Thank you! Your submission has been received!
Oops! Something went wrong while submitting the form.
5/8/2019 12:20:33 PM

Grantet dhe subvencionet në bujqësi nuk kanë dhënë rezultatet e synuara

Menaxhimi i sektorit të bujqësisë ka mangësi të theksuara që rrezikojnë efektivitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori. Edhe pse janë hartuar strategji dhe programe dhe për çdo vit ndahen rreth 48 milion euro nga buxheti i vendit për të mbështetur këtë sektor, nuk janë arritur rezultatet e synuara.  Raporti i auditimit të perfomancës “Menaxhimi i procesit të granteve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë”, tregon se ka mangësi në mënyrën e menaxhimit të dhënies së granteve dhe subvencioneve për fermerët dhe agrobizneset si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Mënyra se si monitorohen rezultatet e arritura nga financimet publike ka rezultuar me mangësi dhe nuk dëshmon që forma aktuale e mbështetjes financiare për fermerët dhe agrobizneset është adekuate. Auditimi ka nxjerr në pah se ka projekte të investuara që nuk janë aktive e që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mos zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e punësimit. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) përveç programeve të rregullta, ka miratuar edhe dy programe të veçanta të mbështetjes financiare në vlerë 8 milion euro, pa analizë paraprake dhe duke tejkaluar kështu kufijtë buxhetor të aprovuar. Kjo mënyrë e miratimit të programeve nuk siguron rezultate të qëndrueshme dhe mënyra e dhënies nuk siguron shfrytëzimin efektiv të fondeve publike. Dështimi në themelimin e strukturave sipas rregullave për Asistencë në Para-Anëtarësim për Zhvillim Rural (IPARD), ka bërë që Kosova, për dallim nga vendet e rajonit të mos përfitoj fonde nga Bashkimi Evropian për sektorin e bujqësisë. Si rrjedhojë, programet mbështeten nga buxheti kombëtar dhe mjetet e huazuara nga donatorët dhe organizatat financiare ndërkombëtare, si Banka Botërore, etj. Mungesa e komunikimit në mes të MBPZHR dhe komunave për mbështetjen e sektorit të bujqësisë ka mundësuar që aplikuesit e njëjtë të përfitojnë nga të dy nivelet, sikurse në rastin e komunës së Prishtinës. Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm, lidhur me këtë auditim ka deklaruar se "Mbështetja financiare nga buxheti kombëtar për të zhvilluar sektorin e bujqësisë përmes qasjes së qëlluar strategjike dhe zbatimit të tyre ka një rëndësi të madhe dhe ka ndikim të gjerë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit. Në mungesë të menaxhimit të duhur, synimi për përmirësimin e sektorit të bujqësisë nuk është arritur. Prandaj, Qeveria dhe institucionet kompetente duhet të ndërmarrin veprime konkrete të strukturuara që të sigurohen se përdorimi i fondeve publike për zhvillimin e bujqësisë është adekuat dhe i orientuar në rezultate, në të kundërtën përdorimi i fondeve është i paarsyetuar.” Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e saj, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, në radhë të parë Zyra e Kryeministrit dhe MBPZHR të sigurojnë një menaxhim të duhur për të siguruar që fondet publike për sektorin e bujqësisë të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes aktuale ekonomike dhe rritje të punësimit. Po ashtu, MBPZHR dhe komunat duhet të vendosin një koordinim efektiv për t’u siguruar që të mos ketë përfitime të dyfishta për të njëjtën kulturë bujqësore.   Raportin e plotë mund ta lexoni këtë vegzë.

  • Share:

Lexo lajme tjera:

Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit shërbejnë si burim informacioni për komisionet parlamentare për të mbajtur Qeverinë të përgjegjshme për shpenzimin e parasë publike

Raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit shërbejnë si burim informacioni për komisionet parlamentare për të mbajtur Qeverinë të përgjegjshme për shpenzimin e parasë publike

Sot në Prishtinë, Auditori i Përgjithshëm mori pjesë në konferencën rajonale me temën  “Mbikëqyrja Parlamentare e Financave Publike” të organizuar nga Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike në bashkëpunim me GIZ. Në këtë konferencë u diskutua për rolin, funksionin dhe bashkëpunimin në mes të  Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike  dhe Komisionit për Buxhet dhe Financa, në mbikëqyrjen e financave publike. Po ashtu, një rëndësi e veçantë ju dha përdorimit të Raporteve të Auditimit, nga ana e këtyre komisioneve për të mbajtur Qeverinë të përgjegjshme për shpenzimin e parasë publike. Si dhe mundësinë e përfitimit nga gjetjet e auditimit, në planifikim më të mirë të shpenzimeve publike. Auditori i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, ka prezantuar, përvojën dhe praktikat e bashkëpunimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit  me Kuvendin, në Kosovë, me ç ‘rast janë prezantuar rezultat konkrete nga ky bashkëpunim. “Bashkëpunimi në mes të auditorëve dhe deputetëve ka shënuar progres, duke rritur kështu ndikimin e auditimit të jashtëm.  Së bashku me komisionet parlamentare jemi duke shikuar mundësitë e forcimit të mekanizmave me qëllim të rritjes së përqindjes të rekomandimeve të adresuara të cilat ndikojnë ne përmirësimin e shërbimeve dhe arrijnë vlerën për para, si dhe të rrisim besimin e Kuvendit në punën tonë” tha z. Osmani. Z. Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, dhe z. Lumir Abdixhiku, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa kanë vlerësuar lartë rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ata  kanë cilësuar punën e ZKA-së si profesionale dhe të besueshme, mirëpo u theksua se shqetësues mbetet fakti, për numrin e ulët të zbatimit të rekomandimeve. Në këtë konferencë është diskutuar dhe janë shkëmbyer përvojat e komisioneve parlamentare dhe bashkëpunimi i tyre me Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të rajonit. Pjesëmarrës ishin përfaqësues nga Komisionet parlamentare  për financa publike, përfaqësues nga Institucionet Supreme të Audimit, Bankës Botërore dhe shoqërisë civile, të vendeve të rajonit si Shqipëria, Maqedonia Veriore, Mali i Zi dhe Kroacia.
Lexo më shumë
Fuqizimi i bashkëpunimit mes Parlamenteve dhe Institucioneve Supreme të Auditimit për përmirësimin e perfomancës së auditimit të jashtëm

Fuqizimi i bashkëpunimit mes Parlamenteve dhe Institucioneve Supreme të Auditimit për përmirësimin e perfomancës së auditimit të jashtëm

Me datat 9 dhe 10 Maj në Tiranë, Auditori i Përgjithshëm z.Besnik Osmani,  së bashku me përfaqësues nga Zyra Kombëtare e Auditimit, morën pjesë në Konferencën Rajonale të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe Rrjetit të Komisioneve Parlamentare për Ekonomi, Financa, dhe Integrime Evropiane të Ballkanit Perëndimor, organizuar nga Banka Botërore dhe OECD/SIGMA. Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin deputetë nga Parlamentet dhe përfaqësues nga Institucionet Supreme të Auditimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në emër të Parlamentit të Kosovës, pjesëmarrës ishin  kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Selmanaj dhe zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadergjonaj. Temë kryesore e konferencës ishte "Fuqizimi i marrëdhënieve të Parlamentit dhe Institucioneve Supreme të Auditimit për të përmirësuar performancën e auditimit të jashtëm në Shtetet e Ballkanit Perëndimor". Pjesëmarrësit shkëmbyen përvojave e vendeve të tyre lidhur me rolin e Parlamentit dhe komisioneve respektive për mbikëqyrjen financiare, çështjen e shqyrtimit të raporteve te auditimit si dhe bashkëpunimin dhe sfidat kryesore me të cilat përballen ISA-të dhe parlamentet në krijimin e një marrëdhënie më efektive. Në procesin e bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe komisioneve parlamentare, u vlerësua se në Kosovë ka një proces të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të mirë mes ZKA-së dhe dy Komisioneve parlamentare, Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe  Komisionit për Buxhet dhe Financave. Me qëllim të rritjes së llogaridhënies në sektorin publik  dhe rritjes së ndikimit të raporteve të auditimit, u diskutua lidhur me  mënyrën e analizimit të raporteve te auditimit nga Parlamenti dhe aplikimin e mekanizmit të përcjelljes së zbatimit të rekomandimeve të auditimit nga komisionet parlamentare. Temat e tjera të diskutimit dhe shkëmbimit të përvojave në kuadër të konferencës lidhen me sfidat dhe zgjidhjet për llogaridhënien dhe fuqizimin e llogarisë financiare. Konferenca ka trajtuar ne mënyre te veçantë çështje që lidhen  me pavarësinë e Institucioneve Supreme të Audimit, shqyrtimi i raporteve të auditimit, përcjellja e rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit, etj. Në këtë konferencë nga ZKA, përveç Auditorit të Përgjithshëm pjesëmarrës ishin edhe Ndihmës Auditori i Përgjithshëm z. Naser Arllati, Saranda Husaj Baraliu dhe Violeta Smajlaj nga Departamenti për Komunikim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Auditim.
Lexo më shumë