrohen nga institucionet shëndetësore nuk ka asnjë të dhënë në institucionet kosovare. Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, me rastin e publikimit të këtij raporti ka nënvizuar se “Për të siguruar një furnizim më të mirë, Ministria e Shëndetësisë së bashku me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar duhet të sigurojnë që Lista Esenciale e Barnave të azhurnohet sa më shpejtë në mënyrë që të përfshijë nevojat e pacienteve. Përveç kësaj këto institucione duhet të sigurojnë një menaxhim më të mirë të planifikimit dhe shpërndarjes së barnave si dhe monitorimit të procesit për të siguruar se barnat janë në dispozicion të pacientëve kur u nevojiten”. Prandaj, Zyra Kombëtare e Auditimit ka vlerësuar se Ministria e Shëndetësisë, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës duhet të ndërmarrin hapa konkret për të siguruar menaxhim të duhur të Listës Esenciale të Barnave. Zbatimi i rekomandimeve të cilat ishin rezultat i auditimit  do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt në përmirësimin e këtyre proceseve. Raportin e plotë mund ta lexoni në  www.zka-rks.org

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit shkëmbejnë përvojat në auditimin e sektorit publik

Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit shkëmbejnë përvojat në auditimin e sektorit publik

Në datat 22-23 nëntor, një grup auditorësh nga Zyra Kombëtare e Auditimit kanë zhvilluar vizitë studimore në Kontrollin e Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë. Gjatë vizitës dy ditore  janë zhvilluar punime me fokus në metodologjinë e auditimit, manualin e auditimit të TI-së, udhëzime dhe praktika në zbulimin e korrupsionit dhe mashtrimit financiar në auditim.  Poashtu, janë shkëmbyer përvoja në auditimin e shoqërive publike dhe investimet e huaja, zhvillimi profesional si dhe rëndësia e sistemeve të kontrolleve të brendshme. Në fillim të këtij muaji, auditorët e KLSh-së, vizituar Zyrën Kombëtare të Auditimit, me c’rast shkëmbyen përvojat, praktikat dhe sfidat e auditimit në këto institucione. Këto vizita u zhvilluan në kuadër të  Marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës. Marrëveshjet e tilla, ofrojnë mundësi që të shkëmbehen pikëpamjet, metodat dhe përvojat e punës me vendet e tjera me qëllim të ngritjes së mëtejme të kapaciteteve profesionale në fusha të ndryshme.
Lexo më shumë
Auditori i Përgjithshëm kërkon mobilizimin e institucioneve përgjegjëse për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë

Auditori i Përgjithshëm kërkon mobilizimin e institucioneve përgjegjëse për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë

Ndotja e ajrit në Kosovë është shqetësuese për shëndetin e qytetarëve, e akoma më shqetësues është fakti se institucionet përgjegjëse ende nuk kanë ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar këtë gjendje, ndërsa në anën tjetër qytetarët nuk janë të informuar me kohë lidhur me këtë problematikë. Bazuar në ndikimin dhe rëndësinë e madhe që ka kjo problematikë në shëndetin e qytetarëve, Zyra Kombëtare e Auditimit ka ndërmarrë  dy auditime lidhur me mbrojtjen e mjedisit dhe cilësinë e ajrit. Në vitin 2016 është publikuar raporti  “Qëndrueshmëria e masave kombëtare për mbrojtjen e mjedisit” ndërsa në muajin maj të vitit 2018 është publikuar raporti “Mekanizmat institucional për rregullimin ligjor, monitorimin dhe raportimin e cilësisë së ajrit”. Raportet e auditimit tregojnë se kontrollet e cilësisë së ajrit në Kosovë nuk janë mbështetur dhe e fuqizuar plotësisht nga korniza e nevojshme ligjore, si dhe sistemi i monitorimit dhe raportimit nuk është plotësisht funksional. Po ashtu, në nivel lokal ekzistojnë parregullsi të ndryshme në miratimin e planeve lokale për mjedis, në raportimin e zbatimit të këtyre planeve si dhe në përtëritjen e planeve në momentin kur ato nuk janë të vlefshme. Të dy auditimet kanë konstatuar, midis tjerash, se parametrat e rrezikshëm për shëndetin e njeriut siç janë grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5, nuk janë raportuar për muaj të tërë, e sidomos gjatë muajve të dimrit kur këta parametra arrijnë vlera maksimale. Pavarësisht monitorimit dhe raportimit të mangët, në ato raste kur është raportuar, janë regjistruar tejkalime alarmante të parametrit PM10 që kanë arritur deri në 400% tejkalim të vlerave normale. Ajri i ndotur ka ndikim të konsiderueshëm si në shëndetin e qytetarëve ashtu edhe në ekonomi, duke shkurtuar jetëgjatësinë e qytetarëve, rritur kostot mjekësore si dhe reduktuar produktivitetin e ditëve të punës. Përkundër faktit që Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së ajrit, institucionet përgjegjëse ende nuk kanë hartuar planet e veprimit, duke treguar  mungesën e vullnetit dhe përgjegjësisë institucionale që shqetësimet lidhur me mjedisin dhe cilësinë e ajrit të adresohen me kohë. Lidhur me këtë Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, u bënë thirrje Institucioneve Përgjegjëse, përkatësisht Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Institutit Hidrometeorologjik si dhe Komunave  që të vazhdojnë t’i trajtojnë me prioritet rekomandimet të cilat rezultojnë nga auditimet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit dhe cilësinë e ajrit për të përmirësuar gjendjen aktuale. Përmirësimi i ngecjeve të identifikuara, do të ndihmoj në identifikimin e masave konkrete për të përmirësuar gjendjen e cilësisë së ajrit.  
Lexo më shumë